Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Albarasini​—«Fole shqiponjash»

Albarasini​—«Fole shqiponjash»

Albarasini​—«Fole shqiponjash»

«Vizitoni një nga qytetet më të bukura në Spanjë, vizitoni Albarasinin.»—Hose-Martinez Ruiz, shkrimtar spanjoll që njihet edhe si Azorini, 1873-1967.

ALBARASINI është qytezë e pashoqe. Pse? Në radhë të parë për pozicionin gjeografik, pastaj për historinë e së fundi për pamjen plot hijeshi. Për këto arsye, në vitin 1961 qeveria spanjolle e shpalli monument kombëtar këtë qytezë në provincën e Teruelit. Në vitin 2005 një grup me përfaqësues të turistëve e zgjodhi Albarasinin si «qytezën më të bukur të Spanjës».

Strukur në malet e Spanjës Qendrore, Albarasini është një qytezë e lashtë me afro 1.000 banorë. Rreth e rrotull shihen lëndina të blerta të vaditura nga disa lumenj, si dhe një vargmal, me po të njëjtin emër, Sierra-de-Albarasin.

Burim ushqimi dhe uji

Në kohët e hershme, bollëku i gjahut në zonën e Albarasinit bëri që njerëz nga vende të tjera të shpërnguleshin aty. Pikturat që të ardhurit bënë nëpër shpella, tregojnë sa ata ishin artistë të shkëlqyer dhe vëzhgues të mprehë të natyrës. Ata vizatonin shumë dema gjigantë dhe kafshë të tjera, të cilat i ngjyrosnin me një bojë të bardhë që është parë vetëm në këto vise. Studiuesit mendojnë se këto shpella ku portretizohen skena nga jeta e përditshme, përdoreshin si vende mbledhjesh për aktivitete fetare dhe shoqërore.

Edhe sot, dreri, derri i egër dhe kafshët e vogla të gjahut gëlojnë në rezervatin e afërt të Montes Universalesit. Gjithashtu Guadalaviari (në arabisht «Lumi i Bardhë») është një nga lumenjtë më të pasur me troftë në Spanjë.

Në vitin 133 p.e.s., romakët nënshtruan fiset kelt-iberike dhe themeluan disa fshatra në rajonin e Albarasinit. Në shekullin e parë të e.s., inxhinierët romakë ndërtuan një ujësjellës (1) 18 kilometra të gjatë. Kjo mbahet si një nga veprat publike më komplekse romake në Spanjë. Gjurmë la edhe feja romake. Gdhendja në një gur varri romak, zbuluar në Albarasin, tregon se aty praktikohej adhurimi i perandorit.

Begati nën sundimin mysliman

Në shekullin e nëntë këtë rajon e kishin zaptuar arabo-berberët dhe mendohet se emri Albarasin vjen nga emri i kolonëve myslimanë që erdhën këtu, fisi berber Banu-Razin. Në mesjetë, arabo-berberët, hebrenjtë dhe ata që thoshin se ishin të krishterë, tregonin respekt reciprok dhe tolerancë. Për rrjedhojë, kjo ishte periudha më e begatë në historinë e Albarasinit.

Artizanët e Albarasinit prodhonin objekte të bukura dhe me sa duket këtu lulëzonte edhe mjekësia. Një komplet veglash kirurgjike të zbuluara gjatë gërmimeve, tregojnë se kirurgët vendës operonin edhe perden e syve. Albarasini vazhdoi nën sundimin mysliman deri në shekullin e 12-të kur kaloi në duart e katolikëve. Vlen të përmendet se ky duket rasti i vetëm në historinë spanjolle ku një ndryshim politik realizohet me paqe.

Ç’pamje ka Albarasini sot? Vizitori mund të endet përmes qytezës mesjetare, pasi nuk është shtuar asgjë në kohët moderne.

Siluetë mahnitëse

Filozofi spanjoll Hose-Ortega i Gaset (1883-1955) e përshkroi Albarasinin si «qyteti që rrok lartësitë me siluetën e tij mahnitëse». Ky përshkrim është me vend, pasi qyteza ngrihet mbi një masiv shkëmbor nja 1.200 metra mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga një grykë e thellë që shërben si hendek mbrojtës. Kjo fortesë natyrore e ka mbrojtur qytezën në rrjedhën e shekujve dhe i ka dhënë Albarasinit pseudonimin Fole shqiponjash.

