Një çift i pazakontë
Një çift i pazakontë
Kohët e fundit, shkencëtarët e botës nënujore, duke u zhytur natën në ujërat e thella të Barrierës ose të Kreshtës së Madhe Koralore të Australisë, ndeshën për herë të parë një oktapod të gjallë mashkull, të llojit të veçantë Tremoctopus violaceus. Çfarë kishte të pazakontë ky oktapod?
Me të drejtë, ky lloj oktapodi përshkruhet si «kafsha me dimorfizmin më të madh midis dy gjinive te kafshët e mëdha», domethënë partnerët kanë përmasa trupore shumë të ndryshme. Femra rritet deri në dy metra gjatësi dhe peshon gati 10 kilogramë, kurse mashkulli është vetëm tre centimetra i gjatë dhe peshon 0,3 gramë. Në të vërtetë, mashkulli është gati sa madhësia e bebëzës së syrit të femrës. Kjo do të thotë që femra peshon gati 40.000 herë më shumë se mashkulli, një ndryshim që duket se është më i jashtëzakonshmi në botën e kafshëve jomikroskopike. Këta oktapodë jetojnë në oqeane dhe deri tani nga rrjetat e peshkimit, vetëm femrat janë kapur të gjalla, ndërsa meshkujt janë kapur të ngordhur.
Si ia bëjnë këto dy gjallesa kaq të ndryshme në madhësi të riprodhohen? Njëri nga tetë këmbët e mashkullit është bosh nga brenda. Pasi mashkulli gjen femrën, kjo këmbë mbushet me spermë. Pastaj shkëputet dhe hyn në boshllëkun e mantelit ose të mbulesës së trupit të femrës, një hapësirë e madhe në brendësi të trupit të saj. Pastaj qëndron derisa femra pllenon vezët, duke derdhur spermën mbi to.
Për të kompensuar madhësinë e tij, mashkulli përdor tentakulat djegëse për t’u mbrojtur. Këto ndodhen te ventuzat e këmbëve të sipërme, që nga jashtë duken sikur ia ka vjedhur një lloj kandili deti të gjinisë Physalia, i njohur si luftëtari portugez. Por edhe këto tentakula nuk e shpëtojnë dot se, pasi përmbush rolin e tij si partner, ai ngordh. Ja përse shkencëtarët u mahnitën me këtë zbulim!
Cilado të jetë arsyeja e këtij ndryshimi tejet të madh në përmasat e këtyre oktapodëve të pazakontë, fjalët që i gjejmë në Bibël janë pa dyshim të vërteta: «Në këtë det kaq të madh e të gjerë, krijesat që lëvizin s’kanë të numëruar, krijesa të gjalla, të vogla e të mëdha.»—Psalmi 104:25, BR.
[Figurat në faqen 31]
Femra është e gjatë gati dy metra dhe peshon 10 kilogramë
Mashkulli është i gjatë tre centimetra dhe peshon 0,3 gramë
Madhësia reale në krahasim me femrën
[Burimet]
Femra: fotografia P. Wirtz; mashkulli: fotografia D. Paul