Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeta nën kontrollin e besëtytnive

Jeta nën kontrollin e besëtytnive

Jeta nën kontrollin e besëtytnive

SAPO dilni nga shtëpia ndesheni ballë për ballë me dikë. Vritni gishtin e këmbës te një gur. Një lloj zogu krakëllin natën. Shihni vazhdimisht të njëjtën ëndërr. Për disa, këto janë vetëm ngjarje të padëmshme. Por, për disa popuj në Afrikën Perëndimore ato mund të shihen si shenja, ogure ose mesazhe nga bota e frymërave. Në varësi të shenjës dhe të interpretimit të saj, mendohet se pritet ose fat i mirë, ose fatkeqësi.

Natyrisht që besëtytnitë ekzistojnë edhe jashtë Afrikës. Ndonëse kanë jetuar shumë vjet në ateizmin e shpallur zyrtarisht, një numër i jashtëzakonshëm njerëzish në Kinë dhe në republikat e ish-Bashkimit Sovjetik ende janë shumë të lidhur me besëtytnitë. Në vendet perëndimore shumë veta i drejtohen për këshilla horoskopit, kanë tmerr datën 13 të muajit kur bie e premte dhe u shmangen maceve të zeza. Në Veriun e Largët disa popuj i shohin agimet polare si një ogur lufte dhe murtaje. Në Indi po përhapet SIDA nga shoferët e kamionëve, të cilët besojnë se për të mbetur të freskët gjatë ditëve të nxehta duhet të kryejnë marrëdhënie seksuale. Në Japoni punëtorët e tuneleve besojnë se sjell fat të keq nëse një grua hyn në tunel përpara se të jetë mbaruar. Gjithashtu, besëtytnitë lulëzojnë në sportet profesionale. Madje një lojtar volejbolli ia dha meritën e fitoreve të njëpasnjëshme faktit që kishte veshur çorape të zeza, në vend të të bardhave. Lista është pa fund.

Po ju? A keni vallë një frikë të fshehtë, të pashpjegueshme? A ndikoheni nga një «besim, ndonjëfarë besimi apo zakon për të cilin duket se nuk ka një shpjegim logjik»? Përgjigjja juaj mund të zbulojë nëse ndikoheni apo jo nga bestytnitë, sepse kështu e përkufizon këtë fjalë një vepër referimi.

Një individ, i cili lejon që besëtytnitë të ndikojnë në vendimet dhe në rutinën e tij të përditshme, po e lë veten të sundohet nga diçka që ai në të vërtetë nuk e kupton. A është e mençur kjo gjë? A duhet t’i nënshtrohemi një ndikimi të tillë të mjegullt e ndoshta edhe të lig? A janë besëtytnitë një dobësi e parëndësishme apo një kërcënim i rrezikshëm?