Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Aty ku dëgjova për herë të parë emrin Jehova

Aty ku dëgjova për herë të parë emrin Jehova

Aty ku dëgjova për herë të parë emrin Jehova

Treguar nga Pavol Kovar

Gjatë një bombardimi të rëndë, mezi arritëm të futeshim në një strehim të sajuar. Ndërsa bombardimi shtohej dhe strehimi tronditej, një i burgosur u lut me zë të lartë: «O Jehova, na shpëto! Për hir të emrit tënd të shenjtë, të lutem, na shpëto!»

ISHTE 8 janar 1945, dhe isha i burgosur lufte në qytetin austriak të Lincit. Në atë strehim ishim rreth 250 veta dhe të gjithë mbijetuam. Kur dolëm jashtë, rreth e përqark pamë kudo shkatërrim. Ajo lutje me gjithë zemër që kisha dëgjuar m’u ngulit në mendje, edhe pse kurrë nuk e njoha njeriun që e tha. Para se t’ju tregoj si e mësova kush është Jehovai, më lini t’ju them ca gjëra për veten.

Linda më 28 shtator 1921 në një shtëpi pranë fshatit Krajne, në Sllovakinë Perëndimore, asokohe pjesë e Çekosllovakisë. Prindërit ishin protestantë dhe praktikues të devotshëm të fesë. Çdo të diel në mëngjes babai na lexonte Biblën, kurse mamaja dhe ne, katër fëmijët, dëgjonim me vëmendje. Megjithatë, nuk më kujtohet që im atë të ketë përdorur emrin Jehova. Jeta ishte e thjeshtë në fshatin tonë, por megjithatë ishim të kënaqur me ato pak që kishim.

Në vitin 1939, kur nisi Lufta II Botërore, njerëzit u frikësuan. Shumë prej tyre i kishin ende të freskëta në mendje vuajtjet që shkaktoi rreth 20 vjet më parë Lufta I Botërore. Në vitin 1942, më thirrën të shërbeja në ushtrinë sllovake. Ndonëse zyrtarisht Sllovakia ishte rreshtuar përkrah Gjermanisë, në gusht të 1944-s u bë një orvatje për të rivendosur demokracinë. Kur kjo përpjekje dështoi, unë isha mes mijëra robërve sllovakë që u çuan në territoret e kontrolluara nga gjermanët. Përfundova në Guzen, një kamp më i vogël afër kampit famëkeq të përqendrimit në Mathauzen, pranë Lincit.

Rob lufte

Na caktuan të punonim në uzinën e avionëve jo shumë larg fshatit Sankt-Georgen-an-der-Guzen. Atje punoja në një stabiliment sharre. Kishim pak për të ngrënë dhe në janar të vitit 1945 racionet na u pakësuan edhe më shumë, ngaqë ushtria naziste po humbiste në të gjitha frontet. I vetmi vakt i ngrohtë që na jepnin ishte pak supë. Çdo mëngjes vinin punëtorë nga kampi kryesor i Mathauzenit. Shpesh rojat i rrihnin deri në vdekje të burgosurit që s’kishin fuqi të punonin. Më pas, disa të burgosur të tjerë i hidhnin kufomat në një karrocë dhe i çonin në kremator.

Edhe pse në mjerim, kishim shpresa se lufta do të mbaronte shpejt. Më 5 maj 1945, katër muaj pas bombardimit që përshkrova në fillim, u zgjova mes një kaosi të madh dhe vrapova në oborr. Rojat kishin ikur, armët ishin mbledhur kapicë dhe dyert ishin fare të hapura. Përmes fushës arrinim të shihnim kampin tjetër. Të burgosurit e liruar po iknin si bletët nga një koshere që kishte marrë flakë. Tani që ishin të lirë, filluan të hakmerreshin mizorisht. E kam ende të gjallë në mendje kasaphanën që ndodhi më pas.

Të burgosurit po hakmerreshin duke rrahur deri në vdekje kapot, të burgosur që kishin bashkëpunuar me rojat e burgut. Shpesh kapot kishin qenë edhe më mizorë se vetë rojat naziste. Pashë një të burgosur që, me një dru në dorë, e rrahu një kapo deri në vdekje duke ulëritur: «Më vrau babanë. Kishim mbijetuar deri tani, por para dy ditësh ky e vrau!» Në mbrëmje fusha ishte plot me kufoma të kapove dhe të burgosurve të tjerë—kishte me qindra. Më vonë, para se të largoheshim, dolëm të shihnim kampin dhe pamë nga afër mjetet e ekzekutimit, sidomos dhomat e gazit dhe furrat.

