Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Ndenjja gjithë ditën para televizorit, vaktet që nuk hahen më së bashku si familje, madje edhe modelet e [karrocave] nga ku fëmija sheh rrugën dhe jo prindin, po pengojnë komunikimin prind-fëmijë. Një nga pasojat është se kur nuk mund të shprehen, fëmijët që fillojnë shkollën «gjejnë si zgjidhje të shpërthejnë tërë nerva».​—THE INDEPENDENT, BRITANI.

Në Spanjë, 23 për qind e fëmijëve kanë lindur jashtë martese. Në Francë, kjo shifër është 43 për qind; në Danimarkë 45 për qind; dhe në Suedi 55 për qind.​—INSTITUTO DE POLÍTICA FAMILIAR, SPANJË.

Një e treta e britanikëve flenë më pak se pesë orë çdo natë, dhe kjo bën që «mezi të përqendrohen, të kenë probleme me kujtesën [dhe] luhatje të humorit». Gjithashtu, mungesa e gjumit mund të shtojë «rrezikun e dhjamosjes, të diabetit, depresionit, divorcit dhe karambolet e rënda me makinë».​—THE INDEPENDENT, BRITANI.

Dhunë «sa për të kaluar kohën»

«Po shtohen rastet e rrahjeve dhe të poshtërimeve të kryera nga të miturit dhe të regjistruara me kamerat e celularëve të tyre»,—thuhet në gazetën spanjolle El País. Disa viktima nuk e marrin më veten pas rrahjeve të rënda që pësojnë. Përse të rinjtë kryejnë krime të tilla? «Nuk e bëjnë për të vjedhur ose për racizëm, ose ngaqë janë pjesëtarë të ndonjë bande. Ajo që është e re dhe tmerruese në rastin e tyre është se këto i bëjnë sa për të kaluar kohën»,—shpjegon revista XL. Visente Garido, psikolog i specializuar në kriminologji, thotë: «Ndonjëherë janë të dehur e ndonjëherë jo. Megjithatë, e përbashkëta është se nuk i bren ndërgjegjja.»

Pak interes për sëmundjet tropikale

Në fushën e kërkimeve shkencore shumë sëmundje tropikale janë lënë pas dore. Pse? «Realiteti i hidhur është se . . . industria farmaceutike nuk po kërkon [kura të reja]»,—thotë Majkëll Fergusoni, biolog molekular në Universitetin e Dandisë, në Skoci. Kompanitë farmaceutike nuk kanë ndonjë interes financiar për ta bërë këtë, pasi nuk mbulojnë as shpenzimet e investimit të tyre. Këto kompani preferojnë të prodhojnë ilaçe goxha fitimprurëse, të tilla si ilaçet për sëmundjen e Alcajmerit, për dhjamosjen dhe impotencën. Sipas revistës New Scientist, rreth «1 milion veta në botë vdesin çdo vit nga malarja, ndërkohë që ende nuk janë zbuluar kura të mira e të efektshme».

«Konsumatorë» të vegjël

Sipas universitetit La Sapienza në Romë, Itali, edhe fëmijët që janë tre vjeç mund të dallojnë marka të ndryshme në treg, kurse aty nga mosha tetë vjeç bëhen «konsumatorë». Gazeta La Repubblica thotë se reklamat në televizor luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e tyre, duke i kthyer në «diktatorë» të vegjël që u kërkojnë me çdo kusht prindërve t’u blejnë artikuj të caktuar. Gazeta shton se «rreziku» është që fëmijët «të jetojnë dhe të besojnë në një botë joreale, ku çdo gjë që ofrohet (dhe blihet) është e domosdoshme».

Manekine «shtatzënë»

Personeli i kujdesit shëndetësor për gratë shtatzëna, tradicionalisht është ushtruar me paciente të vërteta. Por sipas një artikulli të agjencisë Associated Press një «robot që imiton lindjen» dhe që quhet Noela, «po përdoret gjithnjë e më shumë». Manekinja «shtatzënë» mund të programohet që të ketë puls të vërtetë dhe zgjerim të qafës së mitrës. Nëpërmjet saj mund të simulohen një sërë komplikacionesh, lindje pak a shumë të shpejta ose lindje të vështira. «Bebja» që lind Noela mund të jetë e shëndetshme e të ketë ngjyrë rozë ose mavi, që tregon mungesën e oksigjenit dhe se është në rrezik vdekjeje. Po përse përdorin një manekine për t’u stërvitur? «Më mirë të bësh një gabim te një robot që kushton 20.000 dollarë, sesa te një paciente e vërtetë»,—shpjegohet në artikull.