Kalo te përmbajtja

30 MAJ 2017
RUSI

Gjykata e Lartë Ruse do të dëgjojë apelimin e Dëshmitarëve të Jehovait më 17 korrik 2017

Gjykata e Lartë Ruse do të dëgjojë apelimin e Dëshmitarëve të Jehovait më 17 korrik 2017

Dëshmitarët e Jehovait në Rusi apeluan vendimin e Gjykatës së Lartë që praktikisht ndaloi fenë e tyre. Vendimi që shpalli gjykatësi Jurij Ivanenko më 20 prill, ndaloi plotësisht veprimtarinë e enteve ligjore të Dëshmitarëve në mbarë vendin. Një panel me tre gjyqtarë i Dhomës së Apelit në Gjykatën e Lartë do të dëgjojë apelimin më 17 korrik 2017.

Në këtë apel kërkohet të anulohet plotësisht vendimi. Aty theksohet se vendimi nuk është bazuar në prova dhe se Dëshmitarët e Jehovait s’janë fajtorë për asnjë lloj veprimtarie ekstremiste. Gjithashtu, ky apel nxjerr në pah se akuzat që çuan në këtë vendim të Gjykatës së Lartë janë të ngjashme me ato që përdorën autoritetet për të përndjekur Dëshmitarët gjatë periudhës sovjetike, të cilët më vonë u rehabilituan dhe u shfajësuan. Për më tepër, ky apel thekson se vendimi bie në kundërshtim me Kushtetutën Ruse, e cila garanton lirinë e fesë, dhe me detyrimet e saj ndërkombëtare.

Pasojat e këtij vendimi të sjellin ndër mend shtypjen që përjetuan Dëshmitarët e Jehovait nën regjimin komunist. Autoritetet po ndjekin penalisht disa Dëshmitarë për «veprimtari ekstremiste», disa punëdhënës kanë hequr nga puna punëtorët Dëshmitarë, mësuesit i kanë kërcënuar nxënësit Dëshmitarë para shokëve të klasës dhe individë paragjykues kanë vandalizuar Sallat e Mbretërisë e u kanë hedhur bomba molotov dy shtëpive të Dëshmitarëve.

Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës shpresojnë që Dhoma e Apelit në Gjykatën e Lartë Ruse ta kuptojë sa i padrejtë është vendimi i mëparshëm dhe ta anulojë, duke mbrojtur kështu lirinë fetare dhe sigurinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi.