Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si do t’ia bënim pa gomarët?

Si do t’ia bënim pa gomarët?

Si do t’ia bënim pa gomarët?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ETIOPI

NË RRUGËT e Adis-Abebës, kryeqytetit të Etiopisë, vendit që radhitet i 16-ti në botë për nga popullsia, gomarët kanë qenë prej shumë kohësh një mjet i rëndësishëm transporti. Shumë shoferë kanë mësuar të përshtaten me ta, pasi e kanë të qartë që në përgjithësi gomarët e dinë fare mirë se ku po shkojnë dhe do të bëjnë çmos të arrijnë atje. Edhe pse gomarët nuk ia kanë frikën trafikut të ngarkuar, barrët e tyre kaba duan kujdes, prandaj nuk e kthejnë kokën prapa. Kështu, nëse nuk jua ka qejfi të fërkoheni pas qymyrit, bajgave të thara të lopëve a sido që të jetë ngarkesa, do të bënit mirë t’u hapnit rrugë.

Në Etiopi ka rreth pesë milionë gomarë, pothuajse 1 gomar për çdo 12 banorë. Miliona etiopas jetojnë në majë të kodrave të izoluara e të ndara nga lugina të thella. Zonat e pllajës së madhe qendrore të vendit ndahen nga përrenj të vegjël e të panumërt. Shpenzimet që do të duheshin për të ndërtuar në këto vende ura ose edhe rrugë të pashtruara, do të tronditnin buxhetin e kujtdo shteti. Kështu, gomarët e durueshëm e që nuk rrëshqasin kollaj, janë mjeti ideal për transportin.

Gomari mund të përballojë gati të gjitha klimat e shumëllojshme të Etiopisë, duke filluar që nga klima e thatë dhe e nxehtë e vendeve të ulta e deri tek ajo e rajoneve alpine. Gjithashtu, është mjaft i aftë për të kaluar në shpatet e rrëpirëta, në shtigjet e ngushta, në shtretërit me gurë të lumenjve, në rrugët me baltë dhe në terrene të tjera gropa-gropa. Ai mund të shkojë edhe atje ku nuk shkon dot kali ose deveja. Për miliona njerëz, gomari është mjeti kryesor i transportit të mallrave, sidomos në qytetet ku në shumë shtëpi nuk shkohet me automjet.

Gomarët janë të zotë të manovrojnë në qoshet e ngushta dhe të udhëtojnë në shtigjet e ngushta gjarpëruese me gardhe anash. Nuk kanë nevojë për rrota të kushtueshme dhe s’para i kanë problem rrugët e rrëshqitshme. Ata mbajnë ngarkesa të të gjitha formave dhe përmasave, duke bërë të mundur transportimin e mallrave thuajse në çdo shtëpi. Ndërkohë që shoferët e makinave e çajnë borinë duke turfulluar, gomarët e gjejnë fare kollaj rrugën kur ka bllokim trafiku. E cili polic do ta çonte nëpër mend të gjobiste një gomar se u fut gabim në një rrugë njëkalimshe! Edhe parkimin nuk e kanë problem. Një gomar vërtet mund të shitet rreth 50 dollarë, por po t’i biesh lapsit e të llogaritësh sa të shkon transporti me automjet, gomari nuk ka të krahasuar.

Gomarë në kryeqytet

Në mëngjes, mijëra gomarë ecin drejt Adis-Abebës, qytet me një popullsi mbi 3.000.000 banorë. Shpesh ata bëjnë më shumë se 25 km. Sidomos të mërkurave dhe të shtunave ka shumë lëvizje, pasi këto janë ditët e pazarit. Udhëtimi mund të zgjatë deri në tri orë, dhe nisja duhet bërë pa zbardhur dita. Ndonjëherë të zotët e gomarëve ecin me ta, por më shpesh vrapojnë pas tyre që t’i arrijnë.

