Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të paralajmëruar nga Zgjohuni!

Të paralajmëruar nga Zgjohuni!

Të paralajmëruar nga Zgjohuni!

LEXUESIT e rregullt të Zgjohuni! e çmojnë vlerën e artikujve të saj. Por për një çift nga Gjermania, që dhjetorin e kaluar ishte me pushime në Kau Lak, Tajlandë, artikulli me temë «Dallgë vrasëse​—Mitologji dhe realitet» e 8 shkurtit 2001 (anglisht), pati vlerë të jashtëzakonshme.

Gazeta gjermane Frankenpost (Selber Tagblatt) tregonte përvojën e këtij çifti: «Rosvita Gezeli kujton se pasi kishin qenë në det duke notuar, dolën dhe u kthyen në hotel që të ndërroheshin. Reiner Gezeli përshkruan skenën e frikshme që panë kur u kthyen përsëri në plazh: ‘Kur u kthyem në plazh pas dhjetë minutash, deti nuk ishte më.’ Përveç shkëmbinjve, që ishin gati shtatë kilometra larg bregut, e vetmja gjë që të zinin sytë, ishte shtrati i detit. ‘Të gjithë ata që kishin qenë ende duke u larë, i kishte marrë deti.’ Çifti Gezeli ia jep meritën për shpëtimin e tyre një artikulli të revistës Zgjohuni!» Ky artikull shpjegonte se tsunamet shpesh paraprihen nga një tërheqje jo e zakonshme e detit.

«Kur e panë nga larg dallgën gjigante, ata u kthyen mbrapsht dhe nisën të vraponin. Reiner Gezeli kujton se muri i ujit mund të arrinte nga 12 deri 15 metra i lartë. Një nga gjërat më të tmerrshme që i kujtohet, ishin turistët që s’bënin asnjë lëvizje, vetëm shihnin të mahnitur detin. ‘Ata nuk lëvizën fare nga vendi. U bërtita duke u thënë se duhet të vraponin që të shpëtonin, por askush nuk reagoi.’ Asnjë nuk mbeti gjallë.»

Duke folur për çiftin Gezel, artikulli i gazetës komentonte: «Meqenëse ishin Dëshmitarë të Jehovait, gjatë pushimeve ata u shoqëruan me kongregacionin më të afërt, që ishte 140 kilometra larg nga Kua Laki. Kur shokët e tyre të të njëjtit besim dëgjuan për katastrofën, u ngritën të gjithë si kongregacion dhe shkuan në Kua Laki për t’i kërkuar.»

Ky çift, që tani është shëndoshë e mirë në Gjermani, e çmon jashtë mase informacionin e vlefshëm që gjendej në Zgjohuni! Gjithashtu, u janë shumë mirënjohës banorëve tajlandezë që i ndihmuan, e sidomos vëllezërve të tyre besimtarë, të cilët treguan dashurinë e sinqertë të krishterë!