Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një mësim nga historia romake

Një mësim nga historia romake

Një mësim nga historia romake

«NËSE, si burrat, jam kacafytur me bishat në Efes.» Disa mendojnë se këto fjalë, të shkruara në 1 Korintasve 15:32, nënkuptojnë se apostulli Pavël ishte dënuar të ndeshej me bishat në një arenë romake. Sido që të ishte, ndeshjet deri në vdekje nëpër arena ishin të zakonshme në atë kohë. Çfarë na thotë historia për arenat dhe ngjarjet që ndodhnin atje?

Si të krishterë ne dëshirojmë ta modelojmë ndërgjegjen sipas mënyrës së të menduarit të Jehovait. Kjo mënyrë të menduari mund të na ndihmojë të marrim vendime për zbavitjet moderne. Për shembull, shqyrtoni se si mendon Perëndia për dhunën, nga ajo që pasqyrohet në fjalët: «Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij.» (Fjalët e urta 3:31) Të krishterët e hershëm mund ta përdornin këtë këshillë si udhëheqje në kohën kur shumë veta përreth tyre çmendeshin pas ndeshjeve romake me gladiatorë. Duke shqyrtuar se çfarë ndodhte në këto ngjarje, le të shohim se cili mësim është i qartë për të krishterët sot.

Dy gladiatorë të armatosur qëndrojnë përballë njëri-tjetrit në një arenë romake. Pas goditjeve të para të shpatave në mburoja, turma e shfrenuar fillon të bërtasë në përkrahje të atij që pëlqen më shumë. Është një dyluftim i dëshpëruar. Shpejt, njëri prej tyre, i plagosur dhe në pamundësi për të vazhduar, ul armët dhe gjunjëzohet, duke pranuar humbjen dhe duke lypur mëshirë. Zhurma e të bërtiturave rritet edhe më shumë. Disa nga turma bërtasin për mëshirë, të tjerë për vdekjen e tij. Të gjithë ia kanë ngulur sytë perandorit. Ky, duke qenë i vëmendshëm ndaj tekave të masave, ose mund ta lirojë luftëtarin e mundur, ose mund të urdhërojë vdekjen e tij, duke e ulur poshtë gishtin e madh të dorës.

Romakët ishin të apasionuar për shfaqjet me gladiatorë. Ndoshta do të habiteni po të mësoni se fillimisht këto dyluftime bëheshin në funeralet e personaliteteve të rëndësishme. Besohet se ndeshjet e kishin origjinën te flijimet në njerëz ndër popullsitë oskane ose samnite, që sot përkon me Italinë Qendrore. Flijimet bëheshin për të qetësuar frymërat e të vdekurve. Ky luftim quhej munus ose «dhuratë» (në shumës, munera). Ndeshjet e para të dokumentuara në Romë u mbajtën në vitin 264 p.e.s., kur tre çifte gladiatorësh u ndeshën në tregun e gjedhëve. Në funeralin e Mark Emil Lepidit, u bënë 22 dyluftime. Në funeralin e Publi Licinit, u bënë 60 dyluftime. Në vitin 65 p.e.s., Jul Cezari nxori në arenë 320 çifte.

«Funeralet e aristokratëve ishin shfaqje politike,​—thotë historiani Keit Hopkins,​—dhe garat në këto funerale kishin ngjyrime politike . . . sepse pëlqeheshin nga shtetasit që ishin zgjedhës. Në të vërtetë, madhështia e shfaqjeve me gladiatorë u bë gjithnjë e më e madhe kryesisht si pasojë e konkurrencës politike ndërmjet aristokratëve ambiciozë.» Në kohën e mbretërimit të Augustit (27 p.e.s deri në 14 të e.s.) këto munera ishin shndërruar në dhurata luksoze për zbavitjen e masave, që zyrtarët e pasur shtetërorë bënin për të përkrahur karrierën e tyre politike.

Pjesëmarrësit dhe stërvitja

‘Kush ishin gladiatorët?’​—mund të pyesni. Mund të kenë qenë skllevër, kriminelë të dënuar me vdekje, robër lufte ose njerëz të lirë që i tërhiqte entuziazmi a shpresa për famë e për pasuri. Të gjithë stërviteshin nëpër shkolla që u ngjanin më tepër burgjeve. Libri Giochi e spettacoli (Lojëra dhe shfaqje) raporton se gladiatorët që stërviteshin «ruheshin gjithnjë me roja dhe i nënshtroheshin disiplinës së rreptë, rregullave më të rënda dhe ndëshkimeve veçanërisht të ashpra . . . Ky trajtim shpesh çonte në vetëvrasje, në rebelim dhe në kryengritje». Shkolla më e madhe e gladiatorëve në Romë kishte qeli për të paktën një mijë të burgosur. Secili ishte specializuar në një lloj të veçantë luftimi. Disa luftonin me armaturë, me mburojë e me shpatë, të tjerë me rrjetë e sfurk tredhëmbësh. Kishte edhe të tjerë që stërviteshin për t’u ndeshur me bishat në një lloj tjetër të përhapur shfaqjeje, që quhej gjuetia. Mos ndoshta Pavli po fliste pikërisht për një ngjarje të tillë?

