Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Udhëtim në «fund të botës»

Udhëtim në «fund të botës»

Letër nga Rusia

Udhëtim në «fund të botës»

AEROPLANI ynë i vogël nisi fluturimin nga Jakutski dhe dalëngadalë u ngjit mbi luginën e Tujmadës. Pasi lamë prapa një sërë liqenesh të ngrira me forma e përmasa të ndryshme, fluturuam mbi Vjerhojanskin, një seri me maja malesh të mbuluara me dëborë që shkëlqenin nën dritën e diellit. Pasi kishim udhëtuar 900 kilometra, më në fund prekëm tokë në fshatin Deputatskij.

Ky ishte fillimi i udhëtimeve të mia në Republikën e Sahës, e njohur edhe si Jakutija, një vend i bukur, por i ashpër, më i madh se tërë Evropa Perëndimore. Ky është një vend ku temperaturat mund të luhaten nga 40°C në verë, në -70°C në dimër dhe ku toka nxjerr mbetje fosilesh të kafshëve të stërmëdha të zhdukura prej kohësh. Megjithëse kanë kaluar disa vjet që kur vizitova atë vend, më kujtohen si të ishte dje qytezat e mbështjella nga mjegulla e dendur, agimet polare vezulluese dhe banorët e hareshëm e të fortë jakutë.

Fshati Deputatskij nuk ishte vendmbërritja jonë përfundimtare. Unë dhe shoku im i udhëtimit do të vizitonim disa fshatra të tjera. I pari ishte Hajiri, 300 kilometra më në veri, pranë detit të Laptëve, në pjesën veriore të Siberisë. Pse vendosëm të bënim këtë udhëtim? Më parë, një Dëshmitar i Jehovait kishte shkuar në këto fshatra dhe kishte gjetur shumë njerëz që donin të dinin më tepër për Biblën. Ne në Jakutsk, rreth 1.000 kilometra larg, jemi Dëshmitarët më afër tyre. E kuptonim se këta njerëz kishin nevojë për inkurajim dhe ndihmë.

Kur mbërritëm në Deputatskij, gjetëm dikë që po shkonte me makinë në Hajir dhe na mori me vete në këmbim të një pagese të vogël. Ngurruam paksa kur pamë makinën e tij—një rrangallë sovjetike që kundërmonte era naftë. Gjithsesi, vendosëm ta provonim dhe u nisëm atë mbrëmje. As që e dinim se çfarë na priste.

Sediljet e makinës ishin të ngrira si tundra jashtë dhe nuk u desh shumë që të kuptonim se ato nuk do të shkrinin. Kërkuam të ndalonim sapo të ishte e mundur dhe rrëmuam në çantat tona për të gjetur veshje të leshta të ngrohta që i veshëm sipër atyre që kishim. Por kishim vazhdimisht ftohtë.

Shoferi, një njeri i regjur nga Veriu, ishte plot gjallëri. Papritur ai pyeti: «A i keni parë ndonjëherë agimet polare?» Unë nuk i kisha parë ndonjëherë, prandaj ndali makinën dhe mezi dolëm prej saj. Për një çast, harruam gjithçka. Mbeta i shtangur dhe i mahnitur nga perdet vezulluese e shumëngjyrëshe të dritës që paloseshin e shpaloseshin sipër nesh—një pamje e mrekullueshme që dukej sikur mund ta prekje me dorë.

Në mëngjes, pa gdhirë ende, ngecëm në një pirg dëbore diku në tundrën e ngrirë. E ndihmuam shoferin të nxirrte makinën—dhe këtë e bëmë disa herë më pas—ndërsa ecnim drejt Hajirit nëpër rrugët që ishin hapur përmes shtresës së trashë të dëborës. Vetëm pasi kishte gdhirë, kuptova se «rrugët» në të vërtetë ishin lumenj të ngrirë! Më në fund, rreth mesditës, 16 orë pasi ishim nisur nga Deputatskiji, mbërritëm në Hajir. Ndonëse prisnim të sëmureshim pas një qëndrimi kaq të gjatë në të ftohtë, të nesërmen në mëngjes ishim më të freskët se kurrë. Vetëm se gishtat e këmbëve i ndieja pak të mpirë, ndoshta nga morthi. Fshatarët më dhanë ca dhjamë ariu për t’i fërkuar.

Normalisht, duhej të shkonim ne në shtëpitë e njerëzve që t’u flitnim për lajmin e mirë. Por, në Hajir, sapo fshatarët morën vesh për mbërritjen tonë, erdhën të na takonin. Çdo ditë, për dy javë e gjysmë, studionim Biblën me vendësit, disa herë nga mëngjesi herët, deri natën vonë. Sa emocionuese ishte të shihnim kaq shumë njerëz mikpritës e të ngrohtë që ishin të interesuar për Biblën. Shumë gra të moshuara jakute na thanë: «Besojmë te Perëndia. Përderisa keni ardhur deri këtu, në fund të botës, kjo tregon se ka një Zot!»

Na tërhiqnin shumë zakonet vendëse. Për shembull, vendësit i vinin stivë blloqet e akullit pranë shtëpisë si të ishin dru. Kur kishin nevojë për ujë, merrnin një nga blloqet dhe e vinin në zjarr në një enë të madhe që të tretej. Fshatarët na përgatitnin një peshk arktiku të mrekullueshëm të quajtur kir, që ishte i shijshëm kur përgatitej si stroganina, një specialitet vendës. Peshku vihet në ngrirje sapo kapet, pastaj pritet në rripa të hollë, zhytet në një përzierje me kripë e piper dhe hahet menjëherë. Gjithashtu, fshatarët kënaqeshin duke na folur për mbetjet fosile, si për shembull, dhëmbët e gjatë të mamuthëve dhe pemët e fosilizuara që gjejnë shpesh në këtë zonë.

Nga Hajiri, udhëtova qindra kilometra, kryesisht me aeroplan, për të vizituar në fshatra të tjera të Jakutijës ata që ishin të interesuar për Biblën. Sa të ngrohtë e të dashur janë ata njerëz! Njëherë, takova një djalë të vogël që kuptoi se fluturimi më krijonte ankth. Për të më dhënë zemër, më bëri një kartolinë. Vizatoi dy harabela e një aeroplan të vogël dhe shkroi: «Sasha, kur fluturon me aeroplan, mos ki frikë se mos biesh. Mateu 10:29.» Sa u preka kur pashë shkrimin! Aty Jezui thotë për harabelat: «Asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit tuaj.»

Kam treguar vetëm pak nga përshtypjet e shumta për Jakutijën. Ai vend i ashpër e i ftohtë do të më sjellë gjithnjë në mendje ata njerëz të mrekullueshëm e të ngrohtë që vërtet jetojnë në «fund të botës».

[Figurat në faqen 25]

Banorët jakutë ishin të ngrohtë e mikpritës