Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besnikëria e familjes më solli dobi

Besnikëria e familjes më solli dobi

Jetëshkrim

Besnikëria e familjes më solli dobi

TREGUAR NGA KATHLIN KUKU

KUR ishte te kushërinjtë në Glasgou të Skocisë, në vitin 1911, gjyshja Mari Elen Tompsoni ndoqi një leksion të Çarls Tejz Rasëllit, anëtar i shquar i Studentëve të Biblës, që më vonë u njohën si Dëshmitarë të Jehovait. Gjyshja u mrekullua nga ato që dëgjoi. Kur u kthye në Afrikën e Jugut, u lidh me Studentët e Biblës atje. Në prill të vitit 1914, ajo ishte një nga 16 të pagëzuarit në kongresin e parë të Studentëve të Biblës në Afrikën e Jugut. E bija, Edita, që u bë nëna ime, në atë kohë ishte gjashtë vjeçe.

Pas vdekjes së vëlla Rasëllit në vitin 1916, pati fërkime mes Studentëve të Biblës në mbarë botën. Në Durban, numri i atyre që mbetën besnikë ra nga 60 në 12 veta. Gjyshja nga babai, Ingeborg Mirdali dhe i biri, Henri, që ishte adoleshent dhe i pagëzuar nga pak, qëndruan në anën e besnikëve. Në vitin 1924, Henri u bë një përhapës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait që shërbenin në kohë të plotë. Ai predikoi në shumë vende në jug të Afrikës gjatë pesë vjetëve vijuese. Më 1930, Henri dhe Edita u martuan, dhe tre vjet më vonë linda unë.

Një familje e madhe

Për njëfarë kohe jetuam në Mozambik, por më 1939 shkuam në shtëpinë e gjyshes Mari Elen në Johanesburg. Gjyshit nuk i interesonte e vërteta biblike, e ndonjëherë e kundërshtonte gjyshen, megjithatë ishte shumë mikpritës. Motra ime, Telma, lindi në vitin 1940. Që të dyja mësuam të kujdeseshim për nevojat e të moshuarve. Shpesh kur uleshim për të ngrënë darkë, rrinim gjatë, teksa i tregonim njëri-tjetrit si e kishim kaluar ditën ose kujtonim të kaluarën.

Familja jonë gëzoi shoqërinë e Dëshmitarëve që vinin te ne, sidomos të atyre në shërbim të plotkohor. Edhe ata përfshiheshin në bisedat e darkës dhe fjalët e tyre na shtuan çmueshmërinë për pasurinë frymore që kishim. Kjo na e rriti dëshirën mua dhe Telmës për t’u bërë pioniere si ata.

Që në moshë të njomë na mësuan të kënaqeshim me leximin. Mamaja, babai dhe gjyshja na lexonin libra edukativë me tregime ose Biblën. Mbledhjet e krishtere dhe shërbimi ishin po aq të rëndësishme sa ajri që thithnim. Babai ishte shërbëtor i kompanisë (tani quhet mbikëqyrës drejtues) në Kongregacionin e Johanesburgut, kështu që si familje duhej të arrinim herët në mbledhje. Në kongrese, babai ishte shumë i zënë me administratën, kurse mamaja ndihmonte delegatët të strehoheshin.

Një kongres i veçantë për ne

Kongresi që u mbajt në vitin 1948 në Johanesburg, ishte i veçantë. Për herë të parë, merrnin pjesë anëtarë të selisë së Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Babanë e caktuan të shoqëronte me makinën e tij Nejthën Norin dhe Milton Henshelin për sa kohë do të rrinin. Atë kongres u pagëzova edhe unë.

Pas pak kohësh, babai u habit kur i ati i tha se i vinte shumë keq që, pas vdekjes së vëlla Rasëllit, kishte lejuar të ndikohej nga ata që u larguan nga Studentët e Biblës. Ai vdiq pas disa muajsh. Nga ana tjetër, Greni Mirdali qëndroi besnike derisa përfundoi jetën e saj në tokë, më 1955.

Ngjarje që i dhanë drejtim jetës sime

Fillova shërbimin si pioniere e rregullt më 1 shkurt 1949. Shpejt na pushtoi entuziazmi kur morëm vesh se vitin e ardhshëm do të mbahej një kongres ndërkombëtar në qytetin e Nju-Jorkut. Dëshironim me zjarr të shkonim, por nuk kishim para. Në shkurt të vitit 1950, gjyshi vdiq. Me paratë që trashëgoi prej tij, gjyshja Mari Elen na pagoi rrugën të pestëve.

Disa javë para se të niseshim, erdhi një letër nga selia e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Më ftonin të ndiqja klasën e 16-të të shkollës misionare të Galaadit. Ishte mrekulli, sepse ende nuk kisha mbushur 17 vjeçe! Në këtë klasë isha një prej dhjetë studentëve, të cilët kishin ardhur nga Afrika e Jugut që të gëzonin këtë privilegj të madh.

Pas diplomimit në shkurt të vitit 1951, tetë nga ne u kthyen si misionarë në Afrikën e Jugut. Në vitet që pasuan, bashkë me shoqen e shërbimit predikuam kryesisht në qyteza të vogla ku flitej gjuha afrikane. Në fillim, nuk e kisha të lehtë me atë gjuhë, e më kujtohet që një ditë u ktheva në shtëpi me biçikletë dhe qaja, pasi më dukej vetja e paaftë në shërbim. Por ca nga ca u përmirësova dhe Jehovai i bekoi përpjekjet e mia.

Martesa dhe vepra udhëtuese

Më 1955 u njoha me Xhon Kukun. Ai kishte ndihmuar që të hapej vepra e predikimit në Francë, Portugali dhe Spanjë para e pas Luftës II Botërore. Pastaj erdhi si misionar në Afrikë po atë vit kur e njoha. Më pas, ai shkroi: «Brenda një jave pata tri surpriza. . . . Një vëlla shumë bujar më dhuroi një makinë të vogël, më caktuan shërbëtor krahine dhe rashë në dashuri.» * U martuam në dhjetor të vitit 1957.

Në periudhën e njohjes, Xhoni më siguroi se jeta me të nuk do të kishte as edhe një çast të mërzitshëm, dhe kishte të drejtë. Ai vizitonte kongregacionet anembanë Afrikës, kryesisht në territoret e zezakëve. Çdo javë, mezi merrnim leje që të hynim në këto zona, e jo më ta kalonim natën atje. Rrallëherë flinim përtokë në ndonjë dyqan bosh në një zonë të bardhësh aty afër, teksa mundoheshim të fshiheshim nga kalimtarët. Zakonisht rrinim te dëshmitarët më të afërt nga popullsia e bardhë, por shumë prej tyre banonin mjaft kilometra larg.

E kishim të vështirë edhe të gjenim vende për asambletë. Këto ishin ambiente të thjeshta, të ndërtuara në mes të shkurrishtave. Shfaqnim filma të Dëshmitarëve të Jehovait, që i ndihmonin njerëzit ta çmonin vëllazërinë tonë mbarëbotërore. Merrnim me vete gjeneratorin, meqë zakonisht në ato zona nuk kishte drita. Duhej të përballonim edhe vështirësitë që hasnim në protektoratet britanike, ku literatura jonë ishte e ndaluar në atë kohë, si edhe sfidën për të mësuar gjuhën zulu. Megjithatë, gëzonim që kishim mundësi t’u shërbenim vëllezërve tanë.

Në gusht të vitit 1961, Xhoni u bë instruktori i parë në kursin katërjavor të Shkollës së Shërbimit të Mbretërisë në Afrikën e Jugut, që kishte si qëllim të ndihmonte mbikëqyrësit e kongregacioneve. Ai ishte i zoti në artin e mësimdhënies dhe u prekte zemrën dëgjuesve me logjikën e thjeshtë dhe me ilustrimet e gjalla. Për gati një vit e gjysmë udhëtuam nga njëri vend në tjetrin në të gjitha klasat në gjuhën angleze. Ndërkohë që Xhoni jepte mësim, unë predikoja me Dëshmitarët vendës. Më vonë u habitëm kur morëm një letër ku na ftonin të shërbenim në zyrën e degës së Afrikës së Jugut, afër Johanesburgut, duke filluar nga 1 korriku 1964.

Megjithatë në këtë kohë, shëndeti i Xhonit na bëri merak. Më 1948 kishte kaluar tuberkulozin dhe pas kësaj, shpesh kishte një këputje të përgjithshme. Kishte shenjat e gripit dhe rrinte në shtrat për disa ditë, nuk bënte dot asgjë e nuk ishte në gjendje të takonte askënd. Pak para se të na ftonin në zyrën e degës folëm me një mjek, që tha se Xhoni vuante nga depresioni.

As na shkonte në mend të ngadalësonim ritmin e jetës, siç na tha mjeku. Në zyrën e degës, Xhonin e caktuan në Repartin e Shërbimit, kurse mua redaktore. Ç’bekim ishte të kishim dhomën tonë! Xhoni kishte shërbyer në territore portugeze para se të martoheshim, kështu që në vitin 1967, na ftuan të ndihmonim të vetmen familje portugeze në vend, që t’i predikonte komunitetit të madh portugez brenda Johanesburgut dhe rreth e rrotull tij. Kjo do të thoshte se duhej të mësoja edhe një gjuhë tjetër.

Meqë popullsia portugeze ishte shpërndarë në një territor të madh, udhëtonim shumë. Nganjëherë bënim deri në 300 kilometra për të takuar ata që e meritonin. Në këtë kohë, Dëshmitarë nga Mozambiku, që flitnin portugalisht, filluan të vinin te ne gjatë periudhave të asambleve, dhe kjo ishte një ndihmë e madhe për të rinjtë në të vërtetën. Gjatë 11 vjetëve që predikuam në territorin portugez, pamë që grupi ynë i vogël me afro 30 veta lulëzoi e dha katër kongregacione.

Ndryshime në familje

Ndërkohë, në familjen e prindërve kishin ndodhur ndryshime. Më 1960, motra ime Telma u martua me Xhon Urbanin, një pionier nga Shtetet e Bashkuara. Më 1965, ndoqën klasën e 40-të të Galaadit dhe shërbyen me besnikëri si misionarë në Brazil për 25 vjet. Më 1990, u kthyen në Ohajo të kujdeseshin për prindërit e sëmurë të Xhonit. Pavarësisht nga ngarkesa që kanë pasur, ngaqë duhej të kujdeseshin për prindërit, ata vazhdojnë shërbimin e plotkohor edhe sot e kësaj dite.

Gjyshja Mari Elen e mbaroi jetën tokësore në vitin 1965, duke i qëndruar besnike Perëndisë deri në moshën 98-vjeçare. Po atë vit babai doli në pension. Kështu, kur mua dhe Xhonin na ftuan të ndihmonim në fushën portugeze, babai dhe mamaja shprehën dëshirën të bashkoheshin me ne. Ata ndikuan në qëndrueshmërinë e grupit tonë dhe, pas disa muajsh, u formua kongregacioni i parë. S’kaloi shumë dhe mamaja filloi të ndiente shqetësimet e kancerit, që i mori jetën në vitin 1971. Babai vdiq shtatë vjet më vonë.

Përballojmë sëmundjen e Xhonit

Aty nga vitet 70 u duk qartë se shëndeti i Xhonit nuk po merrte për mirë. Pak nga pak, iu desh të hiqte dorë nga disa privilegje të çmuara të shërbimit në Bethel, si drejtimi i studimit familjar të Kullës së Rojës, që zhvillohet në degë të hënave në mbrëmje, dhe drejtimi i shqyrtimit të Biblës në mëngjes. Nga Reparti i Shërbimit e caktuan të merrej me postën e më vonë të punonte në kopsht.

Zelli nuk e linte Xhonin të bënte ndryshime. Kur këmbëngulja që t’i merrte gjërat më shtruar, me shaka më krahasonte me gjylen dhe zinxhirin që mbanin të burgosurit, e zakonisht, pas kësaj, më përqafonte me dashuri. Si përfundim, menduam se do ishte mirë nëse do ta linim territorin portugez dhe të shërbenim me kongregacionin që mblidhej në Sallën e Mbretërisë në zyrën e degës.

