Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Kur të mos ketë më sëmundje! (janar 2007) Kur thoni se disa njerëz «shpërdorojnë paratë dhe kohën për trajtime dhe ilaçe që nuk bëjnë efekt, e madje janë të dëmshme» me sa duket e keni fjalën për metodat e mjekësisë alternative, pasi artikulli vinte në pikëpyetje se sa të efektshme dhe të sigurta janë disa nga këto metoda. A do të thotë kjo se Zgjohuni! përkrah mjekësinë tradicionale si më të sigurt e më të efektshme? Sipas Agjencisë së Përgjithshme të Kontrollit Financiar të SHBA-së, ka shumë prova që të bëjnë të besosh se kjo mjekësi nuk është më e sigurt se ajo alternative.

G. K., Shtetet e Bashkuara

«Zgjohuni!» përgjigjet: Shumë metoda që përdoreshin gjerësisht e që dikur konsideroheshin të sigurta dhe të efektshme, më vonë është provuar se nuk janë të sigurta. Kjo ka ndodhur si në mjekësinë tradicionale, ashtu edhe në atë alternative. Rruga e mençur është të informoheni sa duhet për dobitë dhe rreziqet e mundshme të trajtimit që mendoni të merrni, qoftë ky tradicional ose alternativ, si dhe të siguroheni që nuk bie ndesh me parimet biblike. Në këto raste gjithsecili i merr vetë vendimet. Siç kemi thënë shumë herë, «Zgjohuni!» nuk përkrah ndonjë trajtim të veçantë. Të krishterët nuk i gjykojnë dhe as i kritikojnë zgjedhjet që bëjnë të tjerët për sa i përket shëndetit. Siç tregonin artikujt, në fund të fundit, as mjekësia moderne dhe as ajo alternative nuk i shërojnë dot të gjitha sëmundjet e njerëzve. Vetëm Mbretëria e Perëndisë do të sjellë një kohë kur sëmundjet nuk do të jenë më.​—Zbulesa 21:3, 4.

Do t’i ‘ngjit të përpjetat si një dre’ (gusht 2006) Durimi dhe përulësia e Françesko Abatemarkos më futën në mendime. Ai jo vetëm që u përpoq ta mposhtte problemin e tij fizik, me qëllim që t’i shërbente Jehovait, por edhe bëri çmos të mposhtte mendimet pesimiste. Përvoja e tij më ndihmoi të mbaja parasysh se pavarësisht nga rrethanat që hasim, mund t’i shërbejmë Jehovait duke bërë maksimumin brenda mundësive tona. Gjithashtu kjo përvojë më inkurajoi, ngaqë pashë se si e ndihmoi zbatimi i Fjalës së Perëndisë të bënte ndryshime rrënjësore në jetë.

N. G., Kamboxhia

Françeskoja kishte shumë pengesa për të kapërcyer. Megjithatë, kur njohu të vërtetën, i përballoi ato me zell dhe optimizëm. Ai është një shembull i shkëlqyer vendosmërie. Shpresoj që historia e tij të inkurajojë edhe të tjerë, siç më inkurajoi mua.

M. D., Afrika e Jugut

Ky artikull më pëlqeu jashtë mase. Do të doja t’ia thosha personalisht Françeskos se sa më inkurajoi ky artikull që të përpiqem të bëj edhe më shumë në shërbim të Jehovait.

Xh. B., Shtetet e Bashkuara

Faleminderit Françesko për shembullin e shkëlqyer të zellit dhe qëndrueshmërisë. Jam e sigurt se në botën e re do të hidhesh si një dre. Kurrë mos harro se ke vëllezër dhe motra që të duan vërtet e që luten për ty.

S. G., Rusi