Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vdes për pica!

Vdes për pica!

Vdes për pica!

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

THUHET se mbreti Ferdinandi I (1751–1825) u maskua si njeri i thjeshtë dhe shkoi pa u diktuar në një lagje të varfër të Napolit. Po përse fshehurazi? Sipa rrëfenjës, atij i shkonte goja lëng për një ushqim që mbretëresha e kishte ndaluar në oborrin mbretëror—picën.

Po të ishte gjallë sot, Ferdinandi do ta kishte kollaj t’ia plotësonte qejfin vetes. Sot në Itali ka rreth 30.000 piceri dhe çdo vit ato bëjnë aq shumë, saqë mund të sigurojnë 45 pica për çdo banor të vendit.

Lind mes të varfërve

Pica mund të ketë lindur në Napoli rreth vitit 1720. Asokohe, pica ishte kryesisht për të varfrit, një «fast food» që shitej dhe hahej rrugës. Nëpër rrugë, shitësit reklamonin me sa u hante zëri specialitetet e tyre të shijshme. Picat ruheshin të ngrohta në një scudo, enë bakri që shitësi e mbante mbi kokë.

Më në fund mbreti Ferdinandi I që vdiste për pica, nuk ia fshehu më oborrit mbretëror nepsin e tij. S’kaloi shumë dhe ky specialitet i rrugës bëri për vete kaq shumë njerëz, sa edhe ata të sërës së lartë e me xhepat plot, si edhe fisnikët e klasës mbretërore, vërshuan nëpër piceri. Madje nipi i Ferdinandit, mbreti Ferdinandi II, ndërtoi një furrë druri në kopshtet e Pallatit të Kapodimontes në vitin 1832. Kështu mund t’i kënaqte mysafirët e tij aristokratë.

A është e ushqyeshme?

Sot pica është ndër ushqimet e preferuara të të rinjve, por duhet pasur kujdes. Që të jetë e ushqyeshme, pica duhet të ketë përbërës të shëndetshëm që kanë aq sa duhet karbohidrate, proteina dhe yndyrna e janë të pasur me vitamina, kripëra minerale dhe aminoacide. Është mirë që pica të bëhet me vaj ulliri. Ai nxit formimin e HDL-së që quhet «kolesteroli i mirë që ndihmon për pastrimin e arterieve».

Gjithashtu, kur pica piqet mirë, rrallë shkakton probleme me tretjen. Pjesërisht, kjo vjen ngaqë karbohidratet e miellit hidratohen bollshëm kur brumi mbruhet dhe lihet të vijë pasi i është hedhur majaja. Nga ana tjetër, karbohidratet komplekse të bëjnë të ndihesh i ngopur, kështu, edhe ata që lënë kokën për pica, nuk e teprojnë.

Herën tjetër që do të shuani nepsin tuaj për pica, kujtoni se ajo lindi mes të varfërve dhe gëzohuni që Ferdinandi I nuk e mbajti sekret dobësinë e tij për picën.

[Kutia dhe figura në faqen 27]

▪ Pica piqet më mirë në furrë druri. Tymi që krijohet gjatë pjekjes i jep picës një aromë delikate, kurse shtresa e hollë e hirit poshtë picës i jep shije të lezetshme.

▪ Pica rrethore më e madhe në botë u bë në vitin 1990. Diametri i saj ishte më shumë se 37 metra dhe peshonte mbi 12 tonë.

▪ Zakoni i vjetër për ta hedhur dhe për ta rrotulluar në ajër brumin e picës, nuk është sa për shfaqje. Forca centrifugale që krijohet e bën brumin të rrafshët si disk me buzët paksa të ngritura—një bazë e përsosur për picën.

[Figura që zë gjithë faqen 26]