Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një kompani duhani pranon se pirja e duhanit shkakton kancer

Pasi ka kundërshtuar për dekada zbulimet e autoriteteve të ndryshme në fushën e mjekësisë, kompania Filip Moris, fabrikuesja më e madhe e cigareve në Shtetet e Bashkuara, tani e pranon se pirja e duhanit shkakton kancer në mushkëri dhe sëmundje të tjera vdekjeprurëse. Në një deklaratë të kompanisë për shtypin thuhet: «Ekziston një mendim unanim i pakundërshtueshëm mjekësor e shkencor se pirja e cigareve shkakton kancer në mushkëri, sëmundje të zemrës, emfizemë dhe sëmundje të tjera të rënda te duhanpirësit.» The New York Times vëren se «më parë, kompania mbronte pikëpamjen . . . që pirja e duhanit ishte një ‘faktor që shton rrezikun’ ose një ‘faktor shkaktar’ për sëmundje si kanceri i mushkërive, por jo vetë shkaktari i sëmundjeve». Prapëseprapë, megjithëse pranon këtë fakt, kompania thotë: «Jemi shumë krenarë për markat tona të cigareve dhe për fushatat e reklamave që i kanë mbështetur ato gjatë viteve.»

Pika referimi në zhdukje

Depot e drithit dalëngadalë po zhduken nga preritë e Kanadasë Perëndimore. Numri më i madh i depove të drithit u arrit në vitin 1933, kur kishte 5758 të tilla të shpërndara nëpër fshatra. Qysh atëherë, numri ka rënë në mënyrë drastike në 1052. Arsyeja? Një person që ishte dëshmitar okular i shkatërrimit të një depoje drithi, u ankua: «Kohërat kanë ndryshuar kaq shumë. Bujqësia tani është një agrobiznes. Familja fermere po bëhet diçka e së shkuarës. Po kështu edhe depot e drithit.» «Preritë pa depo drithi do t’i ngjanin disi Venecies pa ujë, Nju-Jorkut pa grataçela ose Britanisë pa pijetore»,​—thuhet në revistën Harrowsmith Country Life. Grupe me interesa të veçanta po punojnë për të ruajtur atë që konsiderohet një simbol arkitektural i rrafshinave kanadeze. Një depo drithi u shndërrua në muze dhe një tjetër në restorant-teatër.

Asnjëherë mjaft kohë

Siç vërehet në gazetën gjermane Gießener Allgemeine, gjithnjë e më shumë njerëz anembanë Evropës i bëjnë gjërat me ngut, për shkak të kohës. E njëjta gjë ndodh qoftë kur njerëzit janë duke punuar jashtë shtëpisë, qoftë kur janë duke bërë punë shtëpie, qoftë kur janë duke kaluar kohën e lirë. «Njerëzit flenë më pak, hanë më shpejt dhe e bëjnë punën më me ngut se 40 vjet përpara»,​—thotë sociologu Manfred Garhamer i Universitetit të Bambergut. Ai zbuloi se në të gjitha vendet evropiane që ka marrë në studim, ritmi i jetës së përditshme është përshpejtuar. Pajisjet lehtësuese shtëpiake dhe pakësimi i orëve të punës nuk kanë krijuar ndonjë «shoqëri të ngeshme» ose «bollëk kohe». Përkundrazi, koha e ngrënies është pakësuar mesatarisht me rreth 20 minuta dhe pushimi i natës me rreth 40 minuta.

Australia e dhënë pas bixhozit

«Në Australi, bixhozi është tani një problem serioz shëndetësor, që prek drejtpërdrejt të paktën 330 000 bixhozçinj kronikë»,​—raportohet në The Australian. Sipas gazetës, më shumë se 1 në 5 makina elektronike bixhozi të shpërndara anekënd botës gjendet në Australi, ku 82 për qind e të rriturve luajnë bixhoz. Një komision që hetoi industrinë e bixhozit në Australi, zbuloi se 2,3 për qind e australianëve të rritur kanë ndonjë problem serioz nga bixhozi. Nga këta, 37 për qind kishin menduar të kryenin vetëvrasje, më shumë se 11 për qind ishin përpjekur të vritnin veten dhe 90 për qind thanë se vuanin nga depresioni i rëndë si pasojë e bixhozit. Komisioni kërkoi që të bëhet një ndryshim tërësor i mënyrës së funksionimit të bixhozit dhe sugjeroi që në vendet ku luhet bixhoz të vendosen tabela paralajmëruese.

Luftimi i stresit

A ndiheni të stresuar? Siç thuhet në El Universal, Instituti Meksikan i Sigurisë Sociale këshillon të ndiqen udhëzimet e mëposhtme, si ndihmë për të luftuar tensionimin. Flini aq sa ua kërkon trupi: nga gjashtë deri në dhjetë orë në ditë. Hani një mëngjes të plotë e të ekuilibruar, një drekë normale dhe një darkë të lehtë. Veç kësaj, shumica e ekspertëve rekomandojnë që të pakësoni konsumimin e ushqimeve me shumë yndyrna, të kufizoni sasinë e kripës dhe, pas moshës 40-vjeçare, të pakësoni konsumimin e qumështit e të sheqerit. Përpiquni të gjeni kohë për të medituar me qetësi. Mund ta pakësoni më tej stresin duke mbajtur kontakt me natyrën.

