Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | KUR TË VDES NJË NJERI I DASHUR

Si të ngushëllojmë të pikëlluarit

Si të ngushëllojmë të pikëlluarit

A je ndier ndonjëherë sikur s’dije ç’të bëje kur një i njohur ishte i pikëlluar nga vdekja e një njeriu të dashur? Ndonjëherë mund të ndihemi të pasigurt se çfarë të themi ose të bëjmë, prandaj nuk themi e nuk bëjmë asgjë. Mirëpo mund të bëjmë disa gjëra praktike e të dobishme.

Shpesh, gjithçka që duhet, është prania jote dhe të thuash diçka të thjeshtë, si: «Më vjen shumë keq!» Në shumë kultura, një mënyrë e efektshme për të treguar interesim është duke e përqafuar personin ose duke e prekur butë në sup. Nëse i pikëlluari dëshiron të flasë, dëgjoje me dhembshuri. Mbi të gjitha, bëj diçka për familjen që ka humbur një njeri të dashur, ndoshta duke kryer ndonjë punë që nuk kanë mundur ta bëjnë, si: të gatuash një vakt, të kujdesesh për fëmijët ose, nëse duan, të ndihmosh me organizimin e funeralit. Këto veprime mund të flasin më shumë sesa fjalët më të zgjedhura.

Me kalimin e kohës mund të flasësh për të ndjerin, mbase duke u përqendruar te disa cilësi të mira ose përvoja të bukura. Madje, biseda të tilla mund t’i sjellin një buzëqeshje të pikëlluarit. Për shembull, Pami, së cilës gjashtë vjet më parë i vdiq burri, Jani, thotë: «Ndonjëherë të tjerët më thonë gjëra të mira që kishte bërë Jani e që nuk i dija, dhe kjo më bën të ndihem mirë.»

Studiuesit raportojnë se shumë veta që kanë humbur dikë, në fillim ndihmohen goxha, por nevojat e tyre harrohen shpejt teksa miqtë i kthehen jetës së përditshme. Prandaj, nëse një mik ka humbur një njeri të dashur, përpiqu të komunikosh rregullisht me të pas humbjes. * Shumë të pikëlluar e çmojnë thellësisht këtë rast për t’u çliruar nga ndjenjat e zgjatura të pikëllimit.

Të shqyrtojmë shembullin e Kaorit, një e re japoneze që e dërrmoi humbja e mamasë, dhe 15 muaj më vonë, e motrës së madhe. Sa mirë që miq besnikë e mbështetën vazhdimisht! Njëra prej tyre, Ricuko, është shumë më e madhe se Kaori dhe u tregua e gatshme të bëhej mikja e saj e ngushtë. Kaori shprehet: «Me thënë të drejtën, nuk isha aq e lumtur për këtë. Nuk doja që ndokush të zinte vendin e mamasë dhe nuk mendoja se dikush mund ta arrinte këtë. Megjithatë, nga mënyra si sillej me mua mama Ricuko, fillova të lidhesha ngushtë me të. Çdo javë, dilnim për t’u folur të tjerëve për Zotin dhe shkonim bashkë në mbledhjet e krishtere. Ajo më ftonte të pinim çaj, më sillte për të ngrënë dhe më shkruante shpesh letra e kartolina. Qëndrimi pozitiv i mama Ricukos ndikoi për mirë tek unë.»

Tashmë kanë kaluar dymbëdhjetë vjet që kur Kaorit i vdiq e ëma, dhe sot bashkë me të shoqin kalojnë mjaft kohë çdo muaj duke u folur të tjerëve për Perëndinë. Ajo thotë: «Mama Ricuko vazhdon të merakoset për mua. Kur kthehem në qytetin tim, e vizitoj gjithmonë dhe kënaqem me shoqërinë e saj freskuese.»

Një tjetër që nxori dobi nga mbështetja e vazhdueshme, është Poli, një Dëshmitare e Jehovait në Qipro. Poli kishte një burrë të dashur, Sozosin, i cili ishte shembull i shkëlqyer si bari i krishterë, pasi ftonte shpesh në shtëpi jetimë dhe vejusha për të ndenjur dhe për të ngrënë diçka së bashku. (Jakovi 1:27) Mjerisht, Sozosi vdiq në moshën 53-vjeçare nga një tumor në tru. Poli shprehet: «Humba burrin tim besnik me të cilin kisha kaluar 33 vjet martesë.»

Mendo në ç’mënyra praktike mund t’i ndihmosh të pikëlluarit

Pas funeralit, Poli shkoi të jetonte në Kanada me djalin e vogël, Danielin 15-vjeçar. Atje filluan të shoqëroheshin me një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Ajo sjell ndër mend: «Miqtë në kongregacionin e ri nuk dinin gjë për të kaluarën dhe rrethanat tona të vështira. Por kjo nuk i pengoi të na afroheshin e të na ngushëllonin me fjalë të ngrohta dhe të na jepnin ndihmë praktike. Sa ndihmë e çmuar ishte kjo, sidomos në atë kohë kur djali kishte nevojë më shumë se kurrë për të atin! Ata që merrnin drejtimin në kongregacion u interesuan jashtë mase për Danielin. Në veçanti, njëri sigurohej që të merrnin edhe Danielin kur kalonin kohë me miqtë ose kur luanin me top.» Sot, nënë e bir janë mirë.

Faktikisht, ka shumë mënyra praktike si mund t’i ndihmojmë e t’i ngushëllojmë ata që janë të pikëlluar. Edhe Bibla na ngushëllon me një shpresë emocionuese për të ardhmen.

^ par. 6 Madje, disa kanë shënuar datën e vdekjes në kalendar që të kujtohen për të dhënë ngushëllim atëherë kur mund të nevojitet më tepër: në datën ose afër datës kur ka ndodhur vdekja.