Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara u ekzaminuan 5.296 prodhime gjoja të padëmshme për mjedisin. Por u zbulua se 95 për qind e këtyre prodhimeve «përmbanin deklarata për mjedisin që nuk janë vërtetuar».​—TIME, SHBA.

Punonjësit e sigurimit në aeroportin ndërkombëtar të Bangkokut, «vunë re diçka të pazakontë» kur kontrolluan me rreze X bagazhet e një gruaje. Kur hapën një nga çantat e saj, panë një këlysh tigri të gjallë që i kishin dhënë qetësues.​—FONDI BOTËROR PËR NATYRËN, TAJLANDË.

Shumëllojshmëria e gjallesave në Amazonë

Pellgu lumor i Amazonës është ndër zonat që njihen për shumëllojshmërinë më të madhe të gjallesave. Sipas Fondit Botëror për Natyrën (WWF), gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar, aty u zbuluan dhe u klasifikuan më shumë se 1.200 lloje bimësh dhe kafshësh​—peshq, amfibë, zvarranikë, shpendë dhe gjitarë. Kjo do të thotë se në Amazonë zbulohet një lloj i ri mesatarisht çdo tri ditë. «Numri i llojeve të reja që janë zbuluar, është mahnitës,—thotë koordinatorja e WWF-së në Brazil, Sara Haçison,—pa përfshirë këtu edhe shumë grupe insektesh.»

Stres në vendin e punës

Një e pesta e finlandezëve mendojnë se problemet me përqendrimin dhe me kujtesën ndikojnë në rendimentin e tyre në punë. Sipas një raporti të Institutit Finlandez të Shëndetit në Punë, këto probleme po prekin gjithnjë e më shumë ata të moshave nën 35 vjeç, një moshë kur truri duhet të jetë në kulmin e tij. Ndër shkaqet që përmendeshin, ishin mbingarkesa me informacione dhe ndryshimet e vazhdueshme në sistemet kompjuterike. «Shumë mendojnë se kanë të bëjnë me një sasi kaq të madhe informacionesh, sa e kanë të vështirë të shoshitin se çfarë është më e rëndësishme për punën»,—thotë profesoresha Kiti Myler. Gazeta Helsinki Times vëren: «Nëse stresi zgjat, truri mësohet me të dhe trupi nuk na sinjalizon më se po sforcohemi më tepër seç duhet, derisa sëmuremi keq.»

A bëhen vërtet agresivë kur mendojnë për lojërat?

Sa zgjat agresiviteti pasi një person luan me lojëra elektronike të dhunshme? Studiuesit kanë caktuar pa përzgjedhur një grup studentësh, vajza ose djem, që të luajnë për 20 minuta lojëra elektronike të dhunshme dhe jo të dhunshme. Më pas, gjysmës prej secilit grup iu kërkua të mendonin për lojën që kishin parë. «Të nesërmen,—thuhej në raport,—pjesëmarrësit konkurruan me dikë që u dukej si kundërshtar në një detyrë sfiduese, ku fituesi mund ta dënonte humbësin me një zhurmë të fortë e të dhembshme nëpërmjet kufjeve.» Rritja e agresivitetit ishte e dukshme te djemtë të cilëve iu tha të kujtonin lojën e dhunshme. «Zakonisht, ata që luajnë me lojëra të dhunshme, luajnë më tepër se 20 minuta dhe ndoshta e kanë zakon t’i bluajnë në mendje ato»,—thonë studiuesit në revistën Social Psychological and Personality Science. Efekti nuk ishte i dukshëm te vajzat, të cilat në përgjithësi nuk i pëlqejnë lojërat elektronike të dhunshme.