Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vizitë për të parë një zog «të zhdukur»

Vizitë për të parë një zog «të zhdukur»

Vizitë për të parë një zog «të zhdukur»

GJITHNJË më ka magjepsur shumëllojshmëria dhe bukuria e zogjve. Kur po përgatitesha për të bërë një vizitë në ishujt Bermude, më zunë sytë një referim për një lloj të rrallë zogu të quajtur zgalemi i Bermudeve. Një libër udhëzues për zogjtë thoshte: «Popullata shumë e vogël që ka mbijetuar nga ky lloj zogu gjendet në ishujt Kasëll-Harbor, në pjesën më të largët të Bermudeve. Këtu zogjtë mbikëqyren dhe mbrohen nga një rojë.»

E gjithë kjo më kishte zgjuar interesin. Vendosa ta shikoj me sytë e mi këtë zog interesant, kështu që u lidha me dr. Dejvid Uingejtin, ish-inspektor i ruajtjes së mjedisit në Bermude. Tani ka dalë në pension, por në kohën kur u lidha me të ishte ende rojë për ishujt Kasëll-Harbor. Me dashamirësi dr. Uingejti pranoi që ta shoqëroja kur vizitonte zonën e mbrojtur ku zgalemi i Bermudeve ndërton foletë.

Një «muze i gjallë»

Rezervati Natyror i Kasëll-Harborit gjendet pranë ishujve kryesorë të Bermudeve, të cilat ndodhen në oqeanin Atlantik, rreth 900 kilometra në lindje të Karolinës së Veriut, SHBA. Nga të nëntë ishujt e vegjël që përbëjnë këtë rezervat, më i madhi është ishulli Nonsaç. Ky ishull, me një sipërfaqe rreth 6 hektarë, ndodhet në skajin lindor të Bermudeve. Nën drejtimin e dr. Uingejtit, ishulli u kthye në një «muze të gjallë» për rimëkëmbjen përfundimtare të llojeve vendëse të bimëve e të kafshëve që kanë mbetur ende në Bermude.

Është një ditë e kthjellët dhe e bukur. Nisemi që nga Nonsaçi me motobarkën e vogël të dr. Uingejtit për në një ishull të vogël aty afër. Fare pranë sipërfaqes së qetë të ujit fluturon një shqiponjë peshkngrënëse dhe në pendët e bardha të nënkrahëve të saj pasqyrohet ngjyra e fortë gurkali e ujit. Zogj të bukur tropikalë, që në Bermude i quajnë bishtgjatë, fluturojnë rreth e rrotull tërë gjallëri gjatë ritualit të tyre të çiftimit, duke valëvitur lart e poshtë pendët e stërgjata të bishtit. Normalisht kjo pamje do të më kishte entuziazmuar jashtë mase, por sot nuk arrij të mendoj për gjë tjetër veçse për zgalemin e Bermudeve.

Zgalemi «i zhdukur» rishfaqet

Dr. Uingejti shpjegon: «Njerëzit që u vendosën fillimisht këtu tregonin për disa zogj deti që ktheheshin në tokë vetëm natën dhe vetëm për të shtruar vezë, që të dyja këto karakteristike të zgalemit të Bermudeve. Në atë kohë kishte me dhjetëra mijë zogj të tillë, por kjo situatë ndryshoi. Rreth vitit 1560 spanjollët sollën derra në ishujt Bermude. Kjo ishte shkatërrimtare për popullatën e zgalemave të Bermudeve, sepse derrat hanin vezët e zogjve, e ndoshta edhe të vegjlit ose zogjtë e rritur. Veç kësaj, këta zogj përdoreshin si ushqim nga njerëzit që u vendosën aty. Kur në vitin 1614 në Bermude u sollën pa dashje minj, numri i zgalemave ra edhe më tepër. Minjtë notonin deri te ishujt e vegjël ku zogjtë kishin ndërtuar foletë dhe hanin vezët ose edhe të vegjlit e zogjve. Kështu, deri në vitin 1630 numri i zgalemave të Bermudeve ishte zvogëluar nga një popullatë prej mijëra e mijëra zogjsh në pothuajse asnjë zog. Mendohej si i zhdukur plotësisht.»

Nën zhurmën e motorit të motobarkës, e pyes: «Si u zbuluan prapë këta zogj?»

