Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse të shkoni te dentisti?

Pse të shkoni te dentisti?

Pse të shkoni te dentisti?

PARA se të niste stomatologjia moderne, në përgjithësi njerëzit vuanin nga dhëmbët dhe u binin që në moshë të re. Shumë veta shëmtoheshin ngaqë i kishin dhëmbët të nxirë, të shtrembër ose ngaqë u binin. Të moshuarit që kishin mbetur pa dhëmbë, vuanin nga kequshqyerja dhe vdisnin shpejt ngaqë nuk e përtypnin dot ushqimin. Sot shumica e atyre që mjekohen te dentisti, mund të shpëtojnë nga dhembja e dhëmbëve, mund t’i kenë dhëmbët gjithë jetën e të kenë një buzëqeshje të këndshme. Si arriti t’i realizojë stomatologjia moderne këto tri gjëra kaq të rëndësishme?

Stomatologjia parandaluese, që e vë theksin te informimi dhe kontrollet e rregullta, ka qenë një faktor kyç për të parandaluar dhembjen dhe rënien e dhëmbëve. Jezui tha: «Njerëzit e shëndetshëm nuk kanë nevojë për mjek.» (Luka 5:31) Prandaj, disa kanë përfituar kaq shumë nga edukimi rreth higjienës së gojës, saqë rrallë u duhet të shkojnë te dentisti. * Megjithatë, shumë veta nuk shkojnë te dentisti. Disa thjesht e lënë pas dore. Të tjerë ngurrojnë ngaqë kushton. Kurse të tjerë kanë frikë. Sido që të jetë në rastin tuaj, ia vlen të pyesni: si mund të më ndihmojë dentisti? A ia vlen vizita te dentisti? Për të kuptuar rëndësinë e stomatologjisë parandaluese, kemi nevojë të kuptojmë se çfarë përpiqen të parandalojnë dentistët.

Si dëmtohen dhëmbët?

Dentisti mund t’ju ndihmojë të parandaloni vuajtjen që kalon kur ke dhembje dhëmbësh dhe heqjen e tyre. Me bashkëpunimin tuaj, dentistët përpiqen të luftojnë pasojat e pllakëzave bakterore, që janë një shtresë e butë bakteresh që ngjiten te dhëmbët. Mbeturinat e ushqimit janë një terren i shkëlqyer për shumimin e baktereve. Ato e kthejnë sheqerin në acide që sulmojnë smaltin e dhëmbit duke e bërë poroz. Me kalimin e kohës, pjesa poroze e dhëmbit bie dhe formohet një zgavër ose kavitet, atëherë fillon prishja e dhëmbit ose kariesi. Në këtë fazë, nuk ndieni ndonjë shqetësim, por kur prishja e dhëmbit arrin në pjesën qendrore ose te pulpa, mund t’ju fillojë një dhembje e fortë.

Bakteret që krijojnë pllakat mund t’ju mundojnë edhe në një mënyrë tjetër. Nëse pllakat nuk pastrohen me kujdes me furçë, forcohen dhe krijojnë një shtresë të ngurtë ose gurëzat. Gurëzat mund ta mahisin mishin e dhëmbëve dhe bëjnë që ai të shkëputet nga dhëmbi. Kjo çon në krijimin e një «xhepi» midis dhëmbit dhe mishit, ku mbeturinat e ushqimit krijojnë terren për bakteret që mund të infektojnë mishrat e dhëmbëve. Dentisti mund t’ju ndihmojë ta parandaloni këtë, por në rast se ju e lini pas dore, indi përreth dhëmbëve mund të dëmtohet kaq shumë, saqë dhëmbët mund të bien. Njerëzit më shpesh i humbasin dhëmbët për këtë arsye, sesa nga prishja.

Pështyma është njëfarë mbrojtjeje nga ky sulm i dyfishtë i baktereve. Qoftë nëse hani një vakt, qoftë një biskotë të vetme, pështymës i duhen 15 deri në 45 minuta për të pastruar mbeturinat e ushqimit dhe për të neutralizuar acidin në pllakat bakterore të dhëmbëve. Koha varet nga sasia e sheqerit ose nga mbeturinat e ushqimit që janë ngjitur te dhëmbët. Me sa duket, pikërisht gjatë këtyre minutave dëmtohen dhëmbët. Pra, dëmi që i bëhet dhëmbit mund të mos varet nga sasia e sheqerit që hani, por nga sa shpesh hani ushqim ose ëmbëlsira. Meqë pështyma sekretohet me pakicë gjatë natës, një nga gjërat më shkatërruese që mund t’u bëni dhëmbëve është të hani ose të pini gjëra të ëmbla para gjumit dhe të mos i lani dhëmbët më pas. Nga ana tjetër, thuhet se përtypja e çamçakëzit pa sheqer pas ngrënies shton sekretimin e pështymës dhe ndihmon në mbrojtjen e dhëmbëve.

