Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Në ditët e mbretit Herod»

«Në ditët e mbretit Herod»

«Në ditët e mbretit Herod»

NË PËRPJEKJE për të vrarë Jezuin kur ishte foshnjë, Herodi i Madh, mbret i Judesë, dërgoi njerëz që të masakronin të gjitha foshnjat meshkuj në Betlehem. Historia dokumenton ngjarje të shumta që ndodhën «në ditët e mbretit Herod», ngjarje që hedhin dritë mbi rrethanat e jetës dhe të shërbimit të Jezuit.—Mateu 2:1-16.

Pse Herodi donte ta vriste Jezuin? Pse kur lindi Jezui, judenjtë kishin një mbret, por kur Jezui vdiq, mbi ta sundonte guvernatori romak Ponc Pilati? Që të kemi një tablo të plotë rreth rolit të Herodit në histori dhe që të kuptojmë pse është i rëndësishëm për lexuesit e Biblës, kemi nevojë të kthehemi disa dekada prapa, para lindjes së Jezuit.

Betejat për pushtet në Jude

Në gjysmën e parë të shekullit të dytë p.e.s., në Jude sundonin Seleukajt sirianë, një nga katër dinastitë që u formuan pas ndarjes së perandorisë së Aleksandrit të Madh. Por, rreth vitit 168 p.e.s., kur mbreti seleukas u orvat të zëvendësonte adhurimin e Jehovait me kultin e Zeusit në tempullin e judenjve në Jerusalem, këta të fundit, nën udhëheqjen e familjes së Makabenjve, u ngritën në revoltë. Makabenjtë ose ndryshe hasmonenjtë, sunduan në Judë në periudhën 142-63 p.e.s.

Në vitin 66 p.e.s., dy princa hasmonenj, Hirkani dhe i vëllai, Aristobuli, luftuan për të trashëguar fronin. Si pasojë nisi lufta civile dhe të dy kërkuan ndihmën e Pompeut, një gjeneral romak që në atë kohë ishte në Siri. Pompeu përfitoi menjëherë nga rasti për të futur hundët.

Në fakt, romakët po e shtrinin ndikimin e tyre drejt lindjes dhe në atë kohë kishin nën kontroll pjesën më të madhe të Azisë së Vogël. Megjithatë, një sërë sundimtarësh të dobët në Siri kishin lejuar që ajo zonë të zhytej në anarki, duke kërcënuar paqen që romakët dëshironin të ruanin në Lindje. Prandaj, Pompeu kishte ndërhyrë për të aneksuar Sirinë.

Zgjidhja e tij për sherrin mes hasmonenjve ishte që të mbështeste Hirkanin, dhe në vitin 63 p.e.s., romakët u vërsulën në Jerusalem dhe vendosën të emëruarin e tyre. Mirëpo, Hirkani nuk do të ishte sundimtar i pavarur. Romakët tani kishin vënë një këmbë në derë dhe nuk kishin ndër mend ta hiqnin. Hirkani u bë një etnark romak i cili sundonte me ndihmën e romakëve, dhe për të ruajtur fronin duhej të kishte pëlqimin e mbështetjen e tyre. Ai mund t’i administronte punët e brendshme si të dëshironte, por në marrëdhëniet e jashtme duhej të përshtatej me politikën romake.

Ngritja e Herodit

Hirkani ishte një sundimtar vullnetdobët. Megjithatë, kishte mbështetjen e Antipatrit, një idumeas dhe babai i Herodit të Madh. Antipatri ishte fuqia që qëndronte pas fronit. Ai i mbante në fre fraksionet judaike të trazuara dhe shpejt Judea ishte faktikisht nën kontrollin e tij. Ndihmoi Jul Cezarin që të sulmonte armiqtë e tij në Egjipt dhe romakët e shpërblyen Antipatrin duke i dhënë titullin romak të prokurorit, i cili u jepte llogari drejtpërdrejt atyre. Ndërsa Antipatri emëroi bijtë e tij, Fasaelin dhe Herodin, përkatësisht guvernatorë të Jerusalemit dhe të Galilesë.

Antipatri u mësoi djemve se asgjë nuk mund të arrihej pa pëlqimin e Romës. Herodi e mbante mend mirë këtë mësim. Gjatë gjithë karrierës së tij, ai arriti t’ua bënte qejfin edhe patronëve romakë, edhe nënshtetasve të tij judenj. E ndihmonin gjithashtu aftësitë e tij si organizator dhe gjeneral. Kur e emëruan guvernator, 25-vjeçari Herod fitoi menjëherë admirimin e judenjve dhe të romakëve duke eliminuar fuqishëm bandat në territorin e tij.

Pasi rivalët helmuan Antipatrin në vitin 43 p.e.s., Herodi u bë njeriu më i fuqishëm në Jude. Por ai kishte armiq. Aristokracia e Jerusalemit e konsideronte një uzurpues dhe u përpoq ta bindte Romën që ta hiqte. Përpjekjet e tyre dështuan. Roma nuk e harronte Antipatrin dhe i vlerësonte aftësitë e të birit.

Bëhet mbret i Judesë

Zgjidhja e Pompeut për krizën e hasmonenjve në lidhje me trashëgimin e fronit, rreth 20 vjet më parë, kishte vrerosur shumë veta. Fraksioni kundërshtar vazhdimisht përpiqej të rimerrte pushtetin dhe në vitin 40 p.e.s., ia arriti me ndihmën e armiqve të Romës, partëve. Duke shfrytëzuar kaosin e krijuar nga lufta civile në Romë, ata pushtuan Sirinë dhe Judenë, hoqën Hirkanin dhe vunë në vend të tij një pjesëtar antiromak nga familja e Hasmonenjve.

