Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Plotësohet kërkesa për lajme

Plotësohet kërkesa për lajme

Plotësohet kërkesa për lajme

«TË GJITHË athinasit dhe të huajt që banonin përkohësisht atje, e kalonin kohën e lirë veç duke treguar a duke dëgjuar ndonjë gjë të re»,​—tha Luka, një nga shkrimtarët e Biblës, rreth 2.000 vjet më parë. (Veprat 17:21) Një shekull më përpara, qeveria romake, e cila e kuptonte etjen e publikut për lajme, kishte filluar të nxirrte në vende që binin në sy, buletinin e ditës, Akta Diurna.

Nga shekulli i shtatë, kinezët kishin nxjerrë gazetën e parë me germa shtypi në botë, që titullohej Dibau (Pau). Në Evropë, ku kishte ende mjaft analfabetë, tregimtarët që shkonin sa në një vend në tjetrin, jepnin lajme për luftëra, fatkeqësi, krime e të tjera. Më vonë, gazetat e vogla të shkruara me dorë, me ilustrime të bëra me klishe druri e që tregonin lajme të tilla, shiteshin në tregjet publike e në panaire.

Me kalimin e kohës, shoqëritë tregtare i pasuruan letrat e tyre të biznesit me lajme të rëndësishme. Si përfundim, këto lajme dolën në një fletë më vete që mund të qarkullohej.

Lindja e gazetave

Në fillim të shekullit të 17-të, filluan të botoheshin rregullisht dy gazeta në gjermanisht. Gazeta Relation (lajme), e Strasburgut, u botua për herë të parë në vitin 1605; gazeta Avisa Relation oder Zeitung (lajme të rëndësishme), që botohej në Volfënbytel, doli në qarkullim në vitin 1609. Gazeta e parë e përditshme në Evropë ishte Einkommende Zeitungen (Të rejat e fundit), e cila doli në Lajpcig, Gjermani, më 1650.

Ajo përbëhej nga katër fletë sa madhësia e xhepit. Këto ishin të mbushura me lajme, pa një renditje të caktuar. Po të blije vetëm një kopje të gazetës, nuk ishte shtrenjtë, por një pajtim vjetor i kushtonte rrogën e një muaji një punëtori me rrogë të mirë. Gjithsesi, kërkesa për gazeta u rrit me të shpejtë. Rreth vitit 1700, vetëm në Gjermani kishte 50 a 60 gazeta që botoheshin rregullisht e bliheshin nga qindra mijë lexues.

Në fillim, burimet e lajmeve ishin letrat, gazetat e tjera, drejtorët e postave që i merrnin lajmet me postë dhe i kopjonin, ose thashethemet që korrespondentëve ua kapte veshi në vendet publike. Megjithatë, me konkurrencën në rritje, botuesit u përpoqën të shtonin numrin e lajmeve dhe të përmirësonin cilësinë. Për herë të parë punësuan redaktorë profesionistë. Meqë shumica e botuesve nuk kishin mundësi financiare për të organizuar një rrjet të zgjeruar gazetarësh e burimesh ku të merrnin informacione, etja për lajme çoi në formimin e agjencive të lajmeve. Këto do të mblidhnin informacionet e do t’ua shpërndanin botuesve të abonuar.

Shpikje të rëndësishme

Bota e gazetave nuk do të ekzistonte pa disa shpikje të rëndësishme, sidomos pa shtypshkronjën me germa të lëvizshme të Johan Gutenbergut. Shpikjet e mëtejshme e bënë më të lehtë dhe më pak të kushtueshëm prodhimin e gazetave. Për shembull, në vitin 1860, makinat rotative mundësuan shtypjen në një rul letre dhe jo në fletë të ndara. Shpejt pas kësaj u përdor makina e shtypshkrimit linotip. Me anë të saj germat metalike radhiteshin në faqe që përdoreshin për shtypje. Më vonë, në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, faqosja me kompjuter zëvendësoi punën me dorë që kushtonte shumë.

Në shekullin e 19-të, aty nga vitet 40 filloi të përdorej gjerësisht telegrafi, rreth viteve 70 po përhapeshin makinat e shkrimit dhe thuajse njëkohësisht edhe telefoni. Këto bënë që lajmet të përhapeshin gjithnjë e më shpejt. Në kohën tonë, në botën e gazetave përdoren mjaft kompjuteri, posta elektronike dhe faksi. Reporterët mbërrijnë edhe më shpejt në vendngjarje​—me tren, makinë ose aeroplan. Gjithashtu, mjetet e shpejta të transportit shpërndajnë gjithnjë e më shumë gazeta.

Çfarë del në gazetë?

Sot, kur mjetet e komunikimit e të transportit të shpejtë e bëjnë të duket gjithnjë e më të vogël botën, të gjesh lajme me bollëk nuk është problem për shumë vende. «Puna është të zgjedhësh nga një lumë i vrullshëm e i pafund lajmesh»,​—thonë redaktorët e gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung. Çdo ditë në gazetat gjermane vërshojnë rreth 2.000 informacione që vijnë nga agjencitë e lajmeve. Nga ana tjetër redaktorët mezi e përballojnë fluksin e madh të lajmeve që vijnë nga reporterët, korrespondentët, emisionet e lajmeve dhe burime të tjera.

Dy të tretat e lajmeve përmbajnë njoftime​—njoftime për shtyp dhe njoftime për orarin e veprimtarive të tilla, si koncerte, ngjarje sportive e konferenca. Botuesit duhet ta njohin tregun, në mënyrë që të plotësojnë kërkesën për informacione rreth temave me interes për banorët vendës. Këto mund të përfshijnë rezultatet e korrjeve, përvjetorë dhe festa.

Pjesë që ngjallin interesin e lexuesve janë: rