Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jetojnë pranë një gjiganti që fle

Jetojnë pranë një gjiganti që fle

Jetojnë pranë një gjiganti që fle

Vullkanet kanë qenë gjithnjë një mister. Ato mund të flenë të qeta për shekuj me radhë, dhe pastaj, një ditë të bukur të zgjohen në mënyrë spektakolare, por edhe vdekjeprurëse. Brenda pak minutash, një shpërthim vullkanik mund të rrënojë një zonë të tërë e të shkatërrojë shumë jetë.

ASKUSH nuk e vë në dyshim se vullkanet janë të rrezikshme. Vetëm gjatë tre shekujve të kaluar ato kanë marrë qindra mijë jetë njerëzish. Sigurisht, shumica prej nesh jetojnë larg rrezikut të këtyre gjigantëve të fjetur, por ka me miliona banorë në botë që banojnë pranë vullkaneve aktive. Për shembull, Kuito, kryeqyteti i Ekuadorit, është afër Piçinçës, një vullkani që gjendet në veriperëndim të qytetit. Mali Popokatepetël, që në gjuhën e actekëve do të thotë «Mali që lëshon tym», është rreth 60 kilometra larg qytetit të Meksikos. Qyteti i madh i Oklendit, në Zelandën e Re dhe Napoli, në Itali, ndodhen mbi vullkane ose rrëzë tyre. Janë miliona njerëz që jetojnë me rrezikun se forcat e tokës nën këmbët e tyre mund të gjëmojnë furishëm e ta zgjojnë gjigantin që fle.

Një gjigant i rrezikshëm

Banorët e Napolit kanë 3.000 vjet që bashkëjetojnë me malin Vezuv. Ky mal ndodhet vetëm 11 km larg Napolit. Në të vërtetë, ai është një kon brenda kraterit të malit të lashtë Soma. Vezuvi renditet ndër vullkanet më të rrezikshme në tokë. Meqë baza e tij gjendet nën nivelin e detit, mali është shumë më i madh nga ç’duket.

Mali Vezuv ka një histori të gjatë aktiviteti vullkanik. Ai ka shpërthyer më shumë se 50 herë që nga shpërthimi i famshëm i vitit 79 të e.s., i cili shkatërroi qytetet e Pompeit dhe të Herkulanit. Rreth 4.000 veta vdiqën gjatë një shpërthimi shkatërrimtar në vitin 1631. Asokohe nisi të përdorej fjala lavë. Kjo vjen nga fjala në latinisht labi që do të thotë «të rrëshqasësh». Ajo i përshkruan mirë përrenjtë e lavës që rrjedhin teposhtë shpateve të thepisura të Vezuvit.

Gjatë shekujve Vezuvi ka vazhduar të ziejë. Ai shpërtheu në vitin 1944 gjatë Luftës së II Botërore, duke i përshëndetur trupat aleate me re hiri. Qytetet e Masës dhe të San-Sebastianos u mbuluan me hi e po kështu edhe teleferiku i famshëm që është bërë i njohur nëpërmjet këngës popullore italiane «Funikuli, funikula».

Sot, banorët e Napolit merren me punët e jetës së përditshme, dhe sikur nuk e vrasin mendjen për rrezikun që kanë te pragu. Turistët mrekullohen me veprat historike dhe arkitekturore. Dyqanet dhe lokalet gumëzhijnë, kurse ujërat e gjirit të Napolit duken si të spërkatura me velat e bardha të varkave. Vezuvi ende bën për vete shumë njerëz dhe shihet më shumë si një mik i dashur, sesa si një gjigant i rrezikshëm që fle.

Oklendi—Qytet vullkanesh

Anembanë qytetit-port të Oklendit në Zelandën e Re ngrihen kratere vullkanike. Më shumë se një milionë banorët e këtij qyteti jetojnë mes 48 vullkaneve të vogla. Dy ultësira të lashta me origjinë vullkanike krijojnë dy limane, ku të vetmet mbetje të aktivitetit vullkanik janë ishujt. Ishulli që bie më shumë në sy është Rangitoto 600-vjeçar që ngrihet nga uji me të njëjtat konture simetrike si Vezuvi. Kur lindi ishulli, fshati i afërt i Maorit u mbulua me hi.

Banorët e Oklendit kanë mësuar të jetojnë me vullkanet. Koni vullkanik i quajtur Maungakiki, që gjendet në mes të qytetit, sot është një park publik dhe shërben si fermë delesh. Disa vullkane tani janë liqene, parqe dhe fusha sporti. Njëri është varrezë. Shumë banorë vendosin të jetojnë në shpatet vullkanike për të shijuar panoramat.

Kur zona e Oklendit nisi të banohej, në fillim nga maorët dhe pastaj, 180 vjet më parë, nga evropianët, ka shumë të ngjarë që njerëzit të mos e kenë vrarë mendjen për shpërthimet vullkanike të së kaluarës. Përkundrazi, banorët u mjaftuan me faktin që vendi ishte i lirë, ishte afër detit dhe toka ishte pjellore. Pjelloria është karakteristikë edhe për tokat vullkanike në pjesë të tjera të botës. Për shembull, në Indonezi, disa nga rajonet më të mira për kultivimin e orizit janë afër vullkaneve aktive. Në zonat më të mira bujqësore në perëndim të Shteteve të Bashkuara, toka është kryesisht me origjinë vullkanike. Kur krijohen kushtet e favorshme pas ndonjë shpërthimi, pa kaluar viti, në tokat e mbuluara nga lava mund të lulëzojë bimësia.

Sistemet e paralajmërimeve të hershme

Shumë mund të pyesin: ‘A nuk është e rrezikshme të jetosh pranë vullkaneve?’ Natyrisht që po. Por shkencëtarët janë në gjendje të vrojtojnë me kujdes aktivitetin e tërmeteve dhe të vullkaneve. Për shembull, Instituti i Studimeve Gjeologjike të Shteteve të Bashkuara vrojton vullkanet aktive anembanë botës. Këtu përfshihen edhe vullkanet e Napolit dhe të Oklendit, për të cilat ekzistojnë edhe plane për ndonjë rast urgjent shpërthimi. Duke shfrytëzuar sistemet satelitore 24-orëshe të përcaktimit të vendndodhjes në glob dhe rrjetet sizmometrike, shkencëtarët mund të diktojnë lëvizjet e nëndheshme të magmës.

Vezuvi është nën vëzhgim të vazhdueshëm. Duke qenë tejet të kujdesshme, autoritetet italiane kanë hartuar plane në rast urgjence për të përballuar ndonjë shpërthim me përmasa si ato të vitit 1631. Specialistët thonë se ata që jetojnë në zonën e rrezikuar mund të paralajmërohen dhe të ikin përpara se të ndodhë shpërthimi.

Oklendi ndodhet në atë që shkencëtarët e quajnë fushë vullkanike monogjenetike. Kjo do të thotë që nuk kemi të bëjmë me një vullkan ekzistues që mund të shpërthejë, por me një vullkan krejtësisht të ri që mund të krijohet në një vend tjetër. Specialistët thonë se kjo do të ndodhte vetëm nëse do të binin tërmete gjatë një periudhe që zgjat nga disa ditë deri në disa javë. Një paralajmërim kaq i hershëm duhet t’u japë kohë njerëzve të strehohen në një zonë jashtë rrezikut.

Mbajnë parasysh rrezikun

Megjithëse vrojtimi i vullkaneve është një detyrë jetësore, ai nuk ka vlerë, nëse nuk u vihet veshi paralajmërimeve. Në vitin 1985, autoritetet e Armeros në Kolumbi u paralajmëruan se pritej një shpërthim i Nevado-del-Ruisit. Ndonëse gjëmimi i malit dëgjohej gati 50 km larg, duke dhënë kështu një paralajmërim të qartë, njerëzve në qytet u thuhej të rrinin të qetë. Më shumë se 21.000 veta vdiqën nga përrenjtë e baltës që përpinë qytetin.

Edhe pse katastrofa si kjo janë të rralla, intervalet e qeta ndërmjet shpërthimeve janë shfrytëzuar për kërkime dhe përgatitje të mëtejshme. Prandaj, vrojtimi i vazhdueshëm, përgatitja e duhur dhe ndërgjegjësimi i njerëzve mund të ndihmojë në zvogëlimin e rrezikut që u kanoset atyre që jetojnë pranë një gjiganti që fle.

[Kutia dhe figura në faqen 16]

JINI GATI!

A jeni gati po të ndodhë një katastrofë natyrore? Informohuni për rreziqet në zonën tuaj. Planifikoni që më përpara se ku do të takoheni nëse pjesëtarët e familjes ndahen dhe kë do të njoftoni për vendndodhjen tuaj. Mbani gjithmonë gati gjërat e nevojshme në rast urgjence. Këtu përfshini ushqime, ujë, një kuti të ndihmës së shpejtë, veshjet më të domosdoshme, radio, elektrik kundra ujit dhe bateri rezervë. Mbani një rezervë të mjaftueshme që t’ju dalë për disa ditë.

[Figura në faqen 15]

Vizitorë që po ecin pranë kraterit kryesor të Vezuvit

[Burimi]

©Danilo Donadoni/​Marka/​age fotostock

[Figura në faqen 15]

Napoli, Itali, përballë malit Vezuv

[Burimi]

© Tom Pfeiffer

[Figura në faqen 15]

Ja si e imagjinon një artist shpërthimin e madh të vitit 79 të e.s. që shkatërroi qytetet e Pompeit dhe të Herkulanit

[Burimi]

© North Wind Picture Archives

[Figura në faqen 16]

Rangitoto, një nga ishujt e shumtë vullkanikë të Oklendit

[Figurat në faqet 16, 17]

Sipër dhe djathtas: Mali Popokatepetël, Meksikë

[Burimet]

AFP/​Getty Images

Jorge Silva/​AFP/​Getty Images

[Burimi i figurës në faqen 14]

USGS, Observatori i vullkaneve në malet Kaskade