Teksa shëtit në rrugët e ngushta të shtruara me kalldrëm, vizitori do të pikasë arkitekturën mbresëlënëse të një epoke të qëmotshme. Ndër shembujt tipikë janë: Ballkoni i qoshes, Shtëpia e kaltër (2), dhe Shtëpia e Huljanetës (3). Kjo e fundit duket sikur bën tra ekuilibri në kryqëzimin e dy rrugëve.

Shtëpitë e asaj kohe janë të ndërtuara me drurë dhe allçi, materiale shumë më të lehta se guri, një faktor i rëndësishëm që duhet mbajtur parasysh kur ndërton në majë të kodrës. Edhe dritaret e vogla me perde dantelle dhe kafaze hekuri (4) tërheqin vëmendjen e turistëve. Strehët e çative që zënë njëra-tjetrën, ballkonet me dru të gdhendur dhe çoqet e pazakonta për t’u rënë portave, shpesh në formë kafshe, ia shtojnë veçantinë qytezës.

Kujt i merren mendtë nga lartësitë, të ketë kujdes të mos shohë poshtë kur hyn në një shtëpi buzë shkëmbit. Meqë qyteza është ndërtuar majë masivit shkëmbor dhe nuk kishte shumë vend, banorët i ngritën disa shtëpi tamam buzë greminës.

Një kështjellë arabo-berbere duket si një kurorë mbretërore majë kodrës që ngrihet mbi qytet. Pikërisht kjo ishte bërthama ku pati fillesat Albarasini. Torre del Andador është pjesë e murit të ngritur nga vetë arabët në shekullin e dhjetë. Ndërtime të mëvonshme janë katedralja gotike, që daton në shekullin e 16-të, dhe ndërtesa administrative e qytezës, e cila ka formë potkoi dhe portikë me harqe.

Rrethuar nga pasuri natyrore

Për dashuruesit e natyrës, Albarasini ka edhe surpriza të tjera. Vargmali përreth ka një larmi të madhe ekosistemesh dhe shumëllojshmëri të florës dhe faunës. Burimet, krojet dhe ujëvarat stolisin malet plot pyje. Veç kësaj, ata që vijnë këtu për kamping mund të kundrojnë netët magjepsëse të qëndisura me yje.

Në këtë zonë jetojnë disa familje të Dëshmitarëve të Jehovait. Peizazhi i bukur ku jetojnë, u kujton premtimin e Biblës se në Mbretërinë e Perëndisë njerëzit e bindur do të jetojnë në një parajsë mbarëbotërore. Ky është lajmi i mirë që ata përpiqen me gjithë shpirt t’ua japin të tjerëve.—Psalmi 98:7-9; Mateu 24:14.

Çdo vit më shumë se njëqind mijë turistë përshkojnë rrugicat e Albarasinit. Po të vini në Spanjë, përse të mos e vizitoni këtë «fole shqiponjash» të pashoqe, fshehur në gji të maleve?

[Kutia dhe figurat në faqen 18]

THESARE ARTISTIKE TË ZBULUARA NË ALBARASIN

Poçe pomade prej argjendi. Mbreti arabo-berber Abdelmelik e kishte porositur këtë poçe enkas për gruan e vet Zarën, që në arabisht do të thotë lule. Në një gdhendje ari, në poçe, thuhet pjesërisht: «Bekime të përjetshme . . . , ndihmë dhe drejtim hyjnor për mirësi dhe drejtësi.» Ky objekt mbahet si një ndër thesaret më me vlerë prej argjendi të artit arabo-spanjoll.

Peshk kuarci. Peshku është zbukuruar me luspa dhe ka gojë argjendi e pendë ari. Ai është stolisur me perla dhe rubinë. Kaq i imët është punimi i kësaj skulpture, saqë ekspertët mendojnë se një mjeshtër i vetëm nuk do ta përfundonte dot, edhe sikur të punonte gjithë jetën.

[Burimet]

Poçja: Museo de Teruel. Fotografia Jorge Escudero; kuarci: Sta. Ma de Albarracín Foundation

[Harta në faqen 16]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

PORTUGALI

SPANJË

MADRID

Albarasin

[Figura në faqen 17]

1 ujësjellës

[Figurat në faqen 18]

2 Shtëpia e kaltër

3 Shtëpia e Huljanetës

4 kafaze hekuri

[Burimi i figurës në faqen 17]

© Ioseba Egibar/​age fotostock