Zakonisht gomarëve u ngarkojnë thasë me drithë, me perime, dru për zjarr, çimento dhe qymyr, si edhe enë metalike të mbushura me vaj gatimi dhe arka me shishe të mbushura me pije. Disa gomarë mbajnë 90 kilogramë a më shumë. Ngarkesat e gjata, siç janë drutë e bambusë ose të eukaliptit, gomarëve ua lidhin anash dhe ata i tërheqin zvarrë. Ndoshta një nga pamjet më interesante janë dengjet e mëdha me kashtë ose bar të thatë të presuar, poshtë të cilave kafsha humbet fare.

Në mëngjes, rrugës për në treg, të ngarkuar me barrë të rënda, gomarët mund të baresin goxha shpejt. Kur mbaron ç’ishte për t’u shitur dhe janë çliruar nga barrët, gomarët kthehen në shtëpi më me terezi, madje ndalojnë aty-këtu për të cimbisur bimët anës rrugës. Edhe kur nuk shkojnë në treg, gomarët i përdorin për të kryer detyrat e tyre të përditshme, të sjellin ujë e dru për zjarr. Gjithashtu, ata mund të jepen hua a të jepen me qira. Madje disa janë pronë e «autoparqeve» që merren me transportin e mallrave me gomar. Në disa vende, gomarët tërheqin qerre e madje ndonjëherë, një çift mund të tërheqë një karrocë kaba.

Meritojnë respekt

Gomarët nuk kanë nevojë për shumë përkujdesje. Ata e kërkojnë vetë ushqimin dhe nuk bëjnë naze në të ngrënë. Kur trajtohen mirë, gomarët afrohen me të zotin. Sa për zgjuarsi, ua kalojnë edhe kuajve. Gjithashtu kanë një kujtesë të shkëlqyer për t’u orientuar. Ata mund të sjellin ujë nga më shumë se pesë kilometra larg, të pashoqëruar, mjafton që në fillim dhe në fund të rrugës të jetë dikush që i ngarkon dhe i shkarkon. Madje gomarëve mund t’u vihen edhe zile, kështu, njerëzit që banojnë gjatë rrugës e që presin mallin, i dëgjojnë kur vijnë e dalin për të marrë ngarkesën.

Ndonëse janë punëtorë të palodhur, gomarët nuk lëshojnë pe kur barra është tepër e rëndë ose kur kanë nevojë për t’u çlodhur ca. Në këto raste, si edhe kur ngarkesa është vënë keq e i vret, mund të ulen. Kur ndodh kështu, mund t’i keqkuptojnë dhe t’i keqtrajtojnë me fjalë a me të goditura. Mbase ju kujtohet tregimi i Biblës kur ndodhi diçka e tillë.—Numrat 22:20-31.

Gomarët e meritojnë t’i trajtosh mirë e të kujdesesh për ta. Është për të ardhur keq kur ngarkesa nuk është siguruar mirë e rrëshqet, dhe gomari bie në ndonjë kanal e thyen këmbët. Plagët, parazitët, mahisja e këmbëve, pneumonia dhe probleme të tjera mund t’i dobësojnë këta hamaj të palodhur. Pikërisht për këtë, në Debrë-Zeit, një qytet afër Adis-Abebës, është hapur një klinikë moderne për gomarët. Aty ka kompjuterë, dhoma mjekimi, automjete për mjekimin ambulator, e madje edhe një sallë të mirë operacioni. Kështu, në vitin 2002, rreth 40.000 gomarë përfituan nga forma të ndryshme të kujdesit shëndetësor.

Kur po shkonte në malin e Moriahut, patriarku Abraham e kaloi terrenin malor me gomarin e tij. (Zanafilla 22:3) Gjatë gjithë historisë së gjatë të kombit të Izraelit, gomari ishte pjesë e jetës së përditshme. Madje edhe Jezu Krishti kishte hipur në një gomar kur hyri triumfues në Jerusalem.—Mateu 21:1-9.

Edhe në Etiopi gomarët kanë histori të gjatë. Megjithatë, këtu ata kanë ende rëndësi për jetën e njerëzve. Ndërsa modelet e kamionëve dhe të makinave kanë ndryshuar gjatë viteve, gomarët kanë po të njëjtin model. E sigurisht që meritojnë respekt.

[Burimi i figurës në faqen 26]

‘Rezervati i gomarëve’, Sidmauth, Devon, Mbretëria e Bashkuar