Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shkenca dhe Bibla më ndihmuan të gjeja qëllimin e jetës

Shkenca dhe Bibla më ndihmuan të gjeja qëllimin e jetës

Shkenca dhe Bibla më ndihmuan të gjeja qëllimin e jetës

TREGUAR NGA BERND ELSHLEGELI

M’u deshën 20 vjet kërkime që të gjeja qëllimin e jetës. Dy gjëra më ndihmuan: shkenca dhe Bibla. Studimi i shkencës më tregoi se jeta ka një qëllim. Por Bibla ma zbuloi këtë qëllim dhe më ndihmoi ta kuptoja.

NDOSHTA keni dëgjuar disa njerëz që thonë se shkenca bie ndesh me Biblën. I kam studiuar të dyja dhe nuk pajtohem me mendimin e tyre. Mbase jeni kureshtarë të dini përse.

Linda në vitin 1962, në Shtutgart, një qytet në Gjermaninë Jugore. Babai punonte si projektues makinash dhe bashkë me nënën ishin të zellshëm në veprimtaritë e kishës. Karina, motra ime, kishte lindur katër vjet para meje.

Një moment i rëndësishëm në fëmijëri, ishte kur babai më dha një lojë për të bërë eksperimente. Kisha shumë qejf të bëja eksperimente të thjeshta në kimi dhe në fizikë. Vërtet kënaqesha kur mësoja gjëra të reja.

Më vonë, kalova nga eksperimentet te kompjuteri. Edhe pse isha adoleshent, kuptova se kompjuteri më i mirë është truri. Por pyesja veten: ‘Nga erdhi truri? Kush na e dha? Dhe, cili është qëllimi i jetës?’

Vazhdoj shkollën e lartë

Kur isha 16 vjeç, e lashë shkollën dhe fillova stazhin si ndihmës në një laborator fotografish. Meqë gjëja që më pëlqente më shumë ishte të mësoja, kisha si synim të studioja fizikë në universitet. Por kisha ende një rrugë të gjatë për të bërë. M’u deshën pesë vjet që të përmbushja kualifikimet për t’u pranuar. Studimet i fillova në Shtutgart në vitin 1983, dhe i vazhdova në Mynih. Si përfundim, u bëra doktor në fizikë në Universitetin e Augsburgut në vitin 1993.

Në fillim nuk e kisha të lehtë në universitet. Në sallat e leksioneve zakonisht kishte rreth 250 studentë, dhe shumë prej tyre e lanë shkollën brenda pak muajsh. Isha i vendosur të mos dorëzohesha, por ta çoja deri në fund atë që kisha nisur. Ngaqë jetoja në konvikt, shoqërohesha me të rinj që e kishin mendjen te qejfet. Shoqëria me ta nuk ishte gjithnjë e mirë. Kështu, shkoja në festa të shfrenuara dhe merrja drogë.

Kërkimet më çojnë në Indi

Studimet në fizikë më ndihmuan t’i kuptoja më thellë ligjet natyrore të universit. Shpresoja që në fund, shkenca të më tregonte cili është qëllimi i jetës. Megjithatë, kishte gjëra që fizika nuk m’i shpjegonte dot. Në vitin 1991, bashkë me të tjerë udhëtuam për në Indi, për t’u njohur me meditimin oriental. Ç’përvojë e mrekullueshme të shihja me sytë e mi atë vend dhe banorët e tij! Por u trondita nga kontrasti ndërmjet të pasurve dhe të varfërve.

Për shembull, afër qytetit të Punës, takuam një guru, udhëheqës shpirtëror hinduist, që thoshte se mund të bëhesh i pasur, po të mësosh teknikat e duhura të meditimit. Çdo ditë meditonim si grup. Guruja shiste edhe ilaçe me çmime të larta. Dukej sheshit që fitonte shumë para; nga jeta që bënte kuptohej që ishte i pasur. Pamë edhe murgj që jetonin në varfëri, ndryshe nga guruja. Pyesja veten: ‘Përse meditimi nuk i ka bërë edhe ata të pasur?’ Udhëtimi në Indi më kishte dhënë disa përgjigje, por më kishte zgjuar po kaq pyetje të tjera.

Një nga suvenirët që solla nga India, ishte një kambanë për meditim. Më thanë se po ta goditja siç duhej, kambana lëshonte një tingull që do të më ndihmonte të meditoja. Kur u ktheva në Gjermani, bleva një horoskop të bërë nga dikush që pretendonte se mund të parashikonte të ardhmen time. Por meditimi nuk më zbuloi ndonjë gjë për jetën. U zhgënjeva kur kuptova se horoskopi ishte vetëm një copë letër pa vlerë. Kështu, pyetjet që kisha për qëllimin e jetës, mbetën pa përgjigje.