Mësoj për Perëndinë e vërtetë

Nga fundi i majit 1945 isha në shtëpi. Ndërkohë, prindërit e mi jo vetëm që kishin mësuar emrin e Perëndisë, të cilin unë e kisha dëgjuar në strehim, por edhe ishin bërë Dëshmitarë të Jehovait. Pak pasi isha kthyer, u takova me Ollgën, një vajzë që e donte Perëndinë, dhe një vit më vonë u martuam. Zelli i saj për të vërtetën e Biblës me nxiti të mësoja edhe më shumë për Jehovain. Në një nga asambletë e fundit para se regjimi i ri komunist të ndalonte veprën në vitin 1949, Ollga dhe unë, bashkë me rreth 50 të tjerë, u pagëzuam në lumin Vah në Pieshtani. Me kalimin e kohës, u bëmë me dy vajza, Ollgën dhe Vlastën.

Shpesh na vizitonte Jan Sabini, një Dëshmitar që kishte ndihmuar në riorganizimin e veprës së predikimit pas Luftës II Botërore, me të cilin dilja vazhdimisht në shërbim. E vazhduam predikimin, ndonëse përndjekja nga komunistët po rritej. Flitnim me kujdes me njerëzit për të vërtetat e Biblës dhe shpejt nisëm shumë studime biblike. Kur Jani u largua nga ne, këto studime i vazhdova unë dhe gruaja ime. Më vonë, nëpër asamble, i takonim këta miq të dashur, bashkë me fëmijët dhe nipërit e tyre. Sa na gëzonte kjo!

Një caktim i veçantë

Në vitin 1953 shumë Dëshmitarë që merrnin drejtimin në veprën e predikimit ishin burgosur. Prandaj më kërkuan të ndihmoja në një zonë që ishte rreth 150 km larg shtëpisë. Çdo dy javë, pasi mbaroja punën të shtunën pasdite, i hipja trenit në Nove-Mesto-nad-Vahom për të shkuar në qytezën e Martinit, në Sllovakinë Veriore. Atje u flisja njerëzve për Biblën deri në mbrëmje vonë dhe gjithë ditën e diel. Të dielën në mbrëmje kthehesha përsëri me tren në Nove-Mesto. Zakonisht mbërrija aty nga mesnata dhe gëzoja mikpritjen e një çifti të moshuar, të cilët më mbanin në shtëpinë e tyre deri në mëngjes. Pastaj shkoja drejt e në punë dhe të hënën në darkë kthehesha pranë familjes, në fshatin Krajne. Gjatë këtyre fundjavëve që unë s’isha në shtëpi, Ollga kujdesej për vajzat.

Në vitin 1956 më ftuan të shërbeja si mbikëqyrës qarkor, që do të thoshte të vizitoja kongregacionet e zonës sonë për t’i ndihmuar që të forconin marrëdhënien e tyre me Jehovain. Meqë shumë vëllezër që kishin shërbyer si mbikëqyrës ishin burgosur, e pashë të nevojshme ta pranoja këtë përgjegjësi. Unë dhe ime shoqe ishim të sigurt që Jehovai do të kujdesej për familjen tonë.

Sipas ligjit komunist, të gjithë shtetasit duhej të punonin. Për qeverinë, të papunët konsideroheshin si parazitë dhe burgoseshin. Për këtë arsye, edhe unë e vazhdova punën që kisha. Dy fundjavë në muaj i kaloja me familjen, duke marrë pjesë në aktivitete të krishtere e të tjera, kurse dy fundjavët e tjera vizitoja një nga gjashtë kongregacionet më të afërta të qarkut.

Prodhimi i literaturës nën ndalim

Mbikëqyrësit qarkorë kishin përgjegjësinë të siguroheshin që çdo kongregacion i qarkut të kishte literaturë biblike. Në fillim, revistat kryesisht kopjoheshin me dorë ose me makinë shkrimi. Më vonë, patëm mundësi të merrnim negativët e filmit të Kullës së Rojës dhe t’ua dërgonim kongregacioneve. Pastaj revistat riprodhoheshin në letër fotografike. Të blije sasi të madhe letre mund të ngjallte dyshime, prandaj ata që merreshin me blerjen duhej të ishin guximtarë e të matur.

Shtefan Huçko e mori me shumë pasion këtë punë dhe ia mori dorën më së miri. Sa për ta ilustruar: një herë Shtefani u kthye që të blinte letër fotografike te një dyqan fotografish në një qytet larg shtëpisë së tij. Por nuk gjeti dhe ishte gati të kthehej. Mirëpo pastaj pa një shitëse tjetër që ishte treguar dashamirëse dhe i kishte premtuar se do të porosiste një sasi letre për të. Kur Shtefani ishte gati për t’i folur, i zunë sytë një polic që po hynte në dyqan. Në çast shitësja e pa Shtefanin dhe i thirri gjithë gëzim: «Zotëri! Qenke me fat. Na ka ardhur porosia e letrës fotografike që të duhej.»

Shtefani u mendua shpejt e shpejt, dhe ia ktheu: «Më vjen keq, zonjë, por më duket se po më ngatërroni me dikë tjetër. Unë desha të blija vetëm një film.»

