Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zonja e pikturuar—Zbulohet misteri

Zonja e pikturuar—Zbulohet misteri

VËZHGUESIT evropianë prej kohësh i kanë admiruar fluturat shumëngjyrëshe zonja e pikturuar (Vanessa cardui) dhe kanë pyetur çfarë ndodh me to në fund të verës. Mos ndoshta thjesht marrin fund kur nis të ftohtët? Kërkimet e fundit zbulojnë një të vërtetë mahnitëse. Fluturat bëjnë një udhëtim të përvitshëm nga veriu i Evropës deri në Afrikë dhe anasjelltas.

Studiuesit bashkuan të dhënat e radarëve të sofistikuar me vëzhgimet e mijëra vullnetarëve nga e gjithë Evropa. Rezultatet treguan se, teksa afron fundi i verës, miliona flutura zonja e pikturuar shtegtojnë së bashku drejt jugut. Shumica fluturon në një lartësi prej më shumë se 500 metrash ku vështirë se dallohen nga njeriu. Fluturat presin erërat e favorshme falë të cilave fluturojnë me një shpejtësi prej 45 kilometrash në orë në këtë udhëtim të gjatë për në Afrikë. Shtegtimi i tyre i përvitshëm arrin deri në 15.000 kilometra, duke nisur nga kufijtë e Arktikut në veri e duke përfunduar në Afrikën tropikale Perëndimore në jug. Ato përshkojnë një distancë dy herë më të madhe se fluturat monark të Amerikës së Veriut. Duhen gjashtë breza të njëpasnjëshëm të fluturave zonja e pikturuar që të përfundojnë udhëtimin e tyre vajtje-ardhje.

Profesoresha Xhejn Hill nga Universiteti i Jorkut në Angli shpjegon: «Zonja e pikturuar nuk ndalet, por shumohet e vazhdon përpara.» Çdo vit, e gjithë popullata e tyre përshkon këtë udhë nga veriu i Evropës deri në Afrikë dhe anasjelltas.

«Këto krijesa të vockla që peshojnë më pak se një gram, me tru sa koka e gjilpërës dhe pa mundësi për të mësuar nga fluturat më të moshuara e më me përvojë, marrin përsipër këtë shtegtim madhështor ndërkontinental»,—thotë Riçard Foksi, drejtor i kërkimeve në Butterfly Conservation. Duke folur për këto insekte, Foksi shton se «njëherë e një kohë mendohej se lëviznin verbërisht në mëshirë të erës dhe në fund ngordhnin nga dimri i egër britanik, pa shpresë për të përmirësuar fatin e tyre». Megjithatë, ky studim «tregon se fluturat zonja e pikturuar janë shtegtare të sofistikuara».