Përgjigjet i gjeta në Bibël

Jeta ime mori një kthesë të papritur në vitin 1993. Kisha përfunduar studimet e kërkimet dhe po përgatitja temën e doktoraturës për fizikë kuantike. Për ta mbaruar brenda afatit, punoja thuajse ditë e natë dhe lashë pas dore çdo gjë tjetër. Një pasdite, papritur trokiti dera. E hapa dhe pashë dy gra.

«A e dini se, sipas Biblës, viti 1914 është një vit i veçantë?»,​—më pyetën ato. Kjo pyetje më habiti. Kurrë nuk kisha dëgjuar diçka të tillë, por nuk kisha as kohë për t’u hyrë këtyre studimeve. Megjithatë, pyetja më zgjoi kureshtjen. Si ka mundësi që Bibla thoshte shumë kohë më parë se 1914-a ishte një vit i shënuar?

«A dëshironi të dini më shumë?»,​—vazhduan ato. Mendova: ‘Po t’i dëgjoj ç’do të më thonë, patjetër do të gjej ndonjë kontradiktë në argumentet e tyre.’ Në vend të kontradiktave, zbulova prova bindëse për vërtetësinë e Biblës. Mësova se profecia e Biblës tregon qartë se Mbretëria Mesianike e Perëndisë​—një qeveri qiellore që do të drejtojë mbarë tokën​—u vendos në vitin 1914. *

Gratë ishin Dëshmitare të Jehovait dhe më dhanë një libër Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. * E lexova brenda pak ditësh dhe çdo gjë m’u duk logjike dhe e arsyeshme. Dëshmitaret më treguan nga Bibla se vullneti i Jehovait është që njerëzit të jetojnë përgjithmonë në një parajsë në tokë. Sipas profecive të Biblës, ky premtim do të realizohet së shpejti. Çfarë shprese e mrekullueshme për të ardhmen! Kjo shpresë më preku dhe sytë m’u mbushën me lot. Mos ishte kjo ajo që kisha kërkuar këta 20 vjet?

Shpejt kuptova qëllimin që do të kisha në jetë: të njihja Perëndinë Jehova dhe t’i shërbeja atij me gjithë zemër. E vazhdova studimin e Biblës me Dëshmitarët e Jehovait dhe kuptova se ajo që po mësoja, ishte e vërteta. Duhej shumë për të plotësuar dëshirën që kisha për të njohur Perëndinë. Ndërsa përgatitja temën e doktoraturës, e lexova gjysmën e Biblës brenda tre muajsh.

Gjej më shumë se përgjigjet

Në maj të vitit 1993, shkova për herë të parë në një mbledhje në Sallën e Mbretërisë së kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait në Augsburg. Ato që dëgjova, m’u dukën të vërteta. Për më tepër, u ndjeva i lirshëm me Dëshmitarët. Ata më përshëndetën me ngrohtësi dhe më bënë të ndihesha i mirëpritur, edhe pse isha i panjohur. Një grua e moshuar u ul pranë meje dhe u përpoq të më gjente një libër këngësh. Javët vijuese, një Dëshmitar dhe djali i tij në moshë të re, më merrnin me makinën e tyre në Sallën e Mbretërisë. Shpejt, këta miq të rinj më ftuan në shtëpitë e tyre. Me kalimin e kohës, më lindi dëshira t’u tregoja edhe të tjerëve ato që po mësoja për qëllimin e jetës.

Po i zbatoja me gjithë zemër ato që mësoja nga Bibla, dhe kjo më shtynte të bëja ndryshime në jetën time. Për shembull, nuk doja t’i mbaja më objektet e okultizmit. Kështu, flaka horoskopin, kambanën për meditim dhe gjëra të tjera fetare që kisha sjellë nga India. Përparova në studimin e Biblës dhe iu kushtova Perëndisë Jehova, duke u pagëzuar si Dëshmitar i Jehovait në Mynih, në qershor të vitit 1994. Kështu, me gjithë zemër, përqafova qëllimin e vërtetë të jetës.

