Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sistemi spërkatës i brumbullit

Sistemi spërkatës i brumbullit

A është projektuar?

Sistemi spërkatës i brumbullit

▪ Ndonëse s’është as 2 centimetra i gjatë, brumbulli bombardues njihet për mekanizmin e veçantë mbrojtës. Kur ndihet i kërcënuar, insekti spërkat me avull dhe lëng përvëlues me erë kutërbuese, që dalin nga pjesa e pasme e tij. Kështu ai dëbon merimangat, zogjtë madje edhe bretkosat.

Shqyrtoni faktet: Ky brumbull ka «një çift gjëndrash që hapen në fund të barkut». Secila nga gjëndrat ka një rezervuar me një lëndë acide dhe peroksid hidrogjeni, si dhe një dhomë reaksioni të mbushur me enzima të tretura në ujë. Për t’u mbrojtur, insekti e shtyn lëngun nga rezervuarët në dhomat e reaksionit që të nisë një reaksion kimik. Cila është pasoja? Ai e spërkat sulmuesin me një përzierje uji, avulli dhe lëndësh kimike me erë të keqe, që ka temperaturë rreth 100 gradë celsius. Dhomat janë më pak se 1 milimetër të gjata, megjithatë brumbulli mund ta ndryshojë shpejtësinë, drejtimin dhe trashësinë e spërkatësit helmues.

Kërkuesit e kanë studiuar brumbullin bombardues për të mësuar si të krijojnë sisteme spërkatëse më të efektshme e më ekologjike. Ata kanë zbuluar se brumbulli nuk përdor vetëm valvula me një drejtim që lëndët të kalojnë në dhomat e reaksionit, por edhe një valvulë që hapet nga presioni që përzierja të dalë jashtë. Inxhinierët duan ta përdorin teknologjinë e spërkatjes në imitim të brumbullit bombardues te motorët e makinave, te pajisjet zjarrfikëse dhe tek aparate për thithjen e ilaçeve, si pompa për astmatikët. Profesor Andi Mekintoshi pranë Universitetit të Lidsit, Angli, thotë: «Askush nuk e ka studiuar brumbullin nga pikëpamja e fizikës dhe e inxhinierisë, siç kemi bërë ne. Por as ne nuk e dinim sa shumë do të mësonim prej tij.»

Si mendoni? A erdhi rastësisht te brumbulli sistemi i ndërlikuar i valvulave, i reaksioneve që prodhojnë nxehtësi dhe i shpërthimit? Apo është projektuar?

[Burimi i figurës në faqen 18]

Oxford Scientific/​photolibrary