Ndërkohë që shëndeti i Xhonit sa vinte e rëndohej, prekeshe kur shihje ç’lidhje të ngushtë kishte me Jehovain. Kur Xhoni çohej në mes të natës në depresion të thellë, bisedonim derisa qetësohej aq sa t’i lutej Jehovait për ndihmë. Kështu, arrinte t’ia dilte mbanë vetë në këto çaste të vështira, duke u sforcuar që të përsëriste ngadalë Filipianëve 4:6, 7: «Mos jini në ankth për asgjë . . . » Pastaj qetësohej aq sa të ishte në gjendje të lutej. Shpesh, ndërsa isha zgjuar, pa bërë zë, shihja buzët që i lëviznin, teksa lutej gjatë dhe i përgjërohej me zjarr Jehovait.

Meqë ishim shumë ngushtë në ndërtesat e degës, jashtë Johanesburgut filloi puna për ngritjen e një ndërtese të madhe për degën. Me Xhonin shkonim shpesh në atë vend të qetë, larg nga zhurma dhe pluhuri i qytetit. Për Xhonin qe një ndihmë e madhe që na lejuan të banonim përkohësisht atje derisa të mbaronte puna për ndërtimin.

Vështirësi të tjera

Xhoni e kishte më të vështirë të plotësonte caktimet ndërkohë që i dobësoheshin logjika dhe arsyeja. Prekesha shumë kur të tjerët e mbështetnin Xhonin. Për shembull, kur një vëlla shkonte në bibliotekë të kërkonte për ndonjë material, merrte edhe Xhonin me vete. Duke përfituar nga rasti, Xhoni i mbushte xhepat plot fletushka e revista për t’i shpërndarë. Kjo e ndihmonte të ndiente se po arrinte diçka dhe të ruante vlerësimin për veten.

Si përfundim, për shkak të sëmundjes së Alcajmerit Xhoni humbi aftësinë për të lexuar. Sa mirënjohës ishim për kasetat me literaturë biblike dhe këngët e Mbretërisë! I dëgjonim herë pas here. Shpesh Xhoni acarohej nëse nuk ulesha të dëgjoja edhe unë me të, prandaj gjatë atyre orëve të gjata bëja punë dore. Kështu nuk na munguan kurrë bluzat dhe kuvertat.

Me kalimin e kohës, gjendja e Xhonit kërkonte që ta luaja edhe më shumë rolin e infermieres. Ndonëse shpesh isha tejet e lodhur të lexoja e studioja, qe një kënaqësi për mua të kujdesesha për të derisa vdiq në vitin 1998. Xhoni vdiq në paqe në krahët e mi pak pasi kishte mbushur 85 vjeç—besnik dhe i palëkundur deri në fund. Mezi pres ditën kur ta shoh të ringjallur, me mendje dhe trup të shëndetshëm.

Marr forcë

Pas vdekjes së Xhonit, nuk e pata të lehtë të mësohesha të jetoja vetëm. Kështu, në maj të vitit 1999, shkova tek ime motër Telma që jetonte me të shoqin në Shtetet e Bashkuara. Sa u kënaqa dhe sa forcë mora kur takova shumë miq të dashur e besnikë, sidomos gjatë vizitës që bëmë në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork! Ishte tamam inkurajimi frymor që më duhej.

Kur kujtoj jetën e familjarëve të mi besnikë, më vijnë ndër mend shumë gjëra që më kanë sjellë dobi. Për shembull, nga ata mësova të zgjerohem në dashuri për njerëzit e kombeve dhe racave të tjera. Mësova durimin, qëndrueshmërinë dhe përshtatjen. Mbi të gjitha, provova mirësinë e Jehovait, Dëgjuesit të lutjes. Ndiej të njëjtën gjë si psalmisti kur tha: «Lum ai që ti e zgjedh dhe e afron që të rrijë në oborret e tua. Pa dyshim do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate.»—Psalmi 65:4.

[Shënimi]

^ par. 18 Shih Kullën e Rojës së 1 gushtit 1959, faqet 468-472, (anglisht).

[Figura në faqen 8]

Gjyshja me të bijat

[Figura në faqen 9]

Me prindërit kur u pagëzova në vitin 1948

[Figura në faqen 10]

Me Albert Shrëderin, sekretarin administrativ të Galaadit dhe nëntë studentët e tjerë nga Afrika e Jugut

[Figura në faqen 10]

Me Xhonin në vitin 1984