Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Piramidat e Meksikës

Piramidat e Meksikës

Piramidat e Meksikës

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

SHUMICA e njerëzve sot dinë për piramidat e Egjiptit. Edhe në Amerikë, arkeologët kanë gjetur shumë struktura ngjashëm piramidave, veçanërisht në Meksikë. Ashtu si ekuivalentet e tyre në Egjipt, piramidat meksikane kanë moshë shekullore dhe janë të mbështjella në mister.

Një piramidë egjiptiane është një varr brenda një grumbulli të madh simetrik gurësh. Kalimet e brendshme të çojnë te varri, që është pjesa më e rëndësishme e piramidës. Nga ana tjetër piramida meksikane është një masë e madhe toke e ngritur, me një tempull mu në majë dhe një shkallë të jashtme që bën të mundur të arrihet në kulmin e saj. Me disa përjashtime, piramidat e gjetura në Amerikë nuk ishin varre.

Teotihuakáni​—«Qyteti i perëndive»

Një nga vendet më të shquara ku gjenden piramida në Meksikë është Teotihuakáni. Me vendndodhje rreth 50 km në verilindje të qytetit Meksiko, Teotihuakáni është ende një mister për antropologët dhe arkeologët. Ky metropol i lashtë u braktis nga ndërtuesit e saj më shumë se 500 vjet përpara se të shfaqej kultura acteke. Emri Teotihuakán që rrjedh nga gjuha nahuatl do të thotë «Qyteti i perëndive» ose «Vendi ku njerëzit bëhen perëndi». Mendohet se këtë emër qytetit ia dhanë actekët, kur e vizituan atë.

Një nga botuesit e revistës National Geographic, Xhorxh Stjuart shpjegon se «Teotihuakáni ishte e para qendër e vërtetë urbane në Hemisferën Perëndimore . . . Ajo lindi aty nga fillimi i epokës së krishterimit, ekzistoi për gati shtatë shekuj e më pas kaloi në legjendë. Në kulmin e lulëzimit të saj, rreth vitit 500 të e.s., përllogaritet që të ketë mbajtur nga 125.000 deri në 200.000 njerëz».

Pothuaj në qendër të qytetit gjendet Piramida e madhe e Diellit. Përmasat e bazës së saj janë rreth 220 m me 225 m dhe pesë tarracat e saj arrijnë lartësinë që ka sot prej rreth 63 metrash. Për të arritur në majë të piramidës duhen ngjitur më shumë se 240 shkallë. Në veri të qytetit të lashtë është Piramida e Hënës, maja e së cilës është 40 m e lartë. Dikur, në majë të këtyre dy piramidave kryesore kishte tempuj.

Dekadat e fundit është mësuar shumë rreth këtyre piramidave. Megjithatë, siç shprehet Stjuart, «ne ende nuk dimë pothuajse asgjë rreth origjinës së teotihuakanëve, çfarë gjuhe flitnin, si ishte e organizuar shoqëria e tyre dhe çfarë çoi në rënien e tyre».

Vende të tjera piramidash

Mu në zemër të qytetit Meksiko, është e mundur të vizitohet Tempulli Kryesor i actekëve. Ndonëse nuk të zë syri asnjë piramidë, mbetjet e strukturës së një piramide që ishte baza për Tempullin Kryesor mund të shihen ende. Në të arkeologët kanë zbuluar dy altarë ku bëheshin flijime njerëzish.

Çiçen Itsa, është një vend me piramida, nga më të vizituarit në Meksikë. Ka shumë rrënoja të lashta në rajonin majan, por këto janë më të arritshmet, sepse janë afër qytetit Merida, në Jukatan. Megjithëse të ndërtuara në territorin majan, strukturat tregojnë se dikur toltekët ushtronin ndikim të madh në këto rajone. Disa ndërtesa tregojnë për njohurinë e sofistikuar matematikore dhe astronomike që kishin ndërtuesit.

Në Palenkua, një person mund të vërejë një kompleks mbresëlënës majan, të rrethuar nga xhungla Çiapas. Mes shumë piramidash dhe ndërtesash gjenden Pallati dhe Tempulli i Mbishkrimeve. Ky tempull «është një nga tempujt më të famshëm në të gjithë Amerikën Qendrore, sepse ai nuk ishte thjesht baza për një tempull si gjithë të tjerët, por një monument funerali,​—shpjegon libri The Mayas​—3000 Years of Civilization.​—Brenda gjendet një shkallë e harkuar që të çon deri në dhomën më madhështore të varrimit që mund të jetë gjetur në zonën majane». Varri ishte ndërtuar për një guvernator që jetoi në shekullin e shtatë, Pakal ose Uoksok Aau.

Këto janë vetëm disa nga piramidat e Meksikës. Të tjera rrënoja dhe piramida mund të gjenden në shumë vende në të gjithë rajonin. Piramida të mëdha gjenden edhe në Guatemalë e Honduras. Të gjitha këto struktura të lashta tregojnë se banorët e Amerikës Qendrore dëshironin vend më të ngritur mbi të cilën të ndërtonin vendet e tyre të adhurimit. Valter Krikeberg, autori i librit Las Antiguas Culturas Mexicanas, ka shkruar: «Zakoni i ndërtimit të tempujve mbi një bazë të shkallëzuar, e ka zanafillën në adhurimin e lashtë të vendeve të larta.» Ai shton: «Ndërsa ne e konsiderojmë qiellin si një ‘kupolë’, për popujt e tjerë ai përfaqësonte një mal nëpërmjet të cilit ngjitej dielli në mëngjes dhe zbriste në mbrëmje, prandaj, shpatet e tij janë të shkallëzuara si ato të një ndërtese gjigande. Kështu, ‘mali artificial’ . . . u transformua në një piramidë të shkallëzuar dhe siç u kuptua nga legjendat dhe zakonet, u kthye në një simbol të qiellit mes shumë njerëzve të Amerikës Qendrore.»

Ky koncept, mund t’u sjellë ndër mend studentëve të Biblës tregimin biblik rreth Kullës së Babelit, të vendosur në një qytet, që më vonë u njoh si Babilonia. Zanafilla 11:4 për ndërtuesit e kësaj kulle thotë: «Thanë: ‘O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell dhe t’i bëjmë një emër vetes.’» Jo shumë larg nga rrënojat e Babilonisë, arkeologët kanë gjetur strukturat e piramidave të njohura si zigurate.

Forma e adhurimit që zuri fill në Babiloni u përhap në shumë pjesë të botës, duke mbërritur me sa duket edhe në rajonin që u bë i njohur si Meksika. Nuk do të ishte diçka për t’u habitur nëse ziguratet e Babilonisë, si edhe feja e praktikuar atje, të ishin prototipe për piramidat misterioze dhe mbresëlënëse të Meksikës.

[Figura në faqen 16]

Teotihuakáni

[Burimi]

CNCA.-INAH.-MEX Reproducción Autorizada por el Instituto Nacional de Antropología e Historia

[Figura në faqen 17]

Palenkua