Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Sauna për kalamajtë

Siç raporton Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, në Gjermani dhe në vende të tjera po përhapen shumë shpejt qendrat për mbajtjen në formë të trupit të cilat ofrojnë trajtime në sauna për fëmijë shumë të vegjël. Përveç përkujdesjeve të zakonshme, fëmijëve, që mund të jenë edhe vetëm katër vjeç, u bëhen edhe masazhe me vaj dhe terapi të tjera. Disa studiues besojnë se e gjithë kjo bëhet më tepër për të fituar para, sesa për shëndetin e fëmijëve. Peter Viperman, drejtor i një agjencie këshilluese që studion ndryshimet e tregut, në Hamburg, thotë se për hir të parave «po i ngutin fëmijët të futen në botën e të rriturve». Sipas dr. Kristof Kampmanit, drejtor i një instituti për fëmijë në Universitetin e Majncit, kjo është shqetësuese sepse «mund t’i bëjë fëmijët tepër individualistë, me mentalitetin se i përkasin klasës së lartë, krejtësisht të përqendruar te vetvetja». Artikulli vazhdon se nëse kanë probleme shëndetësore të fëmijërisë, në vend që të shkojnë nëpër sauna «fëmijët duhet të ngjiten nëpër pemë e të lodrojnë. Patjetër që këto lojëra parandalojnë problemet me qëndrimin e trupit, rregullojnë oreksin dhe ndihmojnë për të bërë një gjumë të mirë».

Bujqësi e etur për ujë

«Ndër kontinentet e banuara, Australia është kontinenti me më shumë thatësirë, por që ka përqindjen më të lartë të përdorimit të ujit për person»,​—thotë gazeta Australian. Në krahasim me 600 litra për person që harxhohet në Amerikën e Veriut, Australia harxhon çdo ditë mesatarisht 900 litra ujë për person. «Tre çereku i ujit në Australi përdoret për të vaditur tokat bujqësore»,​—thuhet në artikull. Për të prodhuar një kilogram grurë duhen 1.010 litra ujë. Për një litër qumësht kullotat marrin rreth 600 litra ujë. Gjithashtu duhen më shumë se 18.000 litra ujë për të nxjerrë një kilogram gjalpë dhe 50.000 mijë litra për të marrë një kilogram biftek të mirë viçi. Edhe industria e tekstileve kërkon shumë ujë. Për të marrë një kilogram pambuk kërkohen 5.300 litra ujë dhe për një kilogram lesh duhen më shumë se 171.000 litra. Është llogaritur që për të bërë vetëm një komplet prej leshi përdoren rreth 685.000 litra ujë.

Rritja e temperaturës dhe fauna

«Numri i merimangave në Australi, duke futur këtu edhe ato me kurriz të kuq që janë vdekjeprurëse, po shtohet rrufeshëm ndërkohë që, siç besojnë shkencëtarët, rritja e temperaturës së globit po e bën rrëmujë faunën»,​—raporton gazeta Weekend Australian. Sipas dr. Robert Rejvënit që punon në Muzeun e Kuinslandit, merimangat zakonisht shumohen vetëm një herë në vit, por këtë vit pritej të shumoheshin tri ose katër herë. «Merimangat që në këtë kohë të vitit duhet të jenë të vogla, tashmë janë të rritura,​—tha ai.​—Tani po vërejmë që disa merimanga jetojnë dy herë më gjatë.» Studiuesit mendojnë se rritja e temperaturës po ndikon edhe në jetën e shpendëve. Gazeta komenton: «Zogjtë, si martin peshkatari, që normalisht shumohet një herë në vit, po ngrohin vezë dy herë në vit.» Veç kësaj, shumë shpendë po «shumohen më herët dhe po kthehen më shpejt pas dimërimit në Evropë, gjë që tregon se ndryshimet po ndodhin në të gjithë globin».

Zbulohen satelitë të tjerë

Sipas revistës shkencore ¿Cómo ves? të Universitetit Autonom Kombëtar të Meksikës, përparimi i teknologjisë ka bërë të mundur që brenda gjashtë vjetësh të zbulohet dyfishi i numrit të satelitëve që njiheshin në sistemin tonë diellor. Nga fundi i vitit 2003, njiheshin 136 satelitë që silleshin në orbitën e shtatë planeteve dhe astronomët presin të gjejnë edhe të tjerë. Vetëm Afërdita dhe Mërkuri me sa duket nuk kanë ndonjë satelit. Nga sa dihet, Jupiteri ka më tepër satelitë (61) dhe ndiqet nga Saturni (31), Urani (27), Neptuni (13) dhe Marsi (2). Plutoni dhe Toka kanë secili nga një satelit.