Herodi iku në Romë, ku e mirëpritën ngrohtë. Romakët donin të dëbonin partët nga Judea dhe të rikthenin territorin nën kontrollin e tyre me një sundimtar të pranueshëm. Ata kishin nevojë për një aleat të besueshëm dhe e shihnin Herodin si njeriun e duhur. Prandaj, Senati i Romës e kurorëzoi Herodin mbret të Judesë. Nga senati, Herodi i priu një procesioni për në tempullin e Jupiterit, ku u paraqiti flijime perëndive pagane. Qartë, Herodi ishte gati të bënte çdo kompromis për të mos e lëshuar pushtetin.

Me ndihmën e legjioneve romake, Herodi i mundi armiqtë e tij në Jude dhe mori fronin. Hakmarrja ndaj atyre që i ishin kundërvënë, ishte brutale. Ai eliminoi hasmonenjtë dhe aristokracinë judaike që i kishte mbështetur, si edhe këdo tjetër që bezdisej nga ideja se mbi të sundonte një mik i romakëve.

Herodi forcon pushtetin

Në vitin 31 p.e.s., kur Oktaviani u shfaq si sundimtari i padiskutueshëm i romakëve duke mundur Mark Antonin në Aktium, Herodi kuptoi se miqësia e tij e gjatë me Mark Antonin do të shihej me dyshim. Kështu Herodi nxitoi ta siguronte Oktavianin për besnikërinë e tij. Nga ana e tij, sundimtari i ri romak e pranoi Herodin si mbret të Judesë dhe ia zgjeroi territoret.

Në vitet pasuese, Herodi e stabilizoi dhe e pasuroi mbretërinë e tij, duke e shndërruar Jerusalemin në një qendër të kulturës helene. Ai ndërmori projekte të mëdha ndërtimi: ndërtoi pallate, qytetin-port të Cezaresë dhe godina të reja madhështore për tempullin e Jerusalemit. Gjatë gjithë asaj kohe, politika e tij ishte përqendruar te miqësia me Romën që ishte edhe burimi i forcës së tij.

Herodi kishte kontroll të plotë mbi Judenë; autoriteti i tij ishte absolut. Gjithashtu, ai ndërhyri edhe në emërimin e kryepriftërinjve, duke caktuar në atë pozitë këdo që dëshironte.

Xhelozi vrasëse

Jeta private e Herodit ishte e trazuar. Shumica nga dhjetë gratë e tij donin që një nga djemtë e vet të trashëgonte fronin e të atit. Intrigat në pallatin mbretëror ngjallën dyshimet dhe mizorinë e Herodit. Në një shpërthim xhelozie, ai urdhëroi ekzekutimin e gruas së tij të preferuar, Mariamnes, dhe më vonë urdhëroi që dy djem të saj t’i mbytnin, ngaqë pandehte se kishin komplotuar kundër tij. Kështu, tregimi i Mateut për masakrën e Betlehemit përputhet me atë që dimë për temperamentin e Herodit dhe me vendosmërinë e tij për të eliminuar rivalët e mundshëm.

Disa thonë se, meqë e dinte se nuk gëzonte popullaritet, Herodi kishte vendosur që vdekja e tij të ishte një rast zie kombëtare e jo gëzimi. Për ta arritur këtë synim, ai arrestoi qytetarët më me influencë të Judesë dhe urdhëroi që të ekzekutoheshin të gjithë kur të njoftohej vdekja e tij. Ky urdhër nuk u zbatua kurrë.

Trashëgimia e Herodit të Madh

Pas vdekjes së Herodit, Roma vendosi që Arkelau të pasonte të atin si sundimtar i Judesë dhe dy djem të tjerë të bëheshin princa të pavarur ose tetrarkë: Antipa mbi Galilenë dhe Perenë, Filipi mbi Iturenë dhe Trakonitidën. Arkelau nuk gëzoi popullaritet mes nënshtetasve dhe patronëve të tij. Pas një dekade sundimi të paefektshëm, romakët e hoqën dhe caktuan një guvernator të tyrin, pararendësin e Ponc Pilatit. Ndërkohë, Antipa—të cilin Luka e quan thjesht Herodi—dhe Filipi vazhduan të sundonin mbi tetrarkitë e tyre. Kjo ishte situata politike në fillim të shërbimit të Jezuit.—Luka 3:1.

Herodi i Madh ishte një politikan dinak dhe një vrasës i pamëshirshëm. Ndoshta akti i tij më i keq ishte orvatja për të vrarë Jezuin kur ishte foshnjë. Shqyrtimi i rolit historik të Herodit është i dobishëm për lexuesit e Biblës: ndihmon për të hedhur dritë mbi ngjarjet kyçe të asaj periudhe, shpjegon se si romakët u bënë sundimtarë të judenjve dhe tregon kushtet që ekzistonin gjatë jetës e shërbimit të Jezuit në tokë.

[Harta në faqen 15]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Palestina dhe zonat përreth në kohën e Herodit

SIRI

ITURE

GALILE

TRAKONITIDË

Deti i Galilesë

Lumi Jordan

Cezare

SAMARI

PERE

Jerusalem

Betlehem

JUDE

Deti i Vdekur

IDUME

[Figurat në faqen 13]

Herodi ishte vetëm një nga sundimtarët e shumtë që sunduan në Jude gjatë dy shekujve para shërbimit të Jezuit