Dr. Uingejti përgjigjet: «Në vitin 1906, Luis Moubreji, një natyralist, gjeti në njërin nga ishujt e Kasëll-Harborit një zog deti të gjallë, që kishte një pamje të çuditshme. Së fundi u kuptua që ky ishte zgalemi i Bermudeve. Më vonë, në vitin 1935, u gjet një zgalem i vogël që kishte ngordhur sepse ishte përplasur me një far. Pastaj, në vitin 1945, një zgalem i rritur u gjend i ngordhur në bregun e ishullit Kupër, në Bermude. Këto dëshmi ishin më se të mjaftueshme për të dërguar një ekspeditë që të kërkonte ekzemplarë të tjerë të këtij lloji ‘të zhdukur’. Ekspeditën e drejtonte dr. Robert Kushman Marfi, që punonte në Muzeun Amerikan të Historisë së Natyrës, dhe Luis S. Moubreji, kujdestar i Akuariumit Shtetëror të Bermudeve, që ishte i biri i Luis Moubrejit që gjeti këtë zog në vitin 1906.»

Dr. Uingejti buzëqesh kur kujton atë kohë: «Sa i privilegjuar u ndjeva kur më kërkuan të shkoja edhe unë me ekspeditën! Isha veçse 15 vjeç dhe shkoja ende në shkollë, por më interesonin shumë zogjtë. Ajo ditë e diel, më 28 janar 1951, më ndryshoi gjithë jetën. Nuk do ta harroj kurrë lumturinë që shihej në fytyrën e dr. Marfit kur së bashku me Moubrejin arritën të kapin me një litar një zog të gjallë që ishte në një të çarë të thellë! Menjëherë qeveria i shpalli ishujt e vegjël të Kasëll-Harborit zonë të mbrojtur për zgalemin e Bermudeve. Në vitin 1961 edhe ishulli Nonsaç u bë zonë e mbrojtur, dhe vitin që pasoi, së bashku me time shoqe u transferuam aty që të punoja si rojë për ishullin.»

«Sa zgalema gjetët në ekspeditën e parë?»​—e pyeta ndërsa po i afroheshim rezervatit natyror.

«Vitin e parë gjetëm vetëm tetë çifte që kishin ndërtuar foletë.​—përgjigjet ai.​—Ishte kaq e vështirë t’i gjeje foletë, saqë u deshën dhjetë vjet për të zbuluar gjithë popullatën, e cila në atë kohë kishte 18 çifte zogjsh. Pasi kaluan 35 vjet përpjekje për t’i mbrojtur, popullata ishte rritur në 52 çifte gjithsej.»

Njerëzit ndihmojnë

«Zgalemat e Bermudeve i bëjnë foletë në strofka 2 deri në 3,5 metra të gjata, me një kthesë në mënyrë që drita të mos hyjë në fole,​—vazhdon dr. Uingejti.​—Që të kenë më shumë vende për të bërë foletë, filluam të bënim strofka artificiale, duke hapur kanale e pastaj duke i mbyllur sipër me beton. Dhoma ku është foleja, në fund të strofkës, ka një kapak që mund të hiqet. Kjo na jep mundësi t’i kontrollojmë foletë për të parë a kanë shtruar ndonjë vezë, a ka çelur ajo ose nëse ka vezë që nuk ka çelur zog. Kur zogjtë e braktisin një vezë të tillë, e marrim për ta analizuar dhe për të përcaktuar pse nuk çeli. Aty nga mesi i viteve 60, mbetjet e insekticidit DDT shkaktuan hollimin e lëvozhgës së vezës e për pasojë thyerjen e saj. Tani jemi në merak se mos lëndë kimike si PCB-të [dyfenil i poliklorinuar] mund të kenë të njëjtin efekt. Ndonëse Amerika e Veriut dhe Evropa e kanë ndaluar përdorimin e PCB-ve, shumë vende në zhvillim nuk e kanë bërë këtë.»

Ka edhe vështirësi të tjera. Dr. Uingejti komenton: «Ka pasur një betejë të vazhdueshme ndërmjet këtyre zgalemave dhe disa zogjve tropikalë më agresivë, për vendet ku ndërtonin foletë. Ndoshta një zgalem zgjedh për folenë një vend në brendësi të një grope të vogël e pastaj një zog tropikal vendos folenë e tij pikërisht në hyrje të kësaj grope. Ky pushtues i pacipë prish vezën e zgalemit ose sulmon dhe vret zogun e vogël. Që të dyja llojet kthehen vit pas viti në të njëjtin vend ku kanë bërë folenë më parë, kështu që problemi përsëritet. Për të shpëtuar zgalemat, filluam të vinim në hyrjet e strofkave, ku ishin foletë, pengesa të thjeshta prej druri. Këto pengesa kanë një vrimë në formë vezake në përmasat e duhura që lejon të hyjë zgalemi, por jo zogu tropikal që është paksa më i madh. Në këtë rast, vetëm 3 milimetra hapësirë mund të nënkuptojë jetë ose vdekje.»

Në rezervat

Më në fund mbërrijmë në ishullin e vogël. Ndërkohë që valët e oqeanit ulen e ngrihen, kërcejmë me kujdes nga motobarka në shkëmbinjtë e thepisur. Për të arritur foletë duhet të kacavirremi nëpër pjesë shkëmbore të thepisura e të pjerrëta. Njëra fole arrihet vetëm duke hipur në ca shkallë. Kjo për dr. Uingejtin mund të jetë diçka normale që e bën gjithnjë, por për mua është një përvojë e pashoqe dhe tepër e bukur.

Dr. Uingejti kontrollon përreth foleve, duke studiuar të dhënat e ndryshme. A po i vizitojnë ende çiftet foletë e tyre? A ka gjurmë këmbësh brenda dhe jashtë strofkave? A ka ndonjë vezë që s’ka çelur zog? Gjejmë një vezë të tillë, por, meqë prindërit ende nuk e kanë braktisur, dr. Uingejti e lë aty ku është. Shpesh zgalemat e Bermudeve vazhdojnë ta ngrohin një vezë që s’çel e nuk dorëzohen. Dr. Uingejti bën edhe një zbulim të papritur: gjen një zog të vogël aty ku as nuk e kishte kuptuar që kishte pasur një vezë! Ky zbulim e bën të harrojë zhgënjimin për vezën që s’kishte çelur.

Gjithë përpjekjet që bëhen ia vlejnë, dhe kjo është e dukshme kur dr. Uingejti heq një pengesë druri nga një strofkë dhe shoh në fund të saj një topth të vogël ngjyrë gri, një zog të vogël. Herë pas here, zogthi lëviz nga pak, sepse e shqetëson drita. Në një fole tjetër, shoh një zog të rritur që po ngroh vezën.

Dr. Uingejti ka ndihmuar shumë zogj të vegjël që ishin në vështirësi. Në një rast, një zog tropikal sulmoi një zog të vogël zgalemi dhe i theu sqepin. I dëshpëruar Uingejti ia ngjiti sqepin me tutkall. Ç’habi e kënaqësi provoi ai kur zogu i vogël mbijetoi. Një herë tjetër, gjeti një zog të vogël e të brishtë që prindërit e kishin braktisur para kohe. E mbajti zogun në një kuti dhe e rriti duke e ushqyer me karkaleca deti, kallamarë, vaj mëlçie të merlucit dhe me vitamina. Së fundi zogu arriti të fluturonte mbi det. Deri tani përpjekjet për rimëkëmbjen e zgalemit të Bermudeve po japin dalëngadalë rezultate. Në fakt, ky zog është quajtur simbol shprese për mbrojtësit e mjedisit anembanë botës. Synimi i dr. Uingejtit është që së fundi në ishullin Nonsaç të ketë 1.000 çifte zgalemash të Bermudeve. Megjithatë, mbetet ende për t’u parë nëse ëndrra e tij do të realizohet apo jo.

Kjo vizitë për të parë këtë zog «të zhdukur» më fut në mendime. Sigurisht, nëse Krijuesi e vëren një harabel kur bie në tokë, a nuk e vëren kur një lloj i tërë zogjsh është në rrezik? (Mateu 10:29) Sa ngushëlluese është të dimë që do të vijë një kohë kur shoqëria njerëzore nuk do të jetë një kërcënim për ekzistencën e llojeve të ndryshme në tokë!​—Isaia 11:6-9.​—Nga një bashkëpunëtor.

[Hartat në faqen 16]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

BERMUDE

Ishulli Nonsaç

[Figura në faqen 18]

Zgalemi i Bermudeve brenda folesë

[Burimi]

Jeremy Madeiros, Conservation Officer, Bermuda

[Figura në faqen 18]

Hyrja e folesë së zogut

[Figura në faqen 18]

Dr. Uingejti tregon me gisht pengesën prej druri në hyrje të një foleje

[Burimet e figurave në faqen 16]

Jeremy Madeiros, Conservation Officer, Bermuda

Globi: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Burimet e figurave në faqen 17]

© Brian Patteson

Jeremy Madeiros, Conservation Officer, Bermuda