Kalo te përmbajtja

Një jetë vetëmohuese pavarësisht nga problemet shëndetësore

Një jetë vetëmohuese pavarësisht nga problemet shëndetësore

 Maria Lusia, nga Brazili, vuan nga sindroma Usher, një çrregullim gjenetik që në shumicën e rasteve shkakton humbje të dëgjimit dhe humbje graduale të shikimit. Që kur lindi ajo nuk dëgjonte, prandaj që e vogël mësoi gjuhën e shenjave. Pastaj, rreth moshës 30 vjeçare, ajo filloi të humbiste shikimin. Por pavarësisht nga sfidat, Maria Lusia nuk u veçua. Tani, edhe pse i ka kaluar të 70-at, ajo vazhdon të bëjë një jetë të lumtur dhe domethënëse.

 Maria Lusia takoi Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1977, pak para se të fillonte të humbiste shikimin. Ajo shpjegon: «Takova një shok që e kam pasur në shkollë, Adrianon, që kohët e fundit ishte bërë Dëshmitar. Ai më tregoi premtimin e Perëndisë për parajsën e ardhshme në tokë, ku njerëzit do të gëzojnë shëndet të përsosur. U preka kaq shumë nga ajo që më tregoi, saqë fillova të studioja Biblën. Shumë shpejt fillova të shoqërohesha me një kongregacion në Rio de Zhanejro, ku disa mbledhje interpretoheshin në gjuhën e shenjave. Me ndihmën e Jehovait përparova dhe në korrik të vitit 1978 u pagëzova.»

 Pak kohë më vonë, Maria Lusia u transferua në një kongregacion ku s’kishte Dëshmitarë që dinin gjuhën e shenjave. Në fillim e kishte shumë të vështirë, sepse nuk e kuptonte atë që thuhej në mbledhje. Por pastaj, dy motra i erdhën në ndihmë. Ato uleshin me të dhe mbanin shënim gjërat që thuheshin në mbledhje. «Kur shkoja në shtëpi,—thotë Maria Lusia,—i lexoja disa herë shënimet, derisa ta kuptoja informacionin. Më vonë, këto dy motra mësuan gjuhën e shenjave dhe u bënë interpretueset e mia.»

 Ndërsa Maria Lusisë i përkeqësohej shikimi, ajo nuk mund t’i shihte më shenjat që bënin interpretueset. Prandaj, ajo nisi të përdorte gjuhën e shenjave me të prekur. Si bëhet? Ajo shpjegon: «Vendos duart e mia te duart e personit që interpreton. Në këtë mënyrë arrij të kuptoj shenjat e interpretuesit.»

 Maria Lusia është shumë mirënjohëse për gjithë sa bëjnë interpretuesit. «Ata janë një dhuratë e çmuar nga Jehovai,—thotë ajo. Falë kësaj ndihme, arrij të nxjerr dobi nga mbledhjet e kongregacionit, asambletë dhe kongreset.»

 Maria Lusia është aktive në shërbim dhe u dëshmon atyre që nuk dëgjojnë duke përdorur gjuhën e shenjave me të prekur. Atyre u bëjnë shumë përshtypje përpjekjet e saj për t’u dhënë lajmin e mirë. Gjatë pandemisë së COVID-19, Maria Lusia u ka shkruar pafund letra atyre që nuk dëgjojnë, me ndihmën e vëllait të saj, Zhuze Antonio, që po njësoj nuk dëgjon dhe nuk shikon. a

 Si arrin ta bëjë këtë? Ajo thotë: «Përdor një copë plastike në formë L-je për të shkruar në vijë të drejtë dhe në formë paragrafi. Zhuze Antonio ka një kujtesë të shkëlqyer. Ai sugjeron temat dhe shkrimet nga Bibla, dhe unë i përfshij në letrat që shkruaj. Përpiqem të zgjedh fjalë që kuptohen lehtë nga persona që nuk dëgjojnë. Jo të gjithë janë mësuar me gjuhën e shkruar.»

 Edhe pse tani Maria Lusia është plotësisht e verbër, ajo vazhdon të jetë punëtore. Karolina, një nga interpretueset e saj, thotë: «Maria Lusia bën punët e shtëpisë dhe e mban shtëpinë të pastër e të rregullt. I pëlqen të gatuajë ushqime të ndryshme dhe t’i ndajë me miqtë.»

 Xhefersoni, i cili shërben si plak në kongregacionin e Lusias, shton: «Maria Lusia e do shumë Jehovain, i do edhe njerëzit. Është një person vetëmohues.»—Filipianëve 2:4.

a Zhuze Antonio u bë Dëshmitar pas Maria Lusias dhe u pagëzua më 2003. Edhe ai, njësoj si Maria Lusia, lindi pa aftësinë për të dëgjuar dhe me kalimin e kohës humbi shikimin.