Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Nëpër vrimë të gjilpërës’

‘Nëpër vrimë të gjilpërës’

‘Nëpër vrimë të gjilpërës’

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

KUR eksploruesit britanikë zbuluan Ngushticën e Basit më 1798, autoritetet e marinës ishin shumë të kënaqura. Kjo rrugë detare që ndan ishullin-shtet të Tasmanisë nga kontinenti i Australisë, e shkurtoi 1.100 kilometra udhëtimin nga Anglia në Sidnei.

Megjithatë, Ngushtica e Basit është ndër zonat e lundrimit më të rrezikshme në botë. Atje, tufanet që vijnë nga perëndimi, rrymat e fuqishme dhe thellësia e vogël e ujërave, mesatarisht 50-70 metra, krijojnë det të trazuar dhe dallgë vigane. Të rrezikshëm janë edhe shkëmbinjtë koralorë dhëmbë-dhëmbë të Ishullit King që ndodhet në mes të ngushticës, në hyrjen perëndimore të saj.

Sot lundrimi nëpër Ngushticën e Basit nuk është i vështirë. Por nuk ishte kështu në kohën e anijeve me vela dhe mjeteve primitive të orientimit. Lundrimi përmes hyrjes perëndimore të ngushticës ishte një përvojë që t’i bënte nervat copë, ndaj përshkruhej sikur ‘kaloje nëpër vrimë të gjilpërës’.

Rruga më e shkurtër e lundrimit

Në fillim të shekullit të 19-të, anijeve u duheshin nja pesë muaj të mirë për të përshkuar 19.000 kilometrat nga Anglia në Australinë Lindore, dhe udhëtimi nuk ishte aspak i këndshëm. Zakonisht ata qindra pasagjerë, kryesisht emigrantë e të dënuar, bëheshin mizë lisi nën kuvertë, ku jetonin në kushte të vajtueshme. Shumë pasagjerë i zinte deti, ishin të kequshqyer, vuanin nga sëmundjet dhe kishte gjithandej parazitë. Edhe vdekja bënte kërdinë. * Prapëseprapë, mjaft udhëtarëve u jepte zemër e forcë shpresa e një jete më të mirë.

Situata u përmirësua në vitin 1852 kur kapiteni Xhejms Forbz (me nofkën Bulli që do të thotë Cub) gjeti një rrugë më të shkurtër. Ai nuk ndoqi paralelin e 39-të, që dukej sikur ishte udha më e shkurtër për në Australi, duke përshkuar pjesën jugore të Oqeanit Indian. Forbzi mori rrugën detare më të shkurtër nga Anglia për në Australinë Juglindore, dhe kjo e çoi më tutje në jug, drejt Antarktidës. * Me gjithë ajsbergët dhe dallgët gjigante, anijes së Forbzit, Marko Polos, me 701 emigrantë në bord, iu deshën vetëm 68 ditë të mbërrinte në portin e Melburnit, në shtetin e Viktorias. Pra, koha e udhëtimit gati u përgjysmua. Zbulimi i Forbzit ndodhi tamam kur duhej, pasi shumë njerëz udhëtonin për në Viktoria të mbërthyer nga ethet e arit. Me të marrë vesh se mund t’i bije më shkurt për në Australi, mijëra nga këta u turrën drejt kontinentit.

Pasi largoheshin nga Anglia, ndalesa tjetër e anijeve ishte kepi Otuej, rreth 16.000 kilometra larg. Marinarët përdornin këndmatës ose sektant dhe një sërë tabelash për të llogaritur gjerësinë gjeografike, si dhe një kronometër detar të vendosur sipas orës së Grinuiçit, për të gjetur gjatësinë gjeografike. Ora lokale përcaktohej nga pozicioni i diellit. Një orë ndryshimi mes orës lokale dhe orës së Grinuiçit nënkuptonte 15 gradë gjatësi gjeografike. Me këto dy koordinata, gjerësi e gjatësi gjeografike, një lundërtar i mirë mund ta përcaktonte vendndodhjen me një saktësi të kënaqshme.

Mirëpo, ndodhte që gjërat të shkonin ters. Retë mund ta zinin diellin për ditë të tëra. Veç kësaj, kronometrat e atëhershëm nuk ishin gjithnjë të saktë. Sikur të shtohej a të hiqej një sekondë përditë, pas tre muajsh anija mund të shmangej 50 kilometra nga kursi. Nga shiu, mjegulla ose terri, anijet jashtë kursit mund të mos e gjenin hyrjen për në Ngushticën e Basit dhe të bëheshin copë në bregun shkëmbor të Ishullit King ose të Viktorias. Pa dyshim, shumë udhëtarë ndiheshin si një kapiten që me t’i zënë syri kepin Otuej nga larg, thirri: «Falë Zotit nuk paskemi bërë asnjë gabim!» Kjo flet qartë për zotësinë e marinarëve të shekullit të 19-të, shumë nga të cilët ia dolën ‘të kalonin nëpër vrimë të gjilpërës’ pa e përplasur anijen. Gjithsesi, disa anijeve nuk u vajti aq mbarë.

Varri i një anijeje

Para se të agonte 1 qershori 1878, anija e madhe me vela Lok Ard lundroi përmes mjegullës së dendur drejt bregut të Viktorias. Mjegulla s’po u ndahej që nga dita e mëparshme dhe nuk e kishte lënë kapitenin të përcaktonte me këndmatës pozicionin e anijes në mesditë. Për pasojë i ishte afruar shumë më tepër nga ç’mendonte bregut të kontinentit australian. Papandehur, mjegulla u davarit dhe vetëm dy kilometra më tutje panë shkëmbinjtë e thiktë 90 metra të lartë. Ekuipazhi punoi gjithë furi për ta kthyer anijen, por erën dhe rrymat i kishin armike. S’kish kaluar as një orë kur Lok Ardi u përplas gjithë tërsëllëm pas një shkëmbi dhe 15 minuta më vonë u fundos.

Nga 54 veta që ishin në bord, vetëm dy mbijetuan: një djalë që merrte zanatin në anije, Tom Pirsi, dhe një pasagjere, Eva Karmajkëlli, të dy nën 20 vjeç. Në ujërat e ftohta të dimrit, Tomi u kap për orë të tëra pas një varke shpëtimi të përmbysur. Më në fund rrymat e morën me vete dhe e çuan në një grykë, në një të çarë mes shkëmbinjve. Me t’i kapur syri një plazh të vogël plot me mbeturina të anijes, notoi drejt tij për të shpëtuar. Eva nuk notonte dot, ndaj u kap pas mbeturinave të anijes për nja katër orë, e pastaj rrymat e çuan në të njëjtën të çarë mes shkëmbinjve. Kur pa Tomin në breg, ajo thirri për ndihmë. Tomi u hodh mes dallgëve dhe pasi u përlesh me to një orë, e tërhoqi në breg Evën që po binte në përhumbje. Ajo tregonte: «Ai më çoi në një shpellë të frikshme nja 50 metra larg bregut dhe pasi gjeti një arkë me konjak, theu një shishe e më dha pak. Kjo më solli në vete. Ai këputi ca barishte e shkurre që të shtrihesha. Pas pak humba ndjenjat dhe duhet të kem mbetur ashtu për orë të tëra.» Ndërkaq Tomi iu ngjit shkëmbit e dha alarmin. S’kishin kaluar as 24 orë nga mbytja e Lok Ardit, kur Tomin dhe Evën i çuan në një shtëpi ferme aty pranë. Evës i ishin mbytur prindërit dhe që të tre vëllezërit e dy motrat.

Sot me mijëra anije të mëdha e të vogla lundrojnë çdo vit të sigurta përmes Ngushticës së Basit. Rrugës mund të kalojnë mbi njëqind vende ku dihet se kanë ndodhur katastrofa. Disa nga këto, siç është gryka e Lok-Ardit në Parkun Kombëtar të Portit «Kembëll», Viktoria, i vizitojnë turistët. Prekesh kur kalon nëpër këto vende, ngaqë të kujtojnë njerëzit sypatrembur të shekullit të 19-të që i ranë përqark gjysmës së botës dhe morën në sy edhe rrezikun e fundit​—të kalonin nëpër ‘vrimë të gjilpërës’​—në kërkim të një jete më të mirë.

[Shënimet]

^ par. 7 Në vitin 1852, 1 në 5 fëmijë 12-muajsh a më të vegjël vdiqën gjatë udhëtimit nga Anglia në Australi.

^ par. 8 Një litar i tërhequr fort mes dy pikave çfarëdo në një sferë, është largësia më e vogël mes tyre​—rruga më e shkurtër.

[Kutia dhe figurat në faqen 17]

ÇFARË U BË ME TOMIN DHE EVËN?

Tom Pirsi dhe Eva Karmajkëlli, të vetmit të mbijetuar nga fundosja e Lok Ardit, u bënë të famshëm në Australi sa hap e mbyll sytë. «Gazetat flitnin tërë bujë për katastrofën, ngrinin në qiell Pirsin si hero, Eva Karmajkëllin si një bukuroshe dhe dukej se e kishin vulosur që ata të dy do të martoheshin»,​—thuhet në librin Kepi Otuej​—Bregu i sekreteve (anglisht). Ndonëse Tomi i propozoi, Eva nuk pranoi dhe tre muaj më pas u kthye në Irlandë. Atje u martua dhe krijoi familje. Vdiq në vitin 1934, kur ishte 73 vjeçe. Tomi iu kthye detit dhe fill pas kësaj iu mbyt anija për të dytën herë. Edhe kësaj radhe shpëtoi. Ai vdiq në vitin 1909, në moshën 50-vjeçare, pasi kishte punuar shumë vjet si kapiten në anijet me avull.

[Burimi]

Të dyja fotografitë: Flagstaff Hill Maritime Village, Warrnambool

[Diagrami dhe figura në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Me anijen «Marko Polo» (lart), Forbzi ndoqi rrugën e shkurtër nga Anglia në Australi dhe mbërriti shumë më shpejt

[Diagrami]

RRUGA E VJETËR

Paraleli i 39-të

RRUGA E SHKURTËR

Rrethi Polar Antarktik

[Harta]

OQEANI ATLANTIK

OQEANI INDIAN

ANTARKTIDA

[Burimi]

Nga gazeta The Illustrated London News, 19 shkurt 1853

[Diagrami dhe harta në faqet 16, 17]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Lundrimi përmes hyrjes perëndimore të Ngushticës së Basit ishte një përvojë që përshkruhej sikur ‘kaloje nëpër vrimë të gjilpërës’

[Harta]

AUSTRALI

VIKTORIA

MELBURN

Parku Kombëtar i Portit «Kembëll»

Kepi Otuej

Ngushtica e Basit

Ishulli King

TASMANI

[Figura në faqen 16]

Pasi u përplas në një shkëmb, «Lok Ardi» u fundos brenda 15 minutash

[Burimi]

La Trobe Picture Collection, Biblioteka Shtetërore e Victorias

[Figura në faqen 17]

Parku Kombëtar i Portit «Kembëll»: (1) vendi ku «Lok Ardi» goditi shkëmbin dhe (2) vendi ku gjendet shpella e Tom Pirsit

[Burimi]

Fotografi nga Scancolor Australia