Xhon Foksi dhe koha e tij e trazuar

Xhon Foksi dhe koha e tij e trazuar

Xhon Foksi dhe koha e tij e trazuar

A KA mësuar njerëzimi nga gabimet e së kaluarës? Mendoni rreth kësaj pyetjeje teksa shqyrtoni jetën e Xhon Foksit, anglezit që mori në dorë penën me shpresën se lexuesit do të ndienin neveri për mizoritë e patregueshme që kishin njollosur kohën e tij.

Tregimet e Xhon Foksit, të shkruara gjatë periudhës së Reformës, patën një ndikim vërtet të fuqishëm te populli anglez për shekuj me radhë. Atij iu deshën më shumë se 25 vjet të përfundonte librin, të titulluar Bëmat dhe monumentet e Kishës (Acts and Monuments of the Church). Disa thonë se libri i tij është i dyti pas Biblës në anglisht që ka ndikuar aq shumë në gjuhën dhe kulturën angleze.

Vite të trazuara

Xhon Foksi lindi në Boston të Anglisë në vitin 1516 ose 1517. Sipas traditës, pak a shumë në të njëjtën kohë Martin Luteri gozhdoi në derën e një kishe në Uitenberg të Gjermanisë 95 teza si protestë. Kështu, Foksi, një katolik romak që nga lindja, doli në skenë në kohën kur reformatorët po sfidonin autoritetin dhe dogmat e kishës katolike.

Foksi u regjistrua në Universitetin e Oksfordit, ku ndër të tjera studioi greqisht dhe hebraisht, e falë tyre mundi ta lexonte Biblën në gjuhët e saj origjinale. Me sa duket, kjo i ngjalli dyshime për disa nga bindjet e tij katolike. Faktikisht, studentët e tjerë filluan të mendonin se ai mund të ishte bërë protestant, dyshim që ua shprehën edhe krerëve të kolegjit. Pas kësaj, Foksit nuk ia ndanë sytë.

Pasi u diplomua në vitin 1543, Foksi mund të ishte shuguruar prift. Por nuk pranoi, pasi nuk ishte dakord me beqarinë e detyruar. Ky qëndrim u vuri kapak gjërave. I dyshuar për herezi që, nëse provohej, mund t’i kushtonte jetën, ai u largua nga universiteti më 1545-n. Pasi braktisi një karrierë akademike premtuese, Foksi u bë mësues privat në një familje afër qytetit Stratford-mbi-Avon, Uaruikshir. Atje u martua me Anjezë Rendëllin.

Anjeza vinte nga Koventri, një vend aty afër, dhe i tregoi Foksit për një vejushë me emrin Smith, e cila u kishte mësuar fëmijëve Dhjetë Urdhërimet dhe lutjen model të Jezuit, që shpesh quhet Lutja e Zotërisë. Por, ajo ua kishte mësuar në anglisht dhe jo në latinisht. Për këtë «krim» e dogjën të gjallë bashkë me gjashtë burra që ishin akuzuar për të njëjtën gjë. Kjo padrejtësi e paparë i zemëroi njerëzit, ndaj peshkopi i zonës hapi fjalë se viktimat u dogjën për një «krim më të rëndë»: kishin ngrënë mish të premteve dhe në ditë të tjera agjërimi.

Si u kishin rënë në dorë këtyre martirëve pjesë të Biblës në anglisht? Rreth 150 vjet më parë, pavarësisht nga kundërshtimi i kishës, Xhon Uajklifi e kishte përkthyer Biblën nga latinishtja në anglisht. Madje, ai kishte stërvitur predikues udhëtues të njohur si lolardët. * Ata mbanin pjesë të shkruara me dorë nga Shkrimet, të cilat ua lexonin njerëzve. Për pasojë, parlamenti u përpoq ta ndalte këtë aktivitet. Në vitin 1401, ai miratoi një dekret sipas të cilit peshkopët kishin në dorë t’i burgosnin e t’i torturonin heretikët, si dhe t’i digjnin të gjallë.

Nga frika e arrestimit, Foksi u shpërngul me familjen në Londër, ku më vonë mbështeti hapur çështjen e protestantëve. Atje ai përktheu në anglisht fletushka të reformatorëve gjermanë, si dhe fletushka të tjera të shkruara në latinisht. Madje, shkroi disa fletushka edhe vetë.

Veç këtyre, Foksi nisi të hartonte historinë e lolardëve në Angli, të cilën e përfundoi në vitin 1554. Vepra u botua në Strasburg, sot një qytet i Francës, si një vëllim i vogël 212-fletësh në latinisht. Në fakt, ky ishte vëllimi i parë i veprës së tij Bëmat dhe monumentet e Kishës. Pesë vjet më vonë, ai e zgjeroi këtë vëllim që arriti në 750 faqe më të mëdha.

Intoleranca mbolli vdekje

Gjatë Reformës në Evropë u vranë mijëra burra, gra e fëmijë. Në vitin 1553, në fronin e Anglisë u ngjit një katolike e flaktë e njohur si Maria Gjakatare. Meqenëse më 1534-n parlamenti anglez kishte prerë të gjitha lidhjet me Kishën Katolike të Romës, ajo ishte e vendosur të kthente autoritetin e papës në Angli. Gjatë mbretërimit 5-vjeçar të Marisë, u dogjën të gjallë si heretikë rreth 300 burra e gra, duke përfshirë edhe krerë të Kishës Protestante. Shumë të tjerë vdiqën nëpër burgje.

Foksi i mbijetoi kësaj periudhe sepse, menjëherë pas kurorëzimit të Marisë, u shpërngul bashkë me familjen në Bazel të Zvicrës. Në vitin 1559, një vit pasi u ngjit në fron Elizabeta, motra protestante e Marisë, ai u kthye në Angli bashkë me të mërguar të tjerë. Po atë vit, Elizabeta kishte rivendosur Aktin e Supremacisë *, që e bënte atë Guvernatoren Supreme të Kishës. Atëherë, në vitin 1570, papa Piu V e shkishëroi Elizabetën. Shpejt u zbuluan komplote ndërkombëtare kundër Anglisë, si dhe plane për eliminimin e mbretëreshës protestante. Kështu, qindra katolikë u akuzuan për tradhti dhe u vranë me urdhër të Elizabetës.

Sa shumë ishin larguar nga mësimet e Jezu Krishtit kishat e krishterimit të rremë, si ajo katolike ashtu edhe ajo protestante! Ai mësoi: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.» (Mateu 5:44) Duke e shpërfillur këtë urdhërim mjaft të qartë, qoftë katolikët, qoftë protestantët, e turpëruan krishterimin e vërtetë, siç ishte parathënë në Bibël. Apostulli Pjetër shkroi se ‘udha e së vërtetës do të shahej’ për faj të atyre që gjoja ishin të krishterë.—2 Pjetrit 2:1, 2.

Foksi përfundon veprën e tij

Pasi u kthye në Angli, Foksi iu përvesh punës për të nxjerrë një vepër të zgjeruar, me hollësi që ndoshta disa nga lexuesit e tij i kishin përjetuar. Botimi i parë në anglisht, me rreth 1.800 faqe dhe me shumë ilustrime të stampuara me relieve druri, doli në vitin 1563 dhe u bë menjëherë një nga librat më të shitur të kohës.

Shtatë vjet më vonë doli botimi i dytë. Dy vëllimet e tij kishin mbi 2.300 faqe dhe 153 ilustrime. Një vit më pas, Kisha e Anglisë dekretoi që një kopje e librit të Foksit të mbahej bashkë me Biblën në të gjitha katedralet e Anglisë dhe në shtëpitë e funksionarëve të kishës për dobinë e shërbëtorëve dhe të vizitorëve. Shumë shpejt këtë shembull e ndoqën edhe kishat e famullisë. Edhe analfabetët mund të përfitonin prej tij, falë ilustrimeve që nuk shlyheshin kollaj nga mendja për një kohë të gjatë.

Në këtë kohë, Foksi ishte bashkuar me puritanët, protestantë që mendonin se nuk mjaftonte thjesht ndarja nga Kisha e Romës. Ata mësonin se duhej zhdukur çdo gjurmë e katolicizmit, qëndrim që, si për ironi, i futi në konflikt me Kishën Protestante të Anglisë, e cila kishte mbajtur shumë zakone e doktrina katolike.

Ngaqë vepra e tij nxori në shesh shumë nga krimet e shëmtuara fetare që ndodhën në kohën e tij të trazuar, Xhon Foksi i dha formë pikëpamjes së njerëzve për fenë dhe politikën në Angli për shekujt që do të vinin.

[Shënimet]

^ par. 9 Shih artikullin «Lolardët, predikues të guximshëm të Biblës», në Kullën e Rojës të 1 gushtit 1980, anglisht.

^ par. 14 Sipas një vepre referimi, më 1534-n parlamenti miratoi Aktin e Supremacisë, sipas të cilit «Henri shpallej pa rezerva kreu i vetëm i Kishës, dhe kjo e shpëtoi nga akuza për tradhti të lartë. Kështu, kur nënshkroi këtë akt, vetëm me një të rënë të penës mbreti përmbysi traditat mijëravjeçare dhe Anglia doli hapur me një Kishë Kombëtare të pavarur nga papa».—The Leading Facts of English History, nga D. H. Montgomeri.

[Kutia dhe figura në faqen 28]

LIBRI I MARTIRËVE NGA FOKSI

Ndërsa Kisha Katolike vazhdonte luftën kundër Reformës, në Evropë, martirologët që bënin listat zyrtare të martirëve fetarë, si Zhan Krespeni, dokumentuan hollësi në lidhje me përndjekjen dhe martirizimin në vendet e tyre në formën e vëllimeve që shpesh quheshin Libri i martirëve. * Si rezultat, libri i Foksit Bëmat dhe monumentet e Kishës u quajt edhe Libri i martirëve nga Foksi. Më vonë, me daljen e botimeve të rishikuara e të përmbledhura, titullit të zgjedhur nga Foksi ia zuri vendin titulli jozyrtar.

[Shënimi]

^ par. 26 Shih artikullin «Libri i martirëve nga Zhan Krespeni» në numrin e marsit 2011 të kësaj reviste.

[Burimi]

© Classic Vision/​age fotostock

[Figura në faqen 27]

Xhon Uajklifi nisi predikues udhëtues të njohur si lolardët

[Burimi]

Nga libri The Church of England: A History for the People, 1905, Vol. II

[Burimi i figurës në faqen 26]

Nga Libri i martirëve nga Foksi