Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga Egjipti në qytete rreth botës

Nga Egjipti në qytete rreth botës

 Nga Egjipti në qytete rreth botës

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

«ATA kanë ‘udhëtuar’ larg vendit të origjinës dhe janë bërë simbole të prekshme të qytetërimit të madh që i krijoi»,—thuhet në revistën italiane Archeo. Shumica e tyre e lanë Egjiptin kohë më parë dhe u transportuan në vende të tilla, si: Stambolli, Londra, Parisi, Roma dhe Nju-Jorku. Vizitorët në Romë mund të vërejnë se ata stolisin shumë nga sheshet më të famshme të qytetit. Cilët janë ata? Obeliskët.

Shtyllat e gurta katërfaqëshe që quhen obeliskë, vijnë duke u ngushtuar lart dhe përfundojnë me një majë në formë piramide. Obelisku më i vjetër është rreth 4.000-vjeçar. Por edhe obelisku më i ri është gati 2.000-vjeçar.

Obeliskët, që në përgjithësi janë prej graniti të kuq, bëheshin me blloqe guri të cilët egjiptianët e lashtë i nxirrnin duke gërmuar dhe i ngrinin në këmbë përpara varreve dhe tempujve. Disa janë goxha të lartë. Më i madhi që ekziston deri sot e kësaj dite e që gjendet në një shesh të Romës, është 32 metra i lartë dhe peshon rreth 455 tonë. Shumica e obeliskëve janë zbukuruar me hieroglife.

Këto monumente bëheshin për të nderuar Ranë, perëndinë e diellit. Obeliskët ngriheshin për ta falënderuar për mbrojtjen e tij, për fitoret që u jepte sundimtarëve egjiptianë, si edhe për të kërkuar ndihmën dhe pëlqimin e tij. Mendohet se për formën e tyre kanë marrë për bazë formën e piramidave. Ata përfaqësojnë rrezet e diellit që vijnë për të ngrohur tokën e për ta ndriçuar.

Gjithashtu, obeliskët përdoreshin edhe për t’u thurur lavde faraonëve. Në mbishkrimet e tyre, për sovranë të ndryshëm egjiptianë, gjejmë shprehje të tilla, si «i dashur për Ranë» ose «i bukur . . . si Atumi», që ishte perëndia i diellit të muzgut. Në një obelisk thuhet për aftësinë ushtarake të një faraoni: «Fuqia e tij është si fuqia e Montusë [perëndia i luftës], demi që shkel troje të huaja dhe vret rebelët.»

Obeliskët e parë u ngritën në qytetin egjiptian të Junusë (në Bibël quhet Oni). Mendohet se ky emër do të thotë «qyteti i shtyllës», ndoshta ngaqë u referohet vetë obeliskëve. Grekët e quanin Junu Heliopolis, që do të thotë «qyteti i diellit», meqë ishte qendra egjiptiane e adhurimit të diellit. Emri grek Heliopolis korrespondon me emrin hebraik Beth-Shemesh, që do të thotë «shtëpia e diellit».

Libri profetik biblik i Jeremisë flet për copëtimin e ‘shtyllave të Beth-Shemeshit që ndodhet në Egjipt’. Këtu mund të bëhet fjalë për obeliskët e Heliopolisit. Perëndia e dënonte adhurimin e idhujve që përfaqësonin ata.​—Jeremia 43:10-13.

Nxjerrja dhe transportimi

Se si bëheshin obeliskët, e tregon më i madhi prej këtyre monumenteve. Ai gjendet ende i braktisur afër Asuanit, Egjipt, vendi ku është nxjerrë. Pasi gjetën një shtresë shkëmbore të përshtatshme dhe pasi e niveluan, punëtorët hapën hendeqe rreth objektit që do të bëhej obelisk. Ata gërmuan kanale poshtë tij dhe i mbushën me trarë, derisa faqja e poshtme qëndroi vetëm mbi trarë. Pastaj monolitin, që peshonte rreth 1.170 tonë, më i rëndë se çdo bllok tjetër guri që kishin nxjerrë egjiptianët e lashtë, duhej ta tërhiqnin deri në Nil dhe ta transportonin në destinacion me lundër.

Siç rrodhën gjërat, obelisku i Asuanit u braktis kur punëtorët kuptuan se ishte krisur në mënyrë të pariparueshme. Nëse do të kishte përfunduar, do të kishte qenë 42 metra i lartë, me një bazë me sipërfaqe 16 metra katrorë. Se si i ngrinin në këmbë obeliskët, kjo ende nuk dihet.

 Nga Egjipti në Romë

Në vitin 30 p.e.s., Egjipti u bë provincë romake. Perandorë të ndryshëm romakë dëshironin ta zbukuronin kryeqytetin e tyre me monumente të famshme, kështu që çuan në Romë, jo pak, por 50 obeliskë. T’i transportoje ata do të thoshte të ndërtoje anije gjigante të projektuara enkas. Edhe pasi i çuan në Romë, obeliskët përdoreshin për adhurimin e diellit.

Kur ra Perandoria Romake, Romën e plaçkitën. Shumica e obeliskëve u rrëzuan dhe u lanë në harresë. Megjithatë, disa papë u interesuan që t’i ngrinin sërish obeliskët që u nxorën nga rrënojat e qytetit të lashtë. Kisha Katolike e ka pranuar se obeliskët i ishin «kushtuar diellit nga një mbret egjiptian» dhe se dikur «u sillnin një madhështi të rreme tempujve paganë që përbënin një sakrilegj».

Ringritja e obeliskëve të parë gjatë sundimit të papa Sikstit V (1585-1590) u shoqërua me dëbimin e frymërave të liga, me bekime, si edhe me spërkatje me ujë të bekuar e djegie temjani. «Unë po t’i dëboj frymërat e liga,—këndonte një peshkop para një obelisku në Vatikan,—që të mbash kryqin e shenjtë e të çlirohesh nga të gjitha papastërtitë pagane dhe rreziqet e ligësisë shpirtërore.»

Pra, kur turistët shohin me kujdes obeliskët që janë në Romë sot, ka shumë të ngjarë të mendojnë për zotësinë e madhe që u desh për t’i nxjerrë, për t’i transportuar e për t’i ngritur. Gjithashtu mund të habiten që monumentet e përdorura për adhurimin e diellit, zbukurojnë qytetin e papëve—një kombinim ky, vërtet i çuditshëm.

[Figura në faqen 15]

Luksor, Egjipt

[Figura në faqen 15]

Romë

[Figura në faqen 15]

Nju-Jork

[Figura në faqen 15]

Paris