Për të gjetur gladiatorë, organizuesit e shfaqjeve mund t’u drejtoheshin sipërmarrësve që rekrutonin dhe stërvitnin 17 ose 18-vjeçarë për t’u bërë profesionistë. Trafiku i njerëzve ishte një tregti e begatë. Në një shfaqje të jashtëzakonshme që ofroi Trajani për të kremtuar një fitore ushtarake, në arenë dolën 10.000 gladiatorë dhe 11.000 kafshë.

Një ditë në arenë

Mëngjeset nëpër arena u kushtoheshin gjuetive. Në arenë nxirrnin me forcë bisha të çdo lloji. Shikuesit pëlqenin në mënyrë të veçantë ndeshjet midis demave dhe arinjve. Shpesh, këto dy kafshë i lidhnin me njëra-tjetrën që të ndesheshin derisa njëra të ngordhte, pastaj atë kafshë që fitonte e vriste një gjuetar. Kombinime të tjera të përhapura ishin luanë me tigra ose elefantë me arinj. Gjuetarët e tregonin mjeshtërinë e tyre duke vrarë mizorisht kafshë ekzotike të sjella nga çdo cep i perandorisë, pa kursyer asnjë shpenzim: leopardë, rinoqerontë, hipopotamë, gjirafa, hiena, deve, ujq, derra të egër dhe antilopa.

Efektet skenike i bënin të paharrueshme gjuetitë. Shkëmbinj, pellgje me ujë dhe pemë përdoreshin për të paraqitur pyjet. Në disa arena, bishat shfaqeshin si me magji, duke dalë nga ashensorë të nëndheshëm dhe nga dyer të maskuara. Sjelljet e paparashikuara të kafshëve e shtonin interesin, por ajo që duket se i bënte gjuetitë veçanërisht mahnitëse ishte mizoria.

Më pas në program vinin ekzekutimet. Bëheshin përpjekje që këto të paraqiteshin në mënyra origjinale. Paraqiteshin drama mitologjike ku aktorët vdisnin me të vërtetë.

Gjatë pasditeve, ndesheshin grupe të ndryshme gladiatorësh të armatosur në mënyra të veçanta e të stërvitur me teknika të ndryshme. Disa prej atyre që hiqnin nga arena kufomat e të vrarëve ishin të veshur si perëndia i botës së nëndheshme.

Efekti te shikuesit

Etja e turmave për veprim ishte e papërmbajtur, kështu që luftëtarët e pavendosur i shtynin me kamxhikë dhe me hekura për damkosje. Turmat ulërinin: «Pse i përgjigjet shpatës si burracak? Përse godet kaq dobët? Përse nuk vdes [me gatishmëri]? Goditeni me kamxhikë që të ndeshet! Le t’i përgjigjet goditjes me goditje, me kraharorin hapur, gati për të pritur shpatën!» Seneka, një burrë shteti romak, shkruan se gjatë një pushimi të vogël u dha njoftimi: «Gjatë pushimit do të ketë ca therje, që zbavitja të vazhdojë ende!»

S’është për t’u habitur që Seneka pranon se u kthye në shtëpi «më mizor e më çnjerëzor». Ia vlen të mendojmë thellë për komentin e ndershëm të këtij shikuesi. A mund të ndikohen në mënyrë të ngjashme shikuesit në disa sporte të sotme, duke u bërë ‘më mizorë e më çnjerëzorë’?

Disa mund ta kenë ndier veten fatlumë edhe që janë kthyer gjallë në shtëpi nga këto shfaqje. Kur një shikues bëri një koment sarkastik për Domicianin, ky perandor urdhëroi që ta tërhiqnin zvarrë nga vendi ku ishte ulur dhe t’ia hidhnin qenve. Meqenëse nuk kishte kriminelë për t’i ekzekutuar, Kaligula urdhëroi që një pjesë e turmës së shikuesve të merrej e t’u hidhej bishave. E në një rast tjetër, kur makineritë që përdoreshin në skenë nuk funksionuan siç donte ai, Klaudi urdhëroi që mekanikët përgjegjës të ndesheshin në arenë.

Edhe fanatizmi i shikuesve çonte në rrëmuja e në përleshje. Një amfiteatër në veri të Romës u shemb dhe thuhet se mijëra veta vdiqën. Gjatë një shfaqjeje në Pompei, në vitin 59 të e.s. shpërtheu një përleshje. Taciti raporton se acarimet ndërmjet turmës vendëse dhe rivalëve që kishin ardhur nga një qytet aty afër filluan me shkëmbime fyerjesh, pastaj me gurë dhe mbaruan me shpata. Pati të gjymtuar e të plagosur dhe shumë të vrarë.

Një mësim i qartë

Një ekspozitë e kohëve të fundit me titull Sangue e arena (Gjak dhe arenë) në Koloseun e Romës rikujtonte disa paralele moderne të këtyre lojërave të quajtura munera. Është domethënëse se aty tregoheshin pjesë të filmuara nga ndeshjet me dema, boksi profesional, përplasje të tmerrshme në gara automobilistike dhe me motoçikleta, përleshje të egra mes atletëve në gara dhe përleshje ndërmjet shikuesve. Prezantimi mbaronte me një pamje të Koloseut të marrë nga lart. Çfarë mendoni se duhej të nxirrnin si përfundim vizitorët? Sa prej tyre do të nxirrnin mësim?

Dyluftimet me qen, me gjela, me dema, si edhe sportet e dhunshme janë të zakonshme në disa vende sot. Në sportet me mjete të motorizuara, rrezikohet jeta e njerëzve për t’u shkaktuar emocione turmave shumë të mëdha. Po ashtu, mendoni për shfaqjet e përditshme televizive. Në një vend perëndimor, studimet tregonin se një fëmijë tipik që sheh televizor, deri në moshën dhjetëvjeçare ka parë 10.000 vrasje dhe 100.000 akte dhune.

Tertuliani, shkrimtar i shekullit të tretë, thoshte se kënaqësitë e shfaqjeve «nuk ishin në përputhje me fenë e vërtetë dhe me bindjen e vërtetë ndaj Perëndisë së vërtetë». Njerëzit që i ndiqnin këto shfaqje ai i shihte si bashkëpunëtorë të atyre që bënin vrasjet. Ç’të themi për sot? Secili mund të pyesë veten: ‘A më zbavitin shfaqjet ku ka gjak, vdekje ose dhunë, në televizor ose në Internet?’ Ia vlen të kujtojmë se në Psalmin 11:5 thuhet: «Zoti vë në provë të drejtin, por shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën.»

[Kutia në faqen 28]

Ndeshje për të «qetësuar të vdekurit»

Lidhur me origjinën e ndeshjeve të gladiatorëve, Tertuliani, shkrimtar i shekullit të tretë, thotë: «Pasi i kishin zbutur këto shfaqje me një formë më të kulturuar mizorie, njerëzit në lashtësi mendonin se ato u bënin një shërbim të vdekurve. Kjo sepse, në lashtësi, të bindur se shpirtrat e të vdekurve qetësohen me anë të gjakut njerëzor, në funerale ata e kishin zakon të flijonin robër ose skllevër që s’vlenin shumë, të cilët i blinin. Më pas, iu duk mirë ta maskonin mizorinë e tyre duke e kthyer këtë rit në një kënaqësi. Kështu, pasi njerëzit e zgjedhur stërviteshin me armët që ishin në atë kohë dhe sa më mirë që mundeshin​—imagjinoni që stërviteshin të mësonin se si të vdisnin!​—vriteshin në ditën e caktuar të funeralit, nëpër varre. Pra, ngushëllimin për vdekjen që u kishte ndodhur e gjenin duke parë vrasje. Kjo është origjina e munusit. Por dalëngadalë këto u bënë edhe më të rafinuara, edhe më mizore; kënaqësia e ditëve të pushimit nuk ishte e plotë në qoftë se bishat e egra nuk bënin edhe ato pjesën e tyre për të shqyer trupat e njerëzve. Ajo që ofrohej për të qetësuar të vdekurit llogaritej si një rit funerali.»

[Figura në faqen 27]

Helmetë dhe mbrojtëse për kërcirin e këmbës, pajisje të lashta gladiatorësh

[Figurat në faqen 29]

Të krishterët në lashtësi e quanin të papranueshme zbavitjen e dhunshme. Po ju?

[Burimet]

Ndeshje boksi: Dave Kingdon/Index Stock Photography; përplasje makinash: AP Photo/Martin Seppala

[Burimi i figurës në faqen 26]

Phoenix Art Museum, Arizona/Bridgeman Art Library