Stomatologjia parandaluese

Dentistët këshillojnë që në varësi të gjendjes së dhëmbëve, të bëni kontrolle të rregullta një ose dy herë në vit. Gjatë kontrollit, ka të ngjarë që dentisti t’ju bëjë radiografi dhe të kontrollojë me kujdes nëse ka karies. Duke përdorur mpirjen lokale dhe freza me shpejtësi të madhe, ai mund të mbushë çdo zgavër pa ju shkaktuar dhembje. Për ata që kanë shumë frikë, disa dentistë tani përdorin aparatin lazer ose xhelin që tret pjesën e prishur. Me këto metoda pakësohet e madje eliminohet përdorimi i frezës dhe mpirja lokale. Te fëmijët, dentistët tregojnë vëmendje të veçantë, për të parë nëse dhëmballët që sapo kanë dalë, kanë në sipërfaqen përtypëse ndonjë plasë ose brazdë që është e vështirë të pastrohet me furçë. Dentisti mund të këshillojë që këto brazda të mbushen me një material të veçantë, i cili bën që sipërfaqja e dhëmbit të jetë e lëmuar dhe të pastrohet lehtë, duke e mbrojtur nga prishja.

Kur bëhet fjalë për të rriturit, shqetësimi kryesor i dentistëve është parandalimi i sëmundjes së mishrave të dhëmbëve. Pra, në qoftë se dentisti gjen ndonjë pjesë me gurëza, ai do ta gërryejë. Kur lajnë dhëmbët, shumica e njerëzve zakonisht i lënë pa pastruar disa zona, pra dentisti mund t’ju thotë se si të përmirësoni në këtë drejtim. Për këto dy gjëra të rëndësishme, disa dentistë i çojnë pacientët e tyre te ndonjë specialist i higjienës së gojës.

Rregullimi i dhëmbëve

Nëse keni dhëmbë të dëmtuar, të shtrembër ose ju ka rënë ndonjë, do t’ju kënaqë fakti që dentistët kanë shumë teknika të reja për t’i rregulluar. Megjithatë, këto trajtime kushtojnë, pra duhet të keni kujdes se mos shpenzoni më shumë nga ç’jua mban xhepi. Gjithsesi, shumë veta mendojnë se këto trajtime ia vlejnë. Ndoshta dentisti mund t’ju përmirësojë aftësinë për të përtypur. Ose mund t’jua bëjë më të këndshme buzëqeshjen, diçka që nuk është pa rëndësi, pasi dhëmbët me probleme mund të ndikojnë në cilësinë e jetës suaj.

Për dhëmbët e parë që mund të jenë të thyer ose të nxirë, dentisti mund t’ju këshillojë një veshje, ndoshta prej porcelani gjysmë të tejdukshëm që ngjason shumë me smaltin e dhëmbëve. Kjo veshje ngjitet me sipërfaqen e dhëmbit të dëmtuar, duke i dhënë formë dhe pamje të re. Për dhëmbët që janë dëmtuar më rëndë, dentisti mund t’ju këshillojë një këllëf që shpesh quhet kurorë. Kjo mbulon krejt pjesën e mbetur nga dhëmbi dhe e vesh atë plotësisht me një shtresë të re prej floriri ose me ndonjë material me pamje sa më natyrale.

Ç’mund të bëjë dentisti për dhëmbët që keni hequr ose që ju kanë rënë? Ai mund t’ju bëjë një protezë të pjesshme që mund të hiqet e të vihet ose një urë që fiksohet dhe vesh me këllëf dhëmbët anash vendit bosh, duke mbajtur një ose më shumë dhëmbë artificialë. Një metodë tjetër që po përhapet, është mbjellja e dhëmbëve. Dentisti vë një kunj ose vidë prej titani në kockën e nofullës, aty ku ishte dhëmbi, dhe kur kocka dhe mishi kthehen në pozicionin e dikurshëm, ai vendos një dhëmb artificial te vida. Është thuajse si të kesh dhëmbin tënd.

Dhëmbët e shtrembër mund t’ju vënë në siklet dhe mezi lahen, duke u bërë kështu të prirur për t’u sëmurur. Nëse dhëmbët nuk puthiten mirë kur kafshoni, mund t’ju shkaktojnë dhembje e t’jua vështirësojnë përtypjen. Lumturisht, dentistët në përgjithësi mund t’i korrigjojnë këto probleme duke përdorur një aparat për drejtimin e dhëmbëve. Modelet e përparuara të kohëve të fundit bien më pak në sy dhe nuk kanë nevojë t’i shtrëngosh shpesh.

Disa dentistë po i kushtojnë gjithnjë e më shumë kujdes trajtimit të erës së keqe të gojës. Shumicës së njerëzve u vjen erë goja me raste, kurse disave gjithmonë. Kjo mund të ketë disa shkaqe. Disa dentistë janë të përgatitur që të përcaktojnë shkakun. Në shumë raste shkaku janë bakteret që shpesh ndodhen thellë në gjuhë. Në këtë rast mund të ndihmojë larja me furçë ose gërryerja e gjuhës, si edhe shtimi i pështymës duke përtypur çamçakëz pa sheqer. Është shumë e rëndësishme të pastroni gojën pasi hani produkte të qumështit, mish ose peshk.

Si ta mposhtni frikën

Në qoftë se keni shumë frikë të shkoni te dentisti, ai do t’ju ndihmojë me kënaqësi ta mposhtni frikën. Pra, thuajini si ndiheni. Merruni vesh që nëse keni dhembje ose frikë gjatë mjekimit, t’i bëni shenjë me dorë. Shumë pacientë kanë parë se kjo u jep siguri.

Mbase keni frikë se dentisti do t’ju qortojë. Ndoshta keni merak mos ju kritikon se nuk kujdeseni për dhëmbët. Sidoqoftë, meqë komente të tilla do t’ua largonin pacientët dentistëve, nuk keni arsye për të pasur frikë. Shumicës së dentistëve u intereson t’u flasin me ëmbëlsi pacientëve.

Shumë veta nuk shkojnë te dentisti se kanë frikë për shpenzimet. Por nëse keni mundësi të bëni një kontroll sot, mund të shmangni problemet dhe një trajtim të kushtueshëm nesër. Në shumë vende ka nivele të ndryshme shërbimesh dentare që i përshtaten çdo xhepi. Edhe klinika dentare që ka vetëm pajisjet më të domosdoshme, ka shumë të ngjarë të ketë aparat për radiografi dhe freza me shpejtësi të madhe. Dentistët mund ta kryejnë shumicën e procedurave me fare pak siklete për pacientin. Mpirja lokale kushton pak dhe shumica e njerëzve, qoftë edhe ata me të ardhura të pakta, mund ta përballojnë.

Dentistët përpiqen ta pakësojnë ose ta heqin dhembjen, jo ta shkaktojnë. Rregullimi i dhëmbëve nuk është më ajo përvoja tronditëse që mbase u ka mbetur në mendje gjyshërve tuaj. Meqë dhëmbët e shëndetshëm ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit në tërësi dhe mund t’ju ndihmojnë ta gëzoni më shumë jetën, pse të mos bëni një vizitë te dentisti? Mund të çuditeni kur të mbeteni të kënaqur.

[Shënimi]

^ par. 3 Ky artikull trajton se çfarë mund të bëjë dentisti për pacientin. Për të ditur se çfarë mund të bëni ju për të mbrojtur dhëmbët tuaj, ju lutemi të shihni artikullin «Si ta mbroni buzëqeshjen» në revistën Zgjohuni! të 8 nëntorit 2005.

[Diagrami në faqen 29]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Anatomia e një dhëmbi të shëndetshëm

Kurora

Smalti

Dentina

Pulpa, me nervat dhe enët e gjakut

Rrënja

Mishi i dhëmbit

Kocka

[Diagrami në faqen 29]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Prishja e dhëmbit

Zgavër

Mbushja nuk e lë zgavrën të zmadhohet

[Diagrami në faqen 29]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Sëmundja e mishit të dhëmbëve

Pllakëzat duhen pastruar me furçë ose me fill dentar

Gurëzat mezi hiqen dhe bëjnë që mishi i dhëmbëve të tërhiqet

Mishi i dhëmbëve i shkëputur nga dhëmbi

[Diagrami në faqen 30]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Rregullimi i dhëmbit

Veshja ngjitet te dhëmbi

Këllëf

Mbjellje dhëmbi

Ura e fiksuar vesh me këllëf dhëmbët anash vendit bosh dhe mban një dhëmb artificial