Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta përgatitësh vajzën për menarkenë?

Si ta përgatitësh vajzën për menarkenë?

Si ta përgatitësh vajzën për menarkenë?

Puberteti është një kohë kur ndodhin shumë ndryshime. Për vajzat, një ngjarje e rëndësishme gjatë këtij procesi zhvillimi është menarkeja, që përkufizohet si «ardhja e menstruacioneve për herë të parë».

MENARKEJA mund të jetë një kohë stresuese për vajzat, dhe shpesh shoqërohet me lloj-lloj ndjenjash të trazuara. Ashtu si shumë ndryshime të tjera që ndodhin gjatë pubertetit, edhe ardhja e menstruacioneve mund të jetë turbulluese. Shumë vajza provojnë frikë dhe ankth kur kanë për herë të parë ciklin menstrual, dhe kjo vjen kryesisht nga keqinformimi e më shpesh akoma nga mosinformimi.

Vajzat e përgatitura për menarkenë shpesh janë më të qeta kur u vijnë për herë të parë periodat. Megjithatë, disa studime tregojnë se shumë vajza nuk janë të përgatitura. Gjatë një ankete me pjesëmarrëse nga 23 vende, pothuajse një e treta e të anketuarave thanë se nuk u kishte folur njeri për menstruacionet para se ato t’u vinin për herë të parë. Të zëna në befasi, nuk dinin ç’të bënin.

Disa nga ato që e kishin përjetuar më keq menarkenë, ishin gra që nuk ishin informuar fare për menstruacionet. Në një studim, disa gra përdorën fjalë të tilla, si «panik», «tronditëse», «turp» dhe «të frikësuara» teksa tregonin se si ishin ndier kur u kishin ardhur menstruacionet.

Pamja e gjakut në përgjithësi i frikëson njerëzit, pasi zakonisht gjaku lidhet me dhembjen ose plagët. Prandaj nuk është e vështirë për t’u kuptuar se kur mungon shpjegimi ose përgatitja e duhur, atëherë konceptet e përhapura, legjendat, madje thjesht padituria mund ta shtyjnë vajzën që t’i vijë turp ose të mendojë se ka ndonjë sëmundje a ndonjë plagë.

Vajza jote ka nevojë të dijë se hemorragjia e menstruacioneve është një proces normal që ndodh te të gjitha vajzat e shëndetshme. Si prind, mund ta ndihmosh të heqë ankthin ose frikën. Si?

Roli i prindërve është thelbësor

Informacioni për menstruacionet mund të merret nga shumë burime, si për shembull nga mësuesit në shkollë, punonjësit e shëndetësisë, botimet e madje edhe nga filmat edukativë. Shumë prindër kanë parë se këto burime shpesh sigurojnë informacione të vlefshme për procesin fiziologjik të menstruacioneve, si edhe për higjienën e tyre. Sidoqoftë, vajzat mund të kenë pyetje dhe nevoja të cilat këto burime nuk i trajtojnë. Edhe po ta dinë se çfarë të bëjnë kur u vijnë periodat, shpesh vajzat nuk dinë si t’i përballojnë emocionet dhe ndjesitë e ndryshme që provojnë gjatë menstruacioneve.

Gjyshet, motrat më të mëdha e sidomos nënat mund të ndihmojnë që vajzat të kenë informacionin plotësues dhe mbështetjen emocionale që u duhet. Më shpesh vajzat presin që nëna të luajë rolin kryesor për t’u mësuar për menstruacionet.

Po baballarët? Shumë vajzave u vjen zor të flasin me ta për menstruacionet. Disa dëshirojnë që babai të luajë një rol të tërthortë duke i mbështetur dhe duke i kuptuar, kurse të tjera duan që babai të mos përfshihet fare.

Gjatë dekadave të fundit, në shumë vende është rritur numri i familjeve që kanë vetëm babanë. * Prandaj, gjithnjë e më shumë baballarë do të përballen me sfidën se si t’i mësojnë vajzat e tyre për menstruacionet. Nevojitet që këta baballarë të dinë gjërat elementare për menstruacionet, si edhe ndryshimet e tjera fizike dhe emocionale që po u ndodhin vajzave të tyre. Baballarët mund t’u drejtohen nënave ose motrave të veta për këshilla praktike e ndihmë.

Kur të fillohet biseda?