Rraskapitja mund të sinjalizojë infarkt në zemër

Botimi ndërkombëtar Miami Herald raporton se sipas një studimi «lodhja e tepërt dhe pagjumësia te gratë mund të jenë shenjat e para të infarktit të zemrës». Vetëm 30 për qind e grave që morën pjesë në studim treguan se si shenjë para infarktit kishin pasur dhimbje kraharori, ndërsa 71 për qind kishin pasur lodhje të pazakontë më shumë se një muaj para infarktit. Profesoresha Xhin Mek-Suini e Universitetit të Shkencave Mjekësore të Arkanzasit thotë: «Kjo lodhje është e pashpjegueshme dhe e pazakontë dhe për disa është një lodhje kaq e madhe sa nuk rregullojnë dot as çarçafët e një krevati pa pushuar. . . . Sëmundjet e zemrës janë vrasësi nr. 1 i grave.» Ajo vazhdon: «Nëse i bindim gratë t’u kushtojnë vëmendje shenjave të para, mund t’u japim ilaçe që parandalojnë ose e vonojnë një infarkt.»

Mbrojtje për Venecien

Qyteti i Venecies në Itali, i ndërtuar mbi afro120 ishuj në detin Adriatik, është nën rrezikun e vazhdueshëm të përmbytjeve. Pas shumë debatesh dhe studimesh të hollësishme, qeveria italiane dha miratimin e saj për ndërtimin e një sistemi portash me mentesha në tri grykat e lagunës. Këto porta ose pengesa do të përbëhen nga 79 kuti çeliku që secila janë rreth 30 metra të larta, 20 metra të gjera dhe 5 metra të trasha. Kur kushtet atmosferike të jenë normale, këto kuti do të mbushen me ujë në mënyrë që të fundosen në shtratin e detit duke lejuar kështu kalimin e mjeteve lundruese dhe që të mos pengojnë zbaticat dhe baticat. Por, kur të jetë duke ardhur ndonjë përmbytje, këto kuti do të mbushen me ajër. Për këtë arsye kutitë mund të pluskojnë dhe kështu ngrihen nga shtrati i detit si një urë lëvizëse derisa dalin në sipërfaqe. Ashtu, njëra pas tjetrës, ato do të formojnë një pengesë të gjatë që do të pengojë prurjet e ujit. Pritet që ky sistem të vihet në punë brenda vitit 2011.

Të reja për duhanin

• Gazeta Wall Street Journal raporton: «Studiuesit kanë zbuluar se në kryeqytetin Helinë të shtetit të Montanës, ndalimi i duhanit në bare, restorante dhe në ambiente të tjera të mbyllura si këto, që ka qenë në fuqi për gjashtë muaj, ka bërë të mundur që numri i të shtruarve në spital me infarkt të bjerë gati 60 për qind.» Pas heqjes së ndalimit të duhanit në vende publike nga një gjykatë lokale, shifrat e të shtruarve shkuan prapë si më parë. «Kjo është një provë e fortë që tregon se sa e nevojshme është që të shmanget thithja e tymit»,​—tha kardiologu Sidni Smith.

• «Qeveritë në disa shtete të SHBA-së, që më parë ishin armiqtë më të betuar të industrisë së duhanit, tani po mbajnë një qëndrim të çuditshëm. Ata janë gati të përpiqen për të shpëtuar prodhuesin më të madh të cigareve në vend»,​—njofton gazeta Journal. Si ka mundësi? Një gjykatës vendosi që kompania e cigareve duhet të paguante një detyrim prej 12 miliardë dollarësh për t’u apeluar për një çështje gjyqësore që e kishte humbur. Kjo do ta kishte çuar kompaninë në falimentim dhe nuk do të ishte në gjendje t’ua paguante këtyre qeverive miliarda dollarët që u detyrohej nga një çështje gjyqësore e mëparshme. Artikulli komentonte se qeveritë e Shteteve të Bashkuara «mbështeteshin te këto para të cilat ndihmojnë shumë shtete të shmangin katastrofat buxhetore». Kjo gjë i «shtyu shtetet të ndryshonin menjëherë qëndrim». Dy javë më vonë gjykatësi e anuloi vendimin e tij dhe lejoi që kompania të paguante një shumë më të vogël.