Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A tregojnë fjalët e Jezuit te Mateu 19:10-12 se ata që vendosin të mbeten beqarë kanë marrë në mënyrë të mistershme dhuratën e beqarisë?

Le të shohim rrethanat në të cilat i tha Jezui këto fjalë në lidhje me beqarinë. Kur farisenjtë shkuan tek ai dhe hapën temën e divorcit, Jezui u qartësoi standardin e Jehovait për martesën. Megjithëse Ligji e lejonte burrin t’i shkruante një dëshmi divorci gruas nëse zbulonte tek ajo «ndonjë gjë të turpshme», në fillim nuk kishte qenë kështu. (Ligj. 24:1, 2) Kështu, Jezui tha: «Kushdo që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo kryen kurvëri, dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.»​—Mat. 19:3-9.

Kur dëgjuan këtë, dishepujt thanë: «Nëse është kështu puna mes burrit dhe gruas, atëherë është më mirë të mos martohesh.» Jezui ua ktheu: «Jo të gjithë njerëzit u bëjnë vend këtyre fjalëve, por vetëm ata që kanë dhuratën. Sepse ka eunukë që kanë lindur të tillë, ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit, dhe ka nga ata që janë bërë vetë eunukë, për hir të mbretërisë së qiejve. Kush mund ta pranojë këtë, le ta pranojë.»​—Mat. 19:10-12.

Eunukët ose ishin të tillë për shkak të ndonjë defekti që në lindje, ose bëheshin si pasojë e ndonjë aksidenti a gjymtimi. Por kishte edhe nga ata që, edhe pse nuk ishin eunukë, zgjidhnin me dëshirë të jetonin si të tillë. Megjithëse ishin në gjendje të martoheshin, ata ushtronin vetëkontroll dhe qëndronin beqarë «për hir të mbretërisë së qiejve». Njësoj si Jezui, vendosnin të mbeteshin beqarë, që t’i përkushtoheshin shërbimit ndaj Mbretërisë. As kishin lindur me dhuratën e beqarisë, as u ishte dhënë më pas. Faktikisht, ata i bënë vend kësaj dhurate, domethënë e zgjodhën qëllimisht.

Duke u nisur nga fjalët e Jezuit, apostulli Pavël shpjegoi se, ndonëse të gjithë të krishterët—beqarë a të martuar—mund t’i shërbejnë Perëndisë në mënyrë të pranueshme, beqarët që ‘kanë vendosur në zemër’ të qëndrojnë të tillë, ‘bëjnë edhe më mirë’. Në ç’kuptim? Të martuarit duhet të veçojnë kohë dhe energji që të kujdesen për bashkëshortin e t’i pëlqejnë atij. Kurse të krishterët beqarë mund t’i kushtohen shërbimit të Zotërisë të lirë nga ky detyrim. Ata e konsiderojnë gjendjen e tyre si një «dhuratë» nga Perëndia.​—1 Kor. 7:7, 32-38.

Kështu, nga Shkrimet kuptojmë se i krishteri nuk e merr dhuratën e beqarisë në ndonjë mënyrë të mistershme. Përkundrazi, e kultivon duke qëndruar i pamartuar që të çojë përpara interesat e Mbretërisë pa u shpërqendruar. Sot shumë kanë vendosur në zemër të qëndrojnë beqarë për këtë arsye, ndaj është mirë që të tjerët të jenë një burim inkurajimi për ta.