Pasi u kthye në makinë, Shtefanit s’ia bënte zemra të largohej pa marrë atë sasi të çmuar letre fotografike. Kështu që hoqi pallton dhe kapelën, u përpoq të ndryshonte disi pamjen e jashtme, u fut prapë në dyqan dhe iu drejtua shitëses: «Erdha këtu para një jave dhe më premtuat që do të porositnit një sasi letre fotografike për mua. Mos iu ka ardhur gjë?»

«Ah po, na ka ardhur,—u përgjigj ajo.—A e dini, zotëri, pak minuta më parë erdhi një burrë që ngjante tamam si ty. E pabesueshme, sikur të ishit binjakë!» Shtefani mori me të shpejtë sasinë e letrës dhe u largua, duke falënderuar Jehovain që e kishte siguruar.

Gjatë viteve 80, nisëm të përdornim shaptilografë dhe shtypshkronja të vogla ofset për të prodhuar literaturë biblike në bodrume dhe vende të tjera të fshehta. Me kalimin e kohës, sasia e kopjeve për çdo numër të revistave, si dhe për librat e broshurat që prodhonim, e arriti dhe madje e tejkaloi numrin e Dëshmitarëve.

Vizita të padëshirueshme

Një ditë, gjatë viteve 60, më thanë të paraqitesha në zyrën ushtarake të ndërmarrjes ku punoja. Tre burra të veshur civilë më morën në pyetje: «Sa kohë ke që njihesh me Dëshmitarët e Jehovait? Dhe me kë takohesh?» Nuk iu dhashë ndonjë hollësi, prandaj më thanë se do të shiheshim prapë. Ky ishte takimi im i parë me Sigurimin e Shtetit, policinë sekrete.

S’kaloi shumë kohë dhe më morën nga vendi i punës në rajonin e policisë. Më vunë përpara një letër të bardhë dhe më kërkuan të shkruaja emrat e Dëshmitarëve të tjerë. Kur u kthyen pas nja një ore, letra ishte ende e bardhë dhe u shpjegova se s’mund t’ju jepja asnjë emër. Një javë më pas u përsërit e njëjta gjë. Por tani më rrahën dhe teksa ikja, më morën me shkelma gjatë gjithë korridorit.

Pas kësaj, më lanë rehat për nja një vit. Pastaj policia më dërgoi dikë që kishte qenë i burgosur bashkë me mua në kampin e përqendrimit nazist. Ai më tha: «Duhet të ndryshojmë metodë me ju. Futim në burg një Dëshmitar dhe na dilni pesë.» Qeveria donte që, të paktën, të kishte në njëfarë mase nën kontroll veprën tonë. Megjithatë, isha i vendosur të mos u jepja asnjë informacion që do t’ua bënte të mundur këtë.

Për shumë vjet isha një nga ata që kishin takime të tilla të herëpashershme me Sigurimin. Disa herë silleshin si miq, por herë të tjera një nga ne e futnin në burg. Mua s’më burgosën asnjëherë, por ato takime të padëshirueshme me policinë zgjatën deri në vitin 1989, kur komunizmi u shemb në Çekosllovaki.

Pak javë pas rënies së komunizmit, një zyrtar i lartë i Sigurimit të Shtetit në Bratislavë erdhi të më vizitonte. Ai më kërkoi të falur: «Sikur të varej nga unë, s’do t’ju kishim rënë kurrë në qafë.» Pastaj nxori nga makina dy çanta me komposto dhe m’i dhuroi.

Jehovai​—Një kullë e fortë

Ndonëse 40 vitet e mia të para si Dëshmitar i Jehovait i kalova duke shërbyer në ndalim, kam pasur një jetë të lumtur e shpërblyese. Gjërat që përjetuam në ato vite, i lidhën ngushtë me njëri-tjetrin vëllezërit tanë besnikë. Mësuam ta çmonim miqësinë tonë dhe t’i besonim njëri-tjetrit.

Në mars të 2003-shit pësova humbjen e dhembshme të gruas sime të dashur, Ollgës. Ajo ishte një shoqe besnike gjatë gjithë martesës sonë. Së bashku bëmë shumë në shërbimin e krishterë në tërë ato vite. Tani, vazhdoj të shërbej si plak në kongregacionin tonë dhe të kërkoj ata që janë të interesuar për të mësuar të vërtetën biblike. Emri Jehova, të cilin e dëgjova për herë të parë në një strehim gjatë Luftës II Botërore, është akoma një kullë e fortë për mua. *Proverbat 18:10.

[Shënimi]

^ par. 33 Vëllai Pavol Kovar vdiq më 4 korrik 2007, ndërsa ky artikull po përgatitej. Ai ishte 85 vjeç.

[Figura në faqen 12]

Në vitin 1942 kur isha në ushtrinë sllovake

[Figura në faqen 12]

Më vonë u burgosa në Guzen (në sfond)

[Burimi]

© ČTK

[Figura në faqen 12]

Babai na lexonte Biblën të dielave në mëngjes

[Figura në faqen 13]

Dita e dasmës më 1946

[Figura në faqen 15]

Me Ollgën pak para se të vdiste