2 Samuelit 17:1-29
17 Ahithofeli i tha Absalomit: «Më lër, të lutem, të zgjedh dymbëdhjetë mijë burra dhe të çohem e ta ndjek Davidin sonte.+
2 Unë do t’i bie kur të jetë i lodhur e i këputur+ dhe patjetër do t’i shtie dridhmën. Gjithë njerëzit që janë me të do t’ia mbathin dhe unë do ta godas mbretin që do të ketë mbetur vetëm.+
3 Lërmë, pra, të ta sjell prapë gjithë popullin. Kthimi i të gjithëve varet nga njeriu që kërkon ti, dhe atëherë mbarë populli do të bjerë në paqe.»
4 Kjo fjalë iu duk me vend Absalomit+ dhe tërë pleqve të Izraelit.
5 Megjithatë Absalomi tha: «Thirreni, ju lutem, edhe arkitin Hushai+ e të dëgjojmë edhe atë që ka për të thënë ai.»
6 Kështu Hushai hyri tek Absalomi. Atëherë Absalomi i tha: «Këto janë fjalët e Ahithofelit. A të veprojmë sipas fjalëve të tij? Nëse jo, fol ti.»
7 Prandaj Hushai i tha Absalomit: «Këshilla që ka dhënë këtë radhë Ahithofeli nuk është e mirë.»+
8 Pastaj Hushai vazhdoi: «Ti e njeh mirë tët atë dhe njerëzit e tij dhe e di që ata janë të fuqishëm+ e me shpirt të hidhëruar,+ si një arushë që ka humbur këlyshët e saj në fushë.+ Yt atë është luftëtar+ dhe s’ka për ta kaluar natën me popullin.
9 Tani ai do të jetë fshehur+ në ndonjë gropë a në ndonjë vend tjetër. Prandaj, sapo t’u bjerë disave në fillim, kush ta marrë vesh këtë do të thotë: ‘Njerëzit që ndjekin Absalomin kanë pësuar disfatë!’
10 Edhe trimi me zemër luani+ do të ligështohej,+ sepse tërë Izraeli e di mirë që yt atë është burrë i fuqishëm,+ e të tillë janë edhe trimat që janë me të.+
11 Unë për vete të jap këtë këshillë: të mblidhet pranë teje mbarë Izraeli pa përjashtim, nga Dani në Beer-Shebë,+ ashtu si grimcat e rërës që gjenden me shumicë buzë detit,+ e shko edhe vetë në luftë.+
12 Të dalim kundër tij në ndonjë vend ku të jemi të sigurt se do ta gjejmë+ dhe të sulemi mbi të ashtu si vesa+ kur bie mbi tokë. Kështu s’do të mbetet gjallë as ai dhe as ndonjë nga njerëzit që janë me të.
13 Nëse tërhiqet në ndonjë qytet, mbarë Izraeli të çojë litarë në atë qytet dhe ne do ta tërheqim zvarrë deri te lugina e përroit, derisa atje të mos gjendet as edhe një guralec.»+
14 Atëherë Absalomi dhe tërë burrat e Izraelit thanë: «Këshilla e arkitit Hushai është më e mirë+ se këshilla e Ahithofelit!» E pra, vetë Jehovai kishte dhënë urdhër+ që këshilla e Ahithofelit, edhe pse e mirë,+ të shkonte kot,+ me qëllim që Jehovai të sillte gjëmën+ mbi Absalomin.
15 Më vonë Hushai u tha priftërinjve Sadok+ dhe Abiatar: «Kështu e kështu i këshilloi Ahithofeli Absalomin dhe pleqtë e Izraelit, kurse unë i këshillova kështu e kështu.
16 Prandaj, dërgoni me të shpejtë dikë te Davidi+ dhe i thoni: ‘Sonte mos e kalo natën në rrafshinat e shkretëtirës, por kalo medoemos matanë+ edhe ti, që të mos shfarosen+ mbreti dhe tërë njerëzit që janë me të.’»
17 Ndërkohë që Jonatani+ dhe Ahimaazi+ qëndronin në En-Rogel,+ sepse nuk donin që t’i shihnin duke hyrë në qytet, një shërbyese vajti e u tregoi. Kështu ata ikën, sepse duhej t’i tregonin mbretit David.
18 Megjithatë një i ri i pa dhe i tregoi Absalomit. Kështu, që të dy ikën me të shpejtë dhe vajtën në shtëpinë e një burri në Bahurim.+ Ky kishte një pus në oborr dhe ata u futën atje.
19 Pas kësaj gruaja mori diçka për ta mbuluar, e shtriu mbi grykën e pusit dhe mbi të bëri një kapicë me grurë të shtypur.+ Kështu s’u mor vesh asgjë.
20 Shërbëtorët e Absalomit erdhën në shtëpinë e kësaj gruaje dhe e pyetën: «Ku janë Ahimaazi dhe Jonatani?» Gruaja iu përgjigj: «Kaluan këtej për te lumi.»+ Atëherë ata vazhduan të kërkonin, por nuk i gjetën,+ kështu që u kthyen në Jerusalem.
21 Pasi këta ikën, ata dolën nga pusi, vazhduan rrugën dhe shkuan e i treguan mbretit David: «Çohuni dhe kaloni me të shpejtë lumin, sepse këtë këshillë dha Ahithofeli+ kundër jush.»
22 Menjëherë Davidi u çua bashkë me gjithë njerëzit që ishin me të. Ata vazhduan ta kalonin Jordanin derisa zbardhi dita+ dhe nuk mbeti as edhe një pa e kaluar Jordanin.
23 Kur pa se nuk ishte vepruar sipas këshillës së tij,+ Ahithofeli i vuri shalën gomarit, u çua dhe u kthye në shtëpi, në qytetin e vet.+ Pasi u dha udhëzimet e fundit njerëzve të shtëpisë,+ vari veten+ dhe vdiq.+ Atë e varrosën+ te varret e paraardhësve të tij.
24 Davidi vajti në Mahanaim,+ kurse Absalomi kaloi Jordanin bashkë me gjithë burrat e Izraelit që ishin me të.
25 Absalomi vuri Amasën+ në krye të ushtrisë në vend të Joabit.+ Amasa ishte biri i një burri që e kishte emrin Ithra+ izraeliti. Ky kishte pasur marrëdhënie me Abigailën,+ bijën e Nahashit, motrën e Zerujasë, nënës së Joabit.
26 Izraeli dhe Absalomi e ngritën kampin në vendin e Galaadit.+
27 Sapo Davidi mbërriti në Mahanaim, Shobi, biri i Nahashit nga Rabahu+ i bijve të Amonit,+ Makiri,+ biri i Amielit+ nga Lo-Debari, dhe galaditi Barzilai+ nga Rogelimi+
28 sollën shtretër, legenë, shtamba, grurë, elb, miell,+ drithë të pjekur,+ bathë,+ thjerrëza,+ drithë të tharë,
29 mjaltë,+ gjalpë,+ dhen dhe djathë të njomë lope. Ata i vunë këto përpara Davidit dhe njerëzve që ishin me të që të hanin,+ sepse thanë: «Populli në shkretëtirë është i uritur, i lodhur e i etur.»+