Bukuri helmuese

Siç raportohet në The Toronto Star, një procedurë kozmetike që përfshin injektimin e helmit vdekjeprurës botulinë, po përdoret tani për të eliminuar rrudhat e fytyrës. Helmi paralizon muskuj të zgjedhur të fytyrës, të cilët brenda pak ditësh humbasin tonusin, duke bërë që rrudhat të shtrihen. Trajtimi zgjat rreth katër muaj dhe si rezultat pacienti ka një pamje më të çlodhur dhe më rinore. Megjithatë, duhet paguar një haraç. Në artikull paralajmërohet se «pacientët humbasin rrudhat, por humbasin, gjithashtu, aftësinë për t’i ngritur vetullat me habi, për të qeshur edhe me sy [dhe] për të ngrysur vetullat». Çështja, siç thuhet në gazetë, është që të jesh i përgatitur të «paralizosh disa pjesë të fytyrës, për hir të bukurisë rinore».

«Në anën e kujt është Perëndia?»

«Nuk dua të fyej besimin e ndokujt,​—shkruan gazetari sportiv Sam Smith,​—por a nuk po teprohet ca si shumë me këtë shfaqje publike devocioni në sporte? Përse luten futbollistët pasi shënojnë [një gol]?» Siç vëren Smith, po ata lojtarë që mblidhen në lutje pas lojës, mund t’i shikosh edhe «duke mallkuar reporterët» në dhomën e veshjes ose «duke u përpjekur të dëmtojnë lojtarët e tjerë» në valën e ndeshjes. Mendimi që Perëndia favorizon një skuadër në vend të tjetrës, siç thotë ai, «duket që ia ul vlerën besimit te Perëndia». Kështu, artikulli i tij përfundon: «Le të mos i bëjmë sportet diçka më shumë se ç’janë.»

Profesione të rrezikshme

Cilat janë dhjetë profesionet më të rrezikshme? Sipas shifrave të përpunuara nga Zyra e Statistikave të Punës në Shtetet e Bashkuara, sharrëtarët ishin në krye të listës me afro 129 viktima për çdo 100 000 punëtorë, ndërsa peshkatarët dhe detarët vinin menjëherë pas tyre, përkatësisht me rreth 123 dhe 94 vdekje për çdo 100 000 punëtorë. Në listë renditeshin njëra poshtë tjetrës këto profesione të tjera të rrezikshme: pilot aeroplani, ndërtues strukturash metalike të ndërtesave, minator, punëtor ndërtimi, shofer taksie, shofer kamioni dhe bujk. Megjithatë, pesë vitet e fundit, siç vërehet në Scientific American, «raporti i përgjithshëm i aksidenteve vdekjeprurëse në punë​—4,7 për çdo 100 000 të punësuar​—ka rënë me rreth 10 për qind».

Zogj të mençur!

«Harabelat në Kalkutë e shmangin malarjen»,​—raportohet në revistën franceze për natyrën Terre Sauvage. Ekspertët kanë vënë re se me shtimin e rasteve të malarjes, harabelat tani fluturojnë më larg për të kërkuar gjethet e një peme të njohur për përqendrimet e larta të kininës natyrore, që është një ilaç kundër malarjes. Përveçse i përdorin gjethet për të shtruar çerdhet, zogjtë edhe i hanë ato. «Harabelat, të dashuruar pas qyteteve dhe të trembur nga malarja, duket që kanë gjetur një mënyrë për të mbrojtur vetveten»,​—vërehet në revistë.

Para të pista

Siç thuhet në gazetën Guardian, më shumë se 99 për qind e kartëmonedhave të Londrës janë të ndotura me kokainë. Ekspertët ekzaminuan 500 kartëmonedha dhe zbuluan se 496 përmbanin gjurmë të drogës. Ndotja fillon kur kartëmonedhat preken nga përdorues të drogës. Këto kartëmonedha, nga ana e tyre, ndotin para të tjera kur klasifikohen nga aparaturat e bankës ose kur mbahen në një vend së bashku. Kokaina është bërë droga më e kërkuar që përdoret «për qejf» mes personave të moshës 20 deri në 24 vjeç. Sipas Projektit për Ndërgjegjësimin e Rinisë, me qendër në Londër, adoleshentët përdorin kokainë sepse mendojnë që ajo u ngre reputacionin dhe u shton fuqinë.

‘Infeksioni më i zakonshëm i transmetuar me anë të gjakut’

«Të paktën 2,7 milionë amerikanë mbartin virusin e hepatitit C, duke e bërë këtë infeksionin më të zakonshëm të transmetuar me anë të gjakut në Shtetet e Bashkuara»,​—thuhet në një raport të Associated Press. Hepatiti C kalon nga një person te tjetri kryesisht me anë të kontaktit seksual ose nëpërmjet gjakut të infektuar. Personat që ka më shumë rrezik të marrin sëmundjen janë ata që drogohen me injeksione e që përdorin të njëjtat shiringa, si edhe njerëzit që kryejnë marrëdhënie seksuale të pambrojtura. Megjithatë, infeksioni mund të përhapet edhe nga ata që bëjnë tatuazhe dhe nga specialistët e akupunkturës, që nuk i pastrojnë siç duhet pajisjet e tyre. Edhe njerëzit që kanë bërë transfuzione gjaku janë në rrezik. Çdo vit, afro 1000 veta në Shtetet e Bashkuara bëjnë transplantim të mëlçisë si pasojë e shkatërrimit të saj nga virusi.