Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjykata Evropiane mbron të drejtën e kundërshtimit për shkak të ndërgjegjes

Gjykata Evropiane mbron të drejtën e kundërshtimit për shkak të ndërgjegjes

DËSHMITARËT E JEHOVAIT në mbarë botën njihen për qëndrimin asnjanës në lidhje me politikën dhe luftërat e çdo kombi. Ata kanë besim të patundur se duhet «t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore» dhe se duhet ‘të mos mësojnë më të luftojnë’. (Isaia 2:4) Ata s’i pengojnë njerëzit që zgjedhin të shërbejnë në forcat e armatosura. Po sikur ndërgjegjja të mos e lejojë një Dëshmitar të shërbejë në ushtri, por vendi ku ai jeton e quan këtë shërbim të detyrueshëm? Me këtë situatë u përball një i ri me emrin Vahan Bajatjani.

Ngjarje që e çuan çështjen në Gjykatën Evropiane

Vahani lindi në Armeni në prill të vitit 1983. Në vitin 1996, ai bashkë me pjesëtarë të tjerë të familjes filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait e në moshën 16-vjeçare u pagëzua. Nga studimi i Biblës, Vahani zhvilloi respekt të thellë për mësimet e Jezu Krishtit, përfshirë udhëzimin që u dha dishepujve për të mos përdorur armët në luftë. (Mateu 26:52) Prandaj, vetëm pak pasi u pagëzua, Vahani u përball me një vendim të rëndësishëm në jetën e tij.

Ligji armen e bën të detyrueshëm shërbimin ushtarak për të gjithë djemtë kur mbushin 18 vjeç. Nëse nuk pranojnë ta kryejnë këtë shërbim, mund të ndëshkohen deri në tre vjet burg. Vahani donte t’u shërbente bashkëqytetarëve. Në të njëjtën kohë, nuk donte të dhunonte ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës. Atëherë, çfarë bëri?

Në vitin 2001, sapo mbushi moshën për shërbimin ushtarak, Vahani nisi t’u shkruante letra autoriteteve të Armenisë. Në to thoshte se ky shërbim ia dhunonte ndërgjegjen dhe bindjet fetare. Njëkohësisht, tregonte gatishmërinë për të kryer shërbim civil alternativ.

Për më tepër se një vit, Vahani vazhdoi t’u kërkonte autoriteteve që të pranonin kundërshtimin e tij ndaj shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Gjithsesi, në shtator të 2002-shit, Vahanin e arrestuan dhe më vonë e akuzuan për shmangie të shërbimit ushtarak të detyrueshëm. E dënuan me 18 muaj burgim. Por prokurori s’u mjaftua me kaq. Vetëm një muaj pas dënimit, prokurori i bëri një kërkesë gjykatës së apelit ku kërkonte një dënim më të rëndë. Ai argumentonte se kundërshtimi i shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes i Vahanit, i nxitur nga feja, ishte «i pabazë dhe i rrezikshëm». Gjykata e apelit e pranoi kërkesën e prokurorit, duke e rritur dënimin deri në 30 muaj burg.

Vahani ia apeloi vendimin e tij gjykatës më të lartë armene. Në janar të vitit 2003, Gjykata e Lartë mbrojti vendimin e gjykatës së apelit. Vahanin e transferuan menjëherë që të kryente dënimin në një burg ku kishte edhe vrasës, trafikantë droge e përdhunues.

Ngjarjet në Gjykatën Evropiane

Që nga viti 2001, Armenia është anëtare e Këshillit të Evropës. Prandaj qytetarët armenë kanë të drejtën t’ia apelojnë çështjet Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), pasi përpiqen pa sukses me të gjitha rrugët ligjore që siguron drejtësia në vendin e tyre. Pikërisht këtë zgjodhi të bënte Vahani. Në apelim argumentonte se dënimi i tij ngaqë s’kishte pranuar shërbimin ushtarak, shkelte nenin 9 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ai kërkoi që, sipas këtij neni, t’i mbrohej e drejta për të kundërshtuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes—diçka që më parë nuk ishte trajtuar kurrë me sukses.

Më 27 tetor 2009, GJEDNJ-ja mori vendimin. Sipas gjykatës, duke pasur parasysh ligjin ekzistues për këtë çështje, liria e ndërgjegjes siç përcaktohet në nenin 9 të Konventës Evropiane nuk i mbron të drejtat e kundërshtarëve për shkak të ndërgjegjes, të cilët nuk pranojnë të shërbejnë në ushtri.

