2 Samuelit 24:1-25
24 Zemërimi i Jehovait u ndez përsëri+ kundër Izraelit, kur dikush e nxiti Davidin kundër tyre dhe i tha: «Shko, bëj numërimin+ e Izraelit dhe të Judës.»
2 Mbreti i tha Joabit,+ kreut të forcave ushtarake që ishte me të: «Të lutem, shko nëpër të gjitha fiset e Izraelit, nga Dani në Beer-Shebë,+ dhe regjistroni popullin.+ Kështu do të di numrin e popullit.»+
3 Por Joabi i tha mbretit: «Jehovai, Perëndia yt, e shtoftë popullin njëqindfish më shumë nga ç’është, dhe zotëria im, mbreti, e paftë këtë me sytë e vet! Por, pse vallë zotëria im, mbreti, ka dëshirë ta bëjë këtë?»+
4 Në fund, fjala e mbretit doli më e fortë+ se ajo e Joabit dhe e krerëve të forcave ushtarake. Kështu, Joabi dhe krerët e forcave ushtarake u larguan nga mbreti për të regjistruar+ popullin e Izraelit.
5 Ata kaluan Jordanin dhe e ngritën kampin në Aroer,+ në të djathtë të qytetit që ndodhet në mes të luginës së përroit, e shkuan drejt gaditëve+ dhe në Jazer.+
6 Pas kësaj vajtën në Galaad+ dhe në vendin e Tahtim-Hodshit, vazhduan drejt Dan-Jaanit dhe i ranë rreth e përqark Sidonit.+
7 Pastaj vajtën në fortesën e Tirit+ dhe në të gjitha qytetet e hivitëve+ e të kananitëve dhe mbërritën në skajin e fundit, në Negeb+ të Judës, në Beer-Shebë.+
8 Kështu, ata përshkuan mbarë vendin dhe kur u mbushën nëntë muaj e njëzet ditë mbërritën në Jerusalem.
9 Joabi i dha mbretit numrin që doli nga regjistrimi+ i popullit. Izraeli kishte tetëqind mijë shpatarë trima, kurse Juda kishte pesëqind mijë burra.+
10 Pasi e kishte numëruar popullin, Davidin nisi ta qortonte zemra.+ Prandaj i tha Jehovait: «Me këtë që kam bërë, kam mëkatuar+ rëndë. Tani, o Jehova, të lutem mos e merr parasysh+ fajin e shërbëtorit tënd, sepse kam vepruar fare pa mend.»+
11 Kur Davidi u çua në mëngjes, fjala e Jehovait iu drejtua profetit Gad,+ vegimtarit+ të Davidit:
12 «Shko dhe thuaji Davidit: “Kështu thotë Jehovai: ‘Po të vë përpara tri gjëra.+ Zgjidh njërën prej tyre dhe atë do ta bëj.’”»+
13 Atëherë Gadi vajti te Davidi dhe i tha:+ «A do që të ketë shtatë vjet zi buke në vend,+ t’ia mbathësh për tre muaj para kundërshtarëve+ të tu që të ndjekin, apo të bjerë një murtajë për tri ditë në vend?+ Tani, shiko vetë dhe më trego si t’i përgjigjem Atij që më dërgoi.»
14 Atëherë Davidi i tha Gadit: «Jam zënë shumë ngushtë. Të lutem, le të biem në duart e Jehovait,+ sepse e madhe është mëshira+ e tij, por mos më lër të bie në duart e njeriut.»+
15 Atëherë Jehovai dërgoi një murtajë+ në Izrael që nga mëngjesi e deri në kohën e caktuar, e kështu vdiqën shtatëdhjetë mijë veta+ që nga Dani deri në Beer-Shebë.+
16 Engjëlli+ e mbante dorën të shtrirë drejt Jerusalemit për ta shkatërruar, por Jehovait filloi t’i vinte keq+ për këtë gjëmë, prandaj i tha engjëllit që po shkatërronte popullin: «Mjaft! Ule tani dorën.» Dhe engjëlli i Jehovait ndodhej pranë lëmit të jebusitit+ Araunah.+
17 Kur Davidi pa engjëllin që po godiste popullin, i tha Jehovait: «Ja, unë kam mëkatuar, unë kam bërë keq. Po këto dele,+ ç’paskan bërë vallë? Të lutem, le të bjerë dora jote mbi mua+ dhe mbi shtëpinë e atit tim!»
18 Po atë ditë, më vonë, Gadi vajti te Davidi dhe i tha: «Ngrihu dhe shko ndërto një altar për Jehovain në lëmin e jebusitit Araunah.»+
19 Prandaj Davidi u ngrit sipas fjalës së Gadit, ashtu siç e urdhëroi Jehovai.+
20 Kur Araunahu pa poshtë dhe vuri re mbretin me shërbëtorët e vet që po vinin drejt tij, menjëherë doli dhe u përkul+ para mbretit me fytyrë përdhe.+
21 Pastaj Araunahu e pyeti: «Pse ka ardhur te shërbëtori i tij zotëria im, mbreti?» Davidi iu përgjigj: «Që të blej+ nga ti lëmin për t’i ndërtuar një altar Jehovait, dhe të ndalet kështu plaga+ mbi popullin.»
22 Por Araunahu i tha Davidit: «Zotëria im, mbreti, le ta marrë+ dhe le të flijojë atë që i pëlqen. Ja gjedhët për blatimin e djegur, trina shirëse dhe veglat e gjedhëve për dru.+
23 Araunahu, o mbret, i jep gjithçka mbretit.» Pastaj Araunahu i tha mbretit: «Jehovai, Perëndia yt, qoftë i kënaqur me ty!»+
24 Megjithatë, mbreti i tha Araunahut: «Jo, unë do të ta blej patjetër me një çmim.+ Nuk do t’i bëj Jehovait, Perëndisë tim, flijime të djegura që s’më kushtojnë asgjë.»+ Kështu Davidi i bleu+ lëmin dhe gjedhët për pesëdhjetë sikla argjendi.
25 Atje Davidi i ndërtoi Jehovait një altar+ dhe bëri flijime të djegura e flijime në bashkësi. Dhe Jehovai iu përgjigj përgjërimeve+ për vendin e kështu plaga mbi Izraelin u ndal.

