Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Çfarë donte të thoshte Pavli kur e quajti veten ‘një foshnjë të lindur para kohe’? (1 Korintasve 15:8)

Te 1 Korintasve 15:8, Pavli tha: «Të fundit nga të gjithë, m’u shfaq edhe mua, si të isha një foshnjë e lindur para kohe.» Në të kaluarën kemi shpjeguar se në këtë varg Pavli me sa duket po fliste për momentin kur pa në vegim Jezuin në lavdinë e tij qiellore. Ishte sikur të kishte marrë para kohe privilegjin që të lindte, ose të ringjallej, si krijesë qiellore, shekuj para se të ndodhte ajo lloj ringjalljeje. Megjithatë, studimi i mëtejshëm i këtij vargu na tregon se kemi nevojë të ndryshojmë mënyrën si e shpjegojmë atë.

Vërtet, në këtë varg Pavli po flet për atë që ndodhi kur u bë i krishterë. Por çfarë donte të thoshte kur e quajti veten ‘një foshnjë të lindur para kohe’? Ka disa shpjegime.

Kthimi në besim i Pavlit ishte i beftë dhe tronditës. Shpesh një lindje e parakohshme vjen papritur. Kur Sauli (që më vonë u bë i njohur si Pavli) po shkonte në Damask që të përndiqte të krishterët, nuk e priste t’i shfaqej në ndonjë vegim Jezui i ringjallur. Kthimi në besim i Pavlit nuk ishte i befasishëm vetëm për të, por edhe për të krishterët që kishte planifikuar të persekutonte në atë qytet. Gjithashtu, në atë rast Pavli humbi shikimin përkohësisht. E gjithë kjo ngjarje ishte tepër tronditëse për të.—Vep. 9:1-9, 17-19.

Pavli u bë i krishterë kur asnjë nuk e priste. Shprehja origjinale greke, që përkthehet «një foshnjë e lindur para kohe», mund të përkthehet edhe «i lindur në kohën e gabuar». Versioni The Jerusalem Bible e përkthen kështu vargun: «Ishte sikur të kisha lindur kur asnjë nuk e priste.» Jezui tashmë ishte kthyer në qiell kur Pavli u bë i krishterë. Ndryshe nga të krishterët që përmendi disa vargje më sipër, Pavli nuk e kishte parë Jezuin e ringjallur para se ai të ngjitej në qiell. (1 Kor. 15:4-8) Shfaqja e papritur e Jezuit ia dha këtë mundësi Pavlit, ndonëse mund të duket sikur ndodhi «në kohën e gabuar», pra atëherë kur askush nuk e priste.

Ai po fliste me modesti për veten. Sipas disa studiuesve, shprehja që përdori Pavli mund të ketë një ngjyrim përçmues. Nëse po e përdorte shprehjen për këtë arsye, atëherë Pavli po pranonte se nuk ishte i denjë që të ishte apostull. Ai vazhdoi me këto fjalë: «Unë jam në fakt më i vogli i apostujve dhe nuk jam i denjë të quhem apostull ngaqë e përndoqa kongregacionin e Perëndisë. Por falë mirësisë së pamerituar të Perëndisë jam ky që jam.»—1 Kor. 15:9, 10.

Pra, me sa duket Pavli po i referohej mënyrës së beftë si iu shfaq Jezui, faktit që u bë i krishterë atëherë kur askush s’e priste ose faktit që ndihej i padenjë për këtë vegim të jashtëzakonshëm. Sido që të jetë, për Pavlin kjo ishte një ngjarje tejet e rëndësishme. Pas atij rasti, ai s’kishte pikë dyshimi që Jezui ishte ringjallur. Prandaj nuk çuditemi që Pavli e përmendte shpesh këtë ngjarje të papritur kur u predikonte të tjerëve për ringjalljen e Jezuit.—Vep. 22:6-11; 26:13-18.