Në shtator të vitit 1995, u bëra pionier i rregullt, Dëshmitar i Jehovait që shërben në kohë të plotë. Kjo do të thoshte se do të kaloja më shumë kohë duke folur me njerëzit për qëllimet e Perëndisë. Për këtë u mbështeta në forcën që jep Jehovai. Kishte raste që kthehesha në shtëpi në mbrëmje, pasi kisha kaluar orë të tëra në shërbim, dhe ndieja një gëzim e kënaqësi që nuk i kisha provuar kurrë para se të njihja Jehovain. Në janar të vitit 1997, më ftuan të vazhdoja shërbimin në kohë të plotë në Zeltërs, në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait, të quajtur Bethel, ku jetoj tani. Prindërit kanë ardhur disa herë e ndonëse nuk kemi të njëjtat bindje fetare, ata kanë respekt për Bethelin dhe janë të kënaqur që jam këtu.

Shkenca dhe Bibla

Disa mund të habiten se si ka mundësi që një njeri i cili ka studiuar shkencën për vite me radhë, mund të besojë atë që thotë Bibla. Unë nuk gjej ndonjë kontradiktë mes shkencës dhe Biblës. Si fizikan, kam studiuar ligjet që bëjnë të mundur jetën, dhe ato provojnë se janë vënë nga një inteligjencë mbinjerëzore. Për shembull, ka shumë teori në fizikë, kimi dhe biologji. E ndonëse këto teori, në thelb, mund të jenë të thjeshta, matematika që qëndron pas tyre është mjaft e komplikuar. Shkencëtarë mjaft inteligjentë kanë sugjeruar teori dhe kanë marrë çmimin Nobel për punën e tyre. Sa më tepër inteligjent duhet të jetë Ai që projektoi dhe solli në ekzistencë universin, të cilin shkencëtarët përpiqen kaq shumë për ta kuptuar!

Të mendosh se jeta erdhi nga rastësia, siç thonë shumë evolucionistë, është jashtë logjikës. Le ta ilustrojmë: vendosni dhjetë topa futbolli në vijë të drejtë dhe çdo top të jetë 1 metër larg nga tjetri. Gjuajeni topin e parë në mënyrë të tillë që çdo top të gjuajë tjetrin që vjen pas tij, e kështu të dhjetë topat të lëvizin. Për më tepër, përpiquni të parashikoni se ku do të ndalojë çdo top. Mundësia që të keni sukses është kaq e vogël, saqë ka mjaft të ngjarë që shumë njerëzve t’u duket e pamundur.

Kur është kështu, si mund të thonë që zhvillimi i qelizës njerëzore, që përfshin procese shumë më të ndërlikuara se të gjuash topa futbolli, erdhi thjesht nga rastësia? Shpjegimi më i arsyeshëm është se një Qenie superinteligjente krijoi njerëzit dhe gjithë gjallesat e tjera në tokë. Kjo Qenie, që është Krijuesi, a do ta kishte bërë këtë pa një qëllim? Sigurisht që jo. Ai duhet të ketë pasur një qëllim, dhe ky qëllim zbulohet dhe kuptohet me anë të Biblës.

Siç e shihni, si shkenca edhe Bibla më ndihmuan të gjeja përgjigjet e pyetjeve për qëllimin e jetës, të cilat më mundonin prej kohësh. A mund ta përfytyroni lehtësimin dhe kënaqësinë e madhe që ndien kur gjen diçka të cilën e ke kërkuar për më tepër se 20 vjet? Dëshira që më buron nga zemra, është të ndihmoj sa më shumë njerëz të gjejnë atë që unë e gjeta më në fund​—jo vetëm përgjigjet e pyetjeve të mia, por çka është më e rëndësishmja, si ta adhuroj në mënyrën e duhur të vetmin Perëndi të vërtetë, Jehovain!

[Shënimet]

^ par. 18 Për një shqyrtim të hollësishëm, shih kapitullin 10 «Mbretëria e Perëndisë sundon» në librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, faqet 90-97.

^ par. 19 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Tani nuk shtypet më.

[Diçitura në faqen 14]

Si fizikan, kam studiuar ligjet që bëjnë të mundur jetën, dhe ato provojnë se janë vënë nga një inteligjencë mbinjerëzore

[Figura në faqen 12]

Kur isha 12 vjeç

[Figura në faqen 13]

Gjatë kërkimeve për qëllimin e jetës, përdora edhe meditimin oriental

[Figura në faqen 15]

Kur u predikoj njerëzve ndiej gëzim e kënaqësi të vërtetë

[Burimi]

Kopertina e librit: J. Hester and P. Scowen (AZ State Univ.), NASA