Ndërkaq, Vahani ishte liruar prej kohësh nga burgu, ishte martuar dhe kishte një djalë të vogël. Vahanin e zhgënjeu vendimi. Atëherë iu desh të zgjidhte nëse do të hiqte dorë apo do t’ia apelonte çështjen Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së. Zgjodhi të dytën. Dhoma e Madhe pranon vetëm çështje të jashtëzakonshme, kështu që Vahani u kënaq kur ajo vendosi ta rishikonte çështjen.

Më në fund, më 7 korrik 2011 në Strasburg të Francës, Dhoma e Madhe e GJEDNJ-së mori vendimin. Me një shumicë votash, 16 me 1, gjykata arriti në përfundimin se Armenia kishte dhunuar të drejtën e lirisë së ndërgjegjes të Vahan Bajatjanit, kur e dënoi dhe e burgosi ngaqë kundërshtoi shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. I vetmi që votoi kundër ishte gjykatësi nga Armenia.

Pse është domethënës ky vendim? Sepse, për herë të parë në historinë e GJEDNJ-së, u vendos që e drejta e kundërshtimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes të mbrohej nga neni 9 i Konventës. Si rrjedhojë, gjykata e sheh burgimin e një kundërshtari për shkak të ndërgjegjes si dhunim të të drejtave themelore në një shoqëri demokratike.

Për qëndrimin e Dëshmitarëve të Jehovait si kundërshtarë për shkak të ndërgjegjes, gjykata tha: «Gjykata nuk ka fare arsye të dyshojë se kundërshtimi i paditësit për shërbimin ushtarak u motivua nga bindjet e tij fetare, të cilat i ndiqte plotësisht dhe që ishin në kundërshtim të hapur e të patolerueshëm me shërbimin ushtarak të detyrueshëm.»

Reagimi ndaj vendimit

Gjatë dy dekadave të fundit, në Armeni janë dënuar mbi 450 Dëshmitarë të Jehovait që kanë kundërshtuar për shkak të ndërgjegjes. Në kohën kur po përgatitej ky artikull, në atë vend ishin në burg 58 të rinj ngaqë kundërshtuan të kryenin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes mbi baza fetare. Pesë prej tyre u burgosën pas vendimit historik për çështjen Bajatjani kundër Armenisë. * Në një nga këto raste, kur njëri nga kundërshtarët për shkak të ndërgjegjes iu drejtua prokurorit vendës me anë të një kërkese që t’u jepej fund procedurave kriminale kundër tij, ngaqë nuk pranonte të kryente shërbimin ushtarak për arsye të ndërgjegjes, prokurori e hodhi poshtë kërkesën. Në përgjigjen me shkrim, prokurori thoshte: «Vendimi i Gjykatës Evropiane për çështjen Bajatjani kundër Armenisë që u mor më 7 korrik 2011, nuk zbatohet në këtë rast, pasi është e qartë se nuk ka ngjashmëri rrethanash mes dy çështjeve.»

Pse kishte këtë mendim prokurori? Kur u akuzua Vahan Bajatjani, nuk ekzistonte mundësia e shërbimit civil alternativ. Që nga ajo kohë, qeveria armene nxori një ligj për këtë lloj shërbimi, kështu ata që kundërshtonin shërbimin ushtarak tani kishin mundësinë e shërbimit civil. Megjithatë, ligji për shërbimin alternativ është nën kontrollin ushtarak. Prandaj, shumë nga ata që kundërshtojnë për shkak të ndërgjegjes, të cilët aktualisht i thërrasin për të përmbushur detyrimin ushtarak, s’mund ta pranojnë këtë ligj.

Vahan Bajatjani është i gëzuar për vendimin historik në favor të tij. Tani ky vendim e detyron Armeninë të mos i padisë e të mos i burgosë njerëzit, bindjet e forta fetare të të cilëve i shtyjnë të mos të përfshihen në shërbimin ushtarak.

Dëshmitarët e Jehovait nuk kanë si qëllim të reformojnë sistemin ligjor të ndonjë vendi. Gjithsesi, siç bëri i riu Vahan Bajatjani, ata përpiqen t’i themelojnë të drejtat e tyre ligjore duke u bazuar në disa nga ligjet ekzistuese të qeverisë në vendin ku jetojnë. Pse? Sepse duan të vazhdojnë të jetojnë në paqe dhe t’u binden lirisht të gjitha urdhrave të Udhëheqësit të tyre, Jezu Krishtit.

^ par. 17 Dy prej tyre u dënuan më 7 korrik 2011, në të njëjtën datë kur GJEDNJ-ja mori vendimin.