Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një shkëmb madhështor

Një shkëmb madhështor

Një shkëmb madhështor

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KANADA

PËR shekuj me radhë peshkatarët dhe marinarët e kanë përdorur si një pikë referimi të pagabueshme. Poetët, shkrimtarët dhe artistët e kanë përjetësuar në krijimet e tyre. Në një enciklopedi, ky bllok shkëmbor përshkruhet si «misterioz dhe magjepsës». Në skajin lindor të gadishullit të Gaspesë, në gjirin e Sent-Lorencit, mbi ujërat e kaltra vezulluese të oqeanit Atlantik, ngrihet hijerëndë shkëmbi Perse. Ai është rreth 433 metra i gjatë, afro 90 metra i gjerë dhe më shumë se 88 metra i lartë.

Dikur, vendësit e guximshëm ngjiteshin në shpatin shkëmbor dhe mblidhnin vezë nga çerdhet e zogjve. Megjithatë, për të ruajtur shkëmbin dhe zogjtë që kërkojnë strehë aty, në vitin 1985, qeveria e Kuebekut i shpalli shkëmbin Perse dhe ishullin e afërt të Bonaventurës, rezervate për zogj. Ishulli i Bonaventurës është vendstrehim për një koloni të sulave të veriut, e cila për nga madhësia është e dyta në botë.

Disa thonë se shumë kohë më parë, shkëmbi Perse lidhej me kontinentin dhe mund të ketë pasur nja katër harqe. Megjithatë, sot ekziston vetëm një hark, më shumë se 30 metra i gjerë. Ai gjendet në cepin e shkëmbit me drejtim nga deti. Në kohë zbatice, një rrip rëre lidh shkëmbin me tokën. Gjatë një intervali prej katër orësh, vizitorët, të cilëve s’u trembet syri, mund të shkojnë deri te shkëmbi, pastaj të ecin me vështirësi për nja 15 minuta në truallin shkëmbor teksa i lagin dallgët, derisa të arrijnë te harku.

Për ata që i kanë qejf aventurat ka një paralajmërim për të bërë kujdes. Ja se ç’thotë një turist që u kacavar në pllakat e rëna shkëmbore, derisa arriti në pjesën ku fillon harku: «Në çdo pak minuta dëgjon oshtimën e frikshme të copave të shkëmbit që bien në det sikur të jenë bomba të vogla. Disa copa shkëmbi bien mbi njëra-tjetrën dhe dëgjohet një zhurmë si krismë arme.»

Siç mund ta kenë parë edhe shumë vizitorë, shkëmbi Perse ka një bukuri mahnitëse. Gjithsesi është vetëm një pjesëz e peizazheve të panumërta fantastike që dhuron planeti ynë magjepsës. Sa të shumta e të larmishme janë ato! Ndoshta kur kundroni peizazhe të tilla, edhe ju ‘rrini në heshtje e u vini mendjen mrekullive të Perëndisë’.​—Jobi 37:14.

[Burimi i figurës në faqen 23]

© Mike Grandmaison Photography