Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ju frikëson e ardhmja?

A ju frikëson e ardhmja?

A ju frikëson e ardhmja?

FRIKA buron nga shkaqe të ndryshme. Për shembull, disa njerëz kanë frikë se ç’do t’i ndodhë tokës. «Me këto valë nxehtësie të madhe, stuhi, përmbytje, zjarre dhe me shkrirjen masive të akullnajave, duket sikur klima po rrënohet gjithandej»,—thuhej në revistën Time të 3 prillit 2006.

Në maj të vitit 2002, Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin nxori një raport me titull «Perspektiva Botërore e Mjedisit-3». Raporti ishte përgatitur me bashkëpunimin e më shumë se 1.000 vetave. Sipas një njoftimi në lajme, në raport thuhej: «Planeti ynë ndodhet në një udhëkryq vendimtar, pasi zgjedhjet sot janë kritike për pyjet, oqeanet, lumenjtë, malet, bimët dhe kafshët e egra, si edhe për sistemet e tjera që mbështetin jetën, nga të cilat varet brezi i tanishëm dhe ai i ardhshëm.»

Por gjendja e sotme e mjedisit s’është veçse një nga shkaqet e ankthit. Tani, në mbarë botën, njerëzit jetojnë me frikën e sulmeve terroriste. Zëvendësdrejtori i agjencisë kryesore të sigurimit në Kanada, tha: «Nuk na zë gjumi natën nga shqetësimi për kërcënime që nuk i njohim.» Madje edhe vetëm duke parë lajmet në televizor, të zë ankthi!

Shumë të rritur që punojnë pa u lodhur, kanë frikë se mos humbin punën. Shkurtimet, mbyllja e ndërmarrjeve, konkurrenca në vendin e punës, si dhe kërkesat e tepruara nga punëdhënësit, mund të krijojnë një gjendje pasigurie për punën. Adoleshentët jetojnë me frikën se mos nuk pranohen nga moshatarët e tyre. Fëmijët e vegjël mund të kenë frikë se mos prindërit nuk i duan me të vërtetë. Po si ndihen për kushtet në botën që i rrethon? «Për ata që janë të vegjël e të pafajshëm, nganjëherë bota jashtë shtëpisë mund të duket një vend i madh e i frikshëm»,—tha një nënë e shqetësuar. Veç kësaj, shumë prindër jetojnë me ankthin se si po ndikon prishja e moralit në botë te njerëzit e tyre të dashur, e sidomos te fëmijët.

Të moshuarit shpesh kanë frikë se mos bien nga shkallët ose se mos i sulmojnë në rrugë. Po, ata ‘frikësohen nga ajo që është e lartë dhe nga tmerret e udhës’. (Eklisiastiu 12:5) Pastaj është edhe frika e sëmundjeve të rënda. Kur dëgjojmë lajme për viruse gripi vdekjeprurëse, për kancere dhe për sëmundje ngjitëse, kemi frikë se mos marrim ndonjë sëmundje të re e të çuditshme, që mund të na lërë të gjymtuar ose të na marrë jetën neve dhe familjes sonë. Fundja, kur shohim të sëmuren e të mpaken njerëz që janë të shëndetshëm e tërë gjallëri, si të mos merakosemi se mos na ndodh e njëjta gjë neve ose njerëzve që duam? Sa e trishtueshme është të shohësh në sytë e një njeriu të sëmurë dhe të vëresh se janë pa asnjë fije shprese!

Meqë përballemi me gjithë këto gjëra që shkaktojnë frikë, a kemi ndonjë arsye të vlefshme për të qenë optimistë për të ardhmen? A ka diçka që mund të na ndihmojë të mbajmë një pikëpamje pozitive për jetën? Në artikullin vijues do t’u jepet përgjigje këtyre pyetjeve.

[Burimi i figurës në faqen 3]

© Jeroen Oerlemans/​Panos Pictures