Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një Evropë e bashkuar: Pse do të ishte me rëndësi?

Një Evropë e bashkuar: Pse do të ishte me rëndësi?

Një Evropë e bashkuar: Pse do të ishte me rëndësi?

TAPAT e shampanjave kërcitnin. Fishekzjarret ndriçonin qiellin. Me çfarë rasti? Për fillimin e një mijëvjeçari të ri? Jo, kjo ngjarje ishte pa dyshim më domethënëse se një ndryshim i thjeshtë shifrash në kalendarët e botës. Ishte 1 janari i vitit 1999. Atë ditë doli zyrtarisht monedha e re e përbashkët e Bashkimit Evropian (BE)​—një lloj paraje e quajtur euro.

Shumë evropianë e konsiderojnë futjen në qarkullim të një monedhe të përbashkët si një hap historik në përpjekjet që po bën prej kohësh Evropa për bashkim. Gazeta holandeze De Telegraaf e përshëndeti daljen e euros, duke e quajtur «kurora e vendosur mbi njësimin e Evropës». Vërtet, pas dekada ëndrrash, diplomacie e vonesash, bashkimi i Evropës duket se është më afër se kurrë.

Natyrisht, njerëzit që jetojnë jashtë Evropës mund të habiten përse është gjithë ky entuziazëm. Dalja në skenë e euros dhe përpjekjet për një Evropë të bashkuar mund të duket se nuk kanë ndonjë ndikim në jetën e tyre të përditshme. Gjithsesi, njësimi i Evropës do të krijonte një nga blloqet më të mëdha ekonomike të botës. Ndaj njerëzit, pavarësisht se ku jetojnë, zor se do të mund ta shpërfillin një Evropë të bashkuar.

Për shembull, kohët e fundit Ndihmëssekretari i Shtetit Amerikan, Mark Grosman, tha përpara një auditori amerikanoverior: «Mirëqenia jonë është e lidhur me Evropën.» Përse? Midis arsyeve që përmendi ai ishte se «një në çdo 12 punëtorë fabrikash në SHBA është i punësuar në një nga 4000 bizneset e SHBA-së që janë nën pronësinë e evropianëve». Thuhet, gjithashtu, se monedha e re e Evropës mund të ndikojë në çmimin e mallrave të importuara​—e madje edhe në përqindjet e kredive​—në vendet larg Evropës.

Vendet në zhvillim mund të kenë dobi. Në ç’mënyrë? Në një studim vërehet: «Zëvendësimi i monedhave të ndryshme evropiane me euron do të thjeshtësojë marrëdhëniet tregtare të vendeve në zhvillim me BE-në.» Përveç kësaj, disa parashikojnë se firmat japoneze dhe ato amerikane që zhvillojnë aktivitetin e tyre në Evropë do të kenë dobi. Me stabilizimin e euros nuk do të ketë më luhatje të kursit të këmbimit të valutës ndërmjet vendeve evropiane. Ushtrimi i biznesit në Evropë ka shumë të ngjarë që të bëhet më ekonomik.

Nëse po planifikoni të udhëtoni në Evropë, edhe ju mund të ndieni dobitë e bashkimit të Evropës. Së shpejti do të keni mundësi që në vende të ndryshme të Evropës t’i blini mallrat dhe t’i paguani shërbimet që ju bëhen me një monedhë të vetme, euron, e cila ka afërsisht të njëjtën vlerë me dollarin amerikan. Do të kenë marrë fund kohët kur turistë të hutuar manovronin me gulden, franga, lira, marka gjermane dhe makina llogaritëse xhepi.

Megjithatë, hapat e ndërmarra nga Evropa për t’u bërë një kontinent i bashkuar ofrojnë diçka edhe më tërheqëse: shpresë. Vetëm të mendosh që pak dekada më parë Evropa ishte e përfshirë në vorbullën e luftës. Nga ky këndvështrim, njësimi i Evropës është një dukuri e mahnitshme. Njerëz anekënd botës po e vëzhgojnë me vëmendje këtë gjë.

Gjithsesi, shumë veta vrasin mendjen nëse mund të jetë diçka realiste të presësh një unitet botëror. Ç’perspektivë e dëshirueshme është kjo! A do ta bëjnë më konkrete mundësinë për një botë të bashkuar hapat e Evropës drejt unitetit? Para se të trajtojmë këtë pyetje, duhet t’i hedhim një vështrim realist bashkimit të Evropës. Cilat pengesa në rrugën drejt unitetit duhen hequr ende?

[Kutia dhe tabela në faqen 4]

Unitet në rrugë e sipër?

Ideja e unitetit të Evropës nuk është krejt e re. Ekzistonte njëfarë uniteti edhe gjatë kohës së Perandorisë Romake, pastaj nën sundimin e Karlit të Madh e më vonë nën Napoleonin I. Në këto raste uniteti bazohej te forca dhe te pushtimet. Megjithatë, pas Luftës II Botërore, një sërë vendesh të rrënuara nga lufta ndien nevojën për një unitet të bazuar te bashkëpunimi. Këto vende shpresonin se ky bashkëpunim do të sillte jo vetëm rimëkëmbjen e tyre ekonomike, por edhe ‘nxjerrjen jashtë ligjit’ të luftërave. Këto janë disa nga hapat historikë që çuan deri në situatën e sotme:

1948 Qindra udhëheqës politikë të Evropës mblidhen në Hagë të Holandës, dhe zotohen: «Nuk do të luftojmë kurrë më mes njëri-tjetrit.»

1950 Franca dhe Gjermania nisin të bashkëpunojnë, me qëllim që të mbrojnë industrinë e tyre të qymyrit dhe atë të çelikut. Me to bashkohen edhe vende të tjera, dhe kjo çon në formimin e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut (KEQÇ). Ai fillon të funksionojë në vitin 1952 dhe përfshin Belgjikën, Francën, Gjermaninë Perëndimore, Italinë, Luksemburgun dhe Holandën.

1957 Gjashtë anëtarët e KEQÇ-së formojnë dy organizata të tjera: Komunitetin Ekonomik Evropian (KEE) dhe Komunitetin Evropian të Energjisë Atomike (Euratomi).

1967 KEE-ja shkrihet me KEQÇ-në dhe Euratomin për të formuar Komunitetin Evropian (KE).

1973 KE-ja pranon Danimarkën, Irlandën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

1981 Greqia hyn në KE.

1986 Portugalia dhe Spanja hyjnë në KE.

1990 KE-ja zgjerohet më tej kur Gjermania Perëndimore dhe Lindore bashkohen, duke sjellë kështu në organizatë edhe ish-Gjermaninë Lindore.

1993 Përpjekjet e anëtarëve të KE-së për një bashkim më të madh ekonomik e politik çojnë në formimin e Bashkimit Evropian (BE).

2000 Bashkimi Evropian përbëhet nga 15 vende anëtare: Austria, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Spanja dhe Suedia.

[Figura në faqen 3]

Euroja do të zëvendësojë shumë monedha evropiane

[Burimi i figurës në faqen 3]

Eurot dhe simbolet e euros në faqet 3, 5-6, dhe 8: © European Monetary Institute