Në vendet e industrializuara, siç janë Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe disa pjesë të Evropës Perëndimore, mosha mesatare e menarkesë është 12-13 vjeçe. Megjithatë në disa raste ajo mund të ndodhë që në moshën 8-vjeçare ose mund të jetë më e vonshme, në moshën 16 a 17-vjeçare. Në disa pjesë të Afrikës e të Azisë mosha mesatare e menarkesë në përgjithësi është më e madhe. Për shembull në Nigeri, mosha mesatare është 15 vjeçe. Te mosha e menarkesë mund të ndikojnë disa faktorë, si: trashëgimia, gjendja ekonomike, ushqimi, aktiviteti fizik dhe lartësia mbi nivelin e detit.

Është mirë të fillosh të flasësh me vajzën përpara se asaj t’i vijnë periodat për herë të parë. Prandaj, bisedat për ndryshimet e trupit dhe menstruacionet duhet të nisin herët, ndoshta që kur vajza është rreth tetë vjeçe. Ndoshta të duket shumë herët, por nëse vajza është aty nga mosha tetë-dhjetëvjeçare, tashmë trupi i saj mund të ketë hyrë në fazën e pjekurisë si pasojë e shtimit të disa hormoneve. Do të vëresh ndryshime të jashtme fizike që shoqërojnë pubertetin, siç janë zhvillimi i gjoksit dhe shtimi i qimeve. Pikërisht para menarkesë, shumica e vajzave marrin një zhvillim të menjëhershëm (hedhin trup dhe shtojnë në peshë).

Si të flasësh për këtë çështje

Shpesh vajzat që janë në prag të menarkesë janë kurioze të dinë se ç’do t’u ndodhë. Ndoshta në shkollë kanë dëgjuar vajza të tjera teksa diskutonin. Ato kanë pyetje, por shumë e kanë të vështirë se si të gjejnë fjalët e duhura për të pyetur. Atyre mund t’u vijë zor të flasin për këtë temë.

E njëjta gjë ndodh edhe me prindërit. Ndonëse nënat zakonisht luajnë rolin kryesor për t’u folur vajzave për menstruacionet, shpesh ndihen në siklet dhe të papërgatitura kur bisedojnë për menstruacionet. Mbase edhe ti si nënë ndihesh kështu. Pra, si ta fillosh bisedën për menstruacionet me vajzën?

Vajzat që nuk kanë hyrë ende në adoleshencë, por që po u afrohet menarkeja, mund të kuptojnë më mirë po t’u thuash gjëra të thjeshta e konkrete. Kështu mund t’i tregosh sa shpesh vijnë periodat, sa zgjasin ose sa gjak humbet. Prandaj, në bisedat e para, mbase është mirë të ndalesh vetëm te gjërat më kryesore dhe t’i shpjegosh çfarë të bëjë kur t’i vijnë menstruacionet. Gjithashtu, mbase do të të duhet t’u përgjigjesh pyetjeve të tilla, si: ‘Çfarë do të ndiej?’ ose ‘Çfarë do të ndodhë?’

Më vonë, ndoshta e sheh me vend t’i tregosh disa hollësi për procesin fiziologjik të menstruacioneve. Shpesh, mund të gjesh materiale që trajtojnë këtë temë te punonjësit e shëndetësisë, në bibliotekë a librari. Informacione të tilla mund të të ndihmojnë për të shpjeguar hollësitë. Disa vajza duan t’i lexojnë vetë këto materiale. Të tjera ndihen më rehat po t’i lexoni bashkë.

Gjej një vend të qetë për të filluar bisedën. Fillo një bisedë të thjeshtë, duke i folur për rritjen dhe pjekurinë. Ndoshta mund të thuash: «Së shpejti do të të ndodhë diçka shumë normale që u ndodh të gjitha vajzave. A e di çfarë është?» Ose nëna mund të fillojë duke thënë diçka nga përvoja e vet, si për shembull: «Kur isha sa ty, e pyetja veten se çfarë provon kur të vijnë periodat. Flitnim edhe me shoqet në shkollë për këtë gjë. A kanë filluar të flasin edhe shoqet e tua për këtë?» Zbulo se çfarë di vajza për menstruacionet dhe sqaroji çdo keqkuptim që mund të ketë. Ji e përgatitur që në bisedat e para ndoshta do të të duhet ty të flasësh më shumë a mbase do të flasësh vetëm ti.

