‘Veprat që bëri, kanë shkuar menjëherë pas tij’

‘Veprat që bëri, kanë shkuar menjëherë pas tij’

‘Veprat që bëri, kanë shkuar menjëherë pas tij’

TEODOR XHARAZI, një anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, e mbaroi jetën e tij në tokë të mërkurën në mëngjes më 9 qershor 2010. Ai ishte 84 vjeç dhe la pas Melitën, bashkëshorten e tij prej 53 vjetësh, si dhe të motrën me djalin e dy vajzat e saj.

Vëlla Xharazi lindi në 28 shtator të vitit 1925, në Pajk-Kaunti, Kentaki, SHBA, dhe e simbolizoi kushtimin ndaj Jehovait më 10 gusht 1941, në moshën 15-vjeçare. Dy vjet më pas, në moshën 17-vjeçare, hyri në radhët e pionierëve të rregullt. Ky ishte fillimi i një karriere të gjatë prej afro 67 vjetësh në shërbimin e plotkohor.

Në vitin 1946 kur ishte 20 vjeç, vëlla Xharazi ndoqi klasën e shtatë të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Pas diplomimit, e caktuan të shërbente si mbikëqyrës udhëtues në Klivlend, Ohajo, në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1951, u caktua që të mbikëqyrte veprën në degën e Australisë. Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 1983, raportonte se vëlla Xharazi «i inkurajonte shumë vëllezërit e të gjithë vendit me zellin e tij për rregullin teokratik dhe me drejtimin e mirë që jepte në shërbimin në fushë».

Pasi u kthye në Shtetet e Bashkuara, vëlla Xharazi u martua me Melita Laskon në 10 dhjetor 1956. E filluan jetën e tyre martesore në veprën udhëtuese, duke shërbyer me zell në qarqe dhe krahina që mbulonin një zonë të madhe të Shteteve të Bashkuara. Nga fundi i vitit 1974, vëlla Xharazin e ftuan të bëhej anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait.

Vëlla Xharazi do të kujtohet gjatë si një shërbëtor i përkushtuar dhe besnik i Jehovait, që u përqendrua me gjithë zemër në aktivitetet teokratike. Ai ishte një bashkëshort i dashur dhe i kujdesshëm, si dhe një njeri frymor që vinte interesat e të tjerëve para të tijave. (1 Kor. 13:4, 5) Ky interes i sinqertë për të tjerët dukej nga meraku i tij i madh që të gjithë të trajtoheshin me drejtësi dhe mëshirë. Përveç kësaj, dashuria dhe interesimi i tij i vazhdueshëm për njerëzit pasqyroheshin në zellin që kishte për shërbimin.

Edhe pse jemi mjaft të pikëlluar për humbjen e këtij anëtari të palodhur e të dashur të familjes Bethel dhe të vëllazërisë mbarëbotërore, gëzojmë sepse vëlla Xharazi i shërbeu me besnikëri Jehovait për shumë dekada. Jemi të sigurt se ‘është treguar i besueshëm deri në vdekje, dhe ka marrë kurorën e jetës’. (Zbul. 2:10) Gjithashtu, kemi sigurinë se ‘veprat që bëri, kanë shkuar menjëherë pas tij’.—Zbul. 14:13.