Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vizitë në një shkretëtirë të bardhë e të paanë

Vizitë në një shkretëtirë të bardhë e të paanë

Letër nga Norvegjia

Vizitë në një shkretëtirë të bardhë e të paanë

PO AGON një mëngjes dimri. Hedhim një sy pas perdeve që të shohim si është moti. Sa emocionuese është të kundrosh një qiell të kthjellët! Do të kalojmë tri ditë duke predikuar në Finmarksvidë, një rrafshnaltë malore e madhe në veri të Rrethit Polar të Veriut.

Në Norvegji dimri është i ftohtë, prandaj jemi pak në merak si do të shkojë rruga për në shkretëtirën veriore. Sa mirë që do të udhëtojmë me tre Dëshmitarë të Jehovait që jetojnë në këtë zonë. Ata e dinë çfarë na pret dhe na kanë dhënë këshilla praktike.

Këtu ka pak rrugë, prandaj mënyra më e mirë për t’i arritur njerëzit e zonave të thella është me motoslitë. Ngarkojmë rrobat, ushqimet dhe karburantin rezervë në motoslita e në slitë. Përpara, aq larg sa sheh syri, shtrihet një rrafshnaltë malore e bardhë dhe e paanë. Dëbora shkëlqen si diamant nën rrezet e diellit. Pamja është mahnitëse.

Finmarksvida është shtëpia e disa kafshëve të egra dhe e një popullate të vogël arinjsh. Por ajo që na gëzon më shumë është mundësia që të takojmë banorët e kësaj zone të thellë. Mezi presim të njihemi me ata që flasin gjuhën sami, të cilët e sigurojnë jetesën duke kullotur drerë polarë ose duke punuar në hanet e malit.

Jashtë hanit të parë në mal, takojmë disa të rinj që, me klasën, po përshkojnë me ski gjithë vendin. Ata ndalojnë për të folur me ne dhe na pyesin ç’po bëjmë. Patjetër, ua shpjegojnë me kënaqësi. «Gjithë të mirat me Biblën!»—na thotë njëri prej tyre teksa ndahemi. Pasi kthehemi te motoslitat, kalojmë përmes liqeneve të mëdha e të ngrira dhe përmes shkretëtirës së bardhë. Mos vallë do të shohim një tufë drerësh polarë?

Ndërsa ngjitemi drejt një kasolleje të vogël, një burrë na përshëndet ngrohtësisht. Është njëri nga banorët e paktë të përhershëm këtu. Kur e vëren se na është thyer slita, afrohet me dashamirësi që ta riparojë. Ai e merr shtruar, pasi këtu njerëzit nuk nxitojnë. Qetësia e tij na lehtëson edhe ne. Pasi e riparon slitën, e falënderojmë dhe i tregojmë disa pika nga Bibla përse i lejon Perëndia vuajtjet. Ai është gjithë sy e veshë. Para se të ikim, i lëmë librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe revistat Kulla e Rojës e Zgjohuni! Duke buzëqeshur na thotë: «Faleminderit që më vizituat.»

Pasi bëjmë ca vizita të tjera, nis të bjerë muzgu dhe drejtohemi te kasollja ku do të kalojmë natën. Papritur na zë syri një dhelpër. Gëzofi i kuq vezullon dhe bën kontrast të bukur me dëborën e bardhë. Dhelpra ndalet një çast, na sheh tërë kureshtje dhe pastaj vazhdon tutje. Tani ka filluar dëbora dhe na e bën të vështirë të shohim nga po shkojmë. Ç’lehtësim është kur më në fund shohim kasollen! Ndezim sobën dhe vendi ngrohet dalëngadalë. Edhe pse të rraskapitur nga një ditë e gjatë për shkak të lëkundjeve në motoslitë, jemi të lumtur.

Mëngjesi vjen sa hap e mbyll sytë. Ngarkojmë sërish motoslitën dhe nisemi për në ultësirë, kalojmë përgjatë një shtrati lumi dhe arrijmë në një han tjetër në mal. Këtu takojmë një të ri dhe i tregojmë disa mendime nga Bibla që të japin zemër. Me dashamirësi ai na thotë si të arrijmë më kollaj te shtegu nga erdhëm.

Erdhi dita e fundit e vizitës sonë. Teksa hyjmë në Parkun Kombëtar të Stabërsdalenit, rrethohemi nga një peizazh fantastik me male të mbuluara me dëborë që rrëzëllejnë në largësi. Përpara na del një tufë e madhe drerësh polarë. Ata po hanë qetë-qetë duke përdorur thundrat e mëdha që të gërmojnë likenet dhe myshkun e fshehur nën dëborë. Më tutje, dallojmë një banor që flet sami, i cili është ulur në motoslitën e vet. Ai po ruan në heshtje drerët e tij. Qeni po kujdeset për kopenë dhe nuk i lë që të hallakaten. Sakaq, qeni ndalet që të nuhatë drejt nesh, por shpejt i kthehet detyrës. I japim bariut mesazhin tonë. Ai është miqësor e na dëgjon.

Rrugës për në shtëpi mendojmë për të gjithë ata që takuam në udhëtimin tonë prej 300 kilometrash. Ndihemi të privilegjuar që kemi pasur një pjesë të vogël për të arritur njerëzit e kësaj shkretëtire të bardhë e të paanë.

[Burimi i figurës në faqen 15]

© Norway Post