Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Celularët ndihmojnë për të shmangur persona të padëshiruar​—13% e atyre që kanë celularë, janë shtirur sikur po flitnin në celularë vetëm e vetëm që të mos flitnin me personat përreth.»​—PEW RESEARCH CENTER, SHBA.

Pesë vitet e fundit, sipërfaqja e akullt në Arktik në stinën e verës ka rrokur shifrat më të ulëta të dokumentuara ndonjëherë.​—BBC NEWS, BRITANI.

«Rreth 47% e tokës bujqësore në Afrikë mbetet ende e pakultivuar.»​—THE WITNESS, AFRIKA E JUGUT.

«Gjatë 10 viteve të fundit, 10 vende (Holanda, Belgjika, Kanadaja, Spanja, Afrika e Jugut, Norvegjia, Suedia, Portugalia, Islanda dhe Argjentina) kanë ligjëruar martesën brenda së njëjtës gjini.»​—FAMILY RELATIONS, SHBA.

«Trazirat» kanë lënë vraga

Një anketë e zhvilluar në Irlandën e Veriut tregon se konflikti politiko-fetar i atjeshëm ka lënë vraga. Ky konflikt, që nga vendësit njihet me emrin «the Troubles» (Trazirat), zgjati gati tri dekada dhe bëri që dy të tretat e popullsisë të përjetonin incidente traumatike. Një universitet irlandez zbuloi se gati 1 në 10 njerëz në Irlandën e Veriut, në një fazë të caktuar të jetës, do të kenë vuajtur nga stresi post-traumatik. (The University of Ulster’s Bamford Centre for Mental Health and Wellbeing) Siç e cilëson gazeta The Irish Times, kjo është «një nga shifrat më të larta» në gjithë botën. Gazeta shton se ky konflikt «ishte ndër konfliktet më të këqija, duke pasur parasysh raportin e viktimave me popullsinë që ishte 1 me 500».

Moti ekstrem është bërë «më se i zakonshëm»

Në Shtetet e Bashkuara, moti po bëhet gjithnjë e më i pazakonshëm. Ajo që më parë konsiderohej mot ekstrem​—përmbytjet masive, thatësira fatale dhe stuhitë e tmerrshme të borës—​tani është bërë «më se i zakonshëm». Në një eveniment të organizuar nga Lidhja e Shkencëtarëve Aktivistë, klimatologia Kethrin Hejho në Universitetin Teknologjik të Teksasit, tha para kolegëve: «Jemi mësuar me disa kushte atmosferike, por sot po ndodhin shumë të tjera me të cilat nuk jemi mësuar.» Ajo dhe ekspertë të tjerë besojnë se dora e njeriut po shkakton ndryshime klimatike dhe mot të paqëndrueshëm në mbarë botën.