Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PORTRETE NGA E KALUARA

Dekrete që ndanë kontinente

Dekrete që ndanë kontinente

Më 1493, pasi Kristofor Kolombi u kthye nga udhëtimi i parë në kontinentet amerikane, mbretërit e Spanjës dhe të Portugalisë nuk ranë dakord se kush duhej ta kontrollonte tregtinë dhe kolonizimin në vendet e sapozbuluara. Spanja shpresonte që këto mosmarrëveshje t’i sheshonte papa, Aleksandri VI.

MBRETËR DHE PAPË COPËTOJNË KONTINENTE

Spanja, Portugalia dhe papati tashmë kishin pretenduar autoritetin mbi tokat e reja. Në vitin 1455 papa Nikolasi V u dha portugezëve të drejta ekskluzive të eksploronin vende e ishuj përgjatë bregut të Atlantikut në Afrikë dhe të merrnin për vete gjithçka që gjenin atje. Më 1479, në Traktatin e Alkasuveshit, Alfonso V i Portugalisë dhe i biri, princ Xhoni, ia dorëzuan Ferdinandit dhe Izabelës së Spanjës sovranitetin mbi Ishujt Kanarie. Në këmbim të kësaj, Spanja pranoi monopolin e portugezëve mbi tregtinë afrikane dhe sovranitetin e portugezëve mbi Azoret, ishujt e Kepit të Gjelbërt dhe Madeirë. Dy vjet më vonë papa Siksti IV e rikonfirmoi këtë traktat dhe bëri të qartë se çdo territor i ri në jug e në lindje të Ishujve Kanarie do t’i përkiste Portugalisë.

Megjithatë, Xhoni ose Xhoni II i Portugalisë, shpalli se tokat e zbuluara nga Kolombi i takonin Portugalisë. Monarkët spanjollë nuk e pranuan këtë traktat dhe i bënë thirrje papës së ri, Aleksandrit VI, që të kishin të drejtën të kolonizonin e t’i kthenin në të krishtere territoret që zbuloi Kolombi.

Me një të rënë të lapsit, papa Aleksandri VI ndau kontinente

Si përgjigje, Aleksandri përpiloi tri dekrete formale. I pari, «me autoritetin e Zotit të Plotfuqishëm», i jepte Spanjës pushtet ekskluziv e të përhershëm të territoreve të reja. I dyti hiqte një vijë kufitare veri-jug, rreth 560 kilometra në perëndim të ishujve të Kepit të Gjelbërt. Aleksandri tha se të gjitha tokat e zbuluara, ose që do të zbuloheshin, në perëndim të asaj vije, do të ishin të Spanjës. Me një të rënë të lapsit, papa ndau kontinente. Dekreti i tij i tretë duket se e shtriu ndikimin spanjoll drejt lindjes deri në Indi. Pa dyshim që kjo e xhindosi mbretin Xhon, nënshtetasit e të cilit vetëm kohët e fundit kishin arritur të lundronin përqark kepit të Afrikës, duke e shtrirë monopolin e Portugalisë deri në Oqeanin Indian.

NDARJE E RE NË HARTË

Fare i pakënaqur me Aleksandrin, * Xhoni bëri negociata direkt me Ferdinandin dhe Izabelën. Autori Uilliam Bërnstajni thotë: «Monarkët spanjollë u frikësoheshin portugezëve të pamëshirshëm që po shijonin Botën e Re, prandaj ishin tejet të lumtur të kërkonin një kompromis të arsyeshëm.» Kështu, më 1494 në Tordesijë u nënshkrua një traktat me emrin e këtij qyteti spanjoll.

Traktati i Tordesijës e ruajti vijën veri-jug që kishte bërë Aleksandri, por e spostoi 1.480 kilometra më në perëndim. Tani mendohej se e gjithë Afrika dhe Azia «i përkitnin» Portugalisë, kurse Bota e Re, Spanjës. Gjithsesi, ky spostim i vijës drejt perëndimit u kaloi portugezëve një pjesë të mirë të tokës ende të pazbuluar në atë kohë, që më vonë u njoh si Brazili.

Dekretet që autorizonin Spanjën e Portugalinë të zotëronin e të mbronin vendet e sapofituara, u përdorën si bazë për gjakderdhje të mëdha. Këto vendime jo vetëm shpërfillën të drejtat e banorëve të atyre vendeve, duke sjellë nënshtrim e shfrytëzim, por edhe u hapën rrugën shekujve plot konflikte mes kombeve për autoritetin dhe lirinë e deteve.

^ par. 9 Për më shumë informacion rreth këtij pape famëkeq për pandershmërinë, shih artikullin «Aleksandri VI—Një papë që Roma nuk e harron» në revistën Kulla e Rojës të 15 qershorit 2003, faqet 26-29.