Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ai ‘e dinte udhën’

Ai ‘e dinte udhën’

GAJ HOLLIS PIËRSI, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, e mbaroi jetën në tokë të martën, më 18 mars 2014. Ishte 79 vjeç kur u bë realitet shpresa e tij për të qenë një nga vëllezërit e ringjallur të Krishtit.Hebr. 2:10-12; 1 Pjet. 3:18.

Gaj Piërsi lindi në Auburn të Kalifornisë, SHBA, më 6 nëntor 1934, dhe u pagëzua në vitin 1955. U martua me gruan e tij të shtrenjtë, Penin, më 1977 dhe krijuan familje. Falë përvojës si prind, sillej në mënyrë atërore. Në vitin 1982, ai me Penin tashmë ishin zhytur plotësisht në veprën e pionierit, dhe më 1986 vëllai Piërs filloi 11 vitet e shërbimit si mbikëqyrës qarkor në Shtetet e Bashkuara.

Më 1997, Gaj dhe Peni Piërsi nisën të shërbenin si pjesëtarë të familjes Bethel në Shtetet e Bashkuara. Vëllai Piërs punonte në Repartin e Shërbimit, dhe në vitin 1998 u emërua si ndihmës pranë Komitetit të Personelit të Trupit Udhëheqës. Emërimi i tij si anëtar i Trupit Udhëheqës u njoftua më 2 tetor 1999, në mbledhjen vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. Gjatë viteve pasuese shërbeu në Komitetin e Personelit, në Komitetin e Shkrimit, në Komitetin e Botimit dhe në Komitetin e Koordinatorëve.

Me buzëqeshjen e tij të ngrohtë dhe me ndjenjën e tij të humorit, vëllai Piërs bënte për vete njerëz të formimeve a kulturave të ndryshme. Megjithatë, u hynte në zemër të tjerëve sidomos me këto cilësi: dashurinë, përulësinë, respektin për ligjet e parimet e drejta dhe besimin absolut te Jehovai. Për Gaj Piërsin kishte më shumë gjasa të mos lindte dielli, sesa të mbeteshin pa u plotësuar premtimet e Jehovait, e këtë të vërtetë donte t’ia tregonte botës mbarë.

Ai i shërbeu Jehovait pa u kursyer; ngrihej herët në mëngjes e shpesh punonte deri natën vonë. Edhe pse i ra botës kryq e tërthor që t’u jepte zemër vëllezërve e motrave, nuk ishte kurrë tepër i zënë për të kaluar kohë me pjesëtarë të familjes Bethel e me të tjerë që donin shoqërinë, këshillat dhe ndihmën e tij. Edhe pas shumë vjetësh, bashkëbesimtarët kujtojnë mikpritjen, miqësinë e tij dhe inkurajimin që u jepte nga Shkrimet.

Vëllai dhe miku ynë i shtrenjtë la pas të shoqen dhe gjashtë fëmijë, si edhe nipa e mbesa, stërnipër e stërmbesa. Gjithashtu kishte plot fëmijë frymorë. Mark Sandersoni, një anëtar tjetër i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin e funeralit për vëllanë Piërs të shtunën, më 22 mars 2014, në Bethelin e Bruklinit. Ndër të tjera foli për shpresën qiellore të vëllait Piërs dhe lexoi këto fjalë të Jezuit: «Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. . . . Pasi të kem shkuar e t’ju kem përgatitur një vend, do të vij prapë e do t’ju marr në shtëpi tek unë, që ku të jem unë, të jeni edhe ju. Ju e dini udhën për atje ku po shkoj.»Gjoni 14:2-4.

Vërtet, do të na marrë malli shumë për vëllanë Piërs. Por njëherazi gëzojmë që ai ‘e dinte udhën’ për në ‘banesën’ e tij të përhershme.