Si grua, pa dyshim e ke provuar merakun dhe ankthin që ndihet para menarkesë, prandaj mund të tregosh se si je ndier ti vetë. Çfarë kishe nevojë të dije? Çfarë doje të dije? Cili informacion të ndihmoi? Përpiqu të jesh e ekuilibruar duke treguar edhe anët e mira edhe anët e sikletshme të menstruacioneve. Tregohu e gatshme për t’iu përgjigjur pyetjeve.

Një proces i vazhdueshëm

Informimi për menstruacionet duhet parë si një proces i vazhdueshëm, e jo si një bisedë që bëhet një herë e mirë. Nuk ka nevojë të flasësh për të gjitha hollësitë që në bisedën e parë. Shumë informacione njëherësh mund të jenë mbytëse për një vajzë të vogël. Fëmijët i mësojnë gjërat pak e nga pak. Gjithashtu herë pas here mund të jetë e nevojshme t’ua përsëritësh çfarë u ke mësuar. Ndërkohë që vajzat rriten, janë më të afta të kuptojnë hollësitë e tjera.

Një faktor tjetër është se qëndrimi i vajzave ndaj menstruacioneve ndryshon gjatë adoleshencës. Pasi vajza jote të mësohet pak me periodat, mund të ketë shqetësime dhe pyetje të tjera. Prandaj, është e nevojshme të vazhdosh ta mësosh dhe t’u përgjigjesh pyetjeve të saj. Përqendrohu në atë që është më e dobishme dhe më e përshtatshme për moshën e vajzës dhe aftësinë e saj për të kuptuar.

Merr iniciativën

Por ç’të bësh nëse vajza nuk duket e interesuar për këtë temë? Mbase kjo vjen se ngurron të flasë për gjëra personale. Ose ndoshta ka vetëm nevojë për pak kohë sa të ndihet rehat, e të të pyesë lirshëm për këto gjëra. Mund të të thotë edhe se tashmë di gjithçka që ka nevojë të dijë.

Në një studim me vajza të klasës së gjashtë në Shtetet e Bashkuara, shumica e vajzave mendonin se ishin të përgatitura për menarkenë. Megjithatë, kur iu bënë disa pyetje, ishte e qartë se njohuria e tyre ishte e paplotë dhe tregonte se ato kishin marrë si të vërteta një sërë konceptesh të gabuara, të bazuara në idetë e përhapura dhe legjendat. Pra, edhe nëse vajza thotë se është gati për ardhjen e menstruacioneve, prapëseprapë ka nevojë t’i flasësh.

Ka shumë mundësi që të të duhet ty si prind të hapësh biseda të shkurtra për menstruacionet dhe t’i vazhdosh ato. Po, është përgjegjësia jote si prind. E pranon ose jo vajza tani, ajo ka nevojë për ndihmën tënde. Mund të mos e kesh të lehtë e të ndihesh e paaftë, por mos u dorëzo. Ki durim. Me kalimin e kohës, pa dyshim që vajza do ta kuptojë se sa të çmuara ishin përpjekjet e tua.

[Shënimi]

^ par. 12 Në vitin 2003, në Japoni, familjet ku babai është prind i vetëm, arritën një numër rekord. Në Shtetet e Bashkuara, afërsisht në çdo 6 familje me një prind, 1 familje ka vetëm babanë.

[Diçitura në faqen 11]

Është mirë të flasësh me vajzën përpara se t’i vijnë periodat e para

[Kutia në faqen 13]

SI TË FLASËSH ME VAJZËN PËR MENSTRUACIONET

Zbulo se çfarë di ajo. Sqaroja keqkuptimet. Sigurohu që ti dhe ajo keni informacione të sakta.

Tregoji diçka nga përvoja jote. Duke kujtuar e duke i treguar diçka nga përvoja jote, mund t’i japësh vajzës tënde një ndihmë të madhe emocionale, për të cilën ka nevojë.

Jepi informacione praktike. Disa nga pyetjet e zakonshme që bëjnë vajzat e vogla janë: «Po sikur të më vijnë menstruacionet në shkollë?» «Çfarë gjërash të përdor kur të më vijnë menstruacionet?» «Si t’i përdor?»

Shpjegoja gjërat thjesht. Përshtatja materialin moshës dhe aftësisë së vajzës për të kuptuar.

Mësoje vazhdimisht. Fillo të flasësh me vajzën para menarkesë dhe vazhdoji këto biseda, sipas nevojës, edhe pasi t’i vijnë menstruacionet.

[Figura në faqet 12, 13]

Përpiqu ta kuptosh. Vajza jote mund të ngurrojë të flasë për gjëra personale