Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Borë e zhurmshme

Borë e zhurmshme

Borë e zhurmshme

SHKENCËTARËT kanë zbuluar se kur bora bie mbi ujë, çdo flok bore lëshon një tingull që është i padëgjueshëm për njerëzit. Ashtu si sirena e një zjarrfikëseje që afrohet, ky tingull arrin një pikë kulmore e pastaj shuhet, dhe e gjithë kjo ndodh në rreth një të dhjetëmijëtën e sekondës.

Një pikë shiu a një kokërr breshëri depërton në ujë, ndërsa floku i borës, që është më i lehtë, qëndron në sipërfaqe. Megjithatë, pas pak ai shkrin dhe lëshon «uturimën» e përmendur më sipër. Kjo gjë u vërejt afro 15 vjet të shkuar, por çështja nuk u studiua. Megjithatë, vitet e fundit kjo zhurmë është bërë një bezdi për biologët në Alaskë, të cilët përdorin aparate me ultratinguj për të gjurmuar salmonin migrues. Kur zhurma e borës që bie, e cila dëgjohet në sfond, i maskon sinjalet që vijnë nga peshku, vrojtimi duhet ndërprerë. Cili është shkaku i kësaj dukurie?

Në revistën New Scientist shpjegohet se ndërkohë që floku i borës pluskon mbi ujë, poshtë tij zhurma është e vogël. Por sapo floku i borës nis të shkrijë, uji thithet lart nëpërmjet kapilaritetit. Ka të ngjarë që në këtë kohë flluskat e ujit të kenë dalë nga floku i borës ose të kenë ngelur të bllokuara në ujin që po formohet. Çdo flluskë dridhet, ndërsa lufton për të arritur një ekuilibër me mjedisin rrethues dhe, duke bërë këtë, lëshon valë zanore disi të ngjashme me tringëllimën e një zileje, por me tonalitet shumë më të lartë.

[Burimi i figurës në faqen 31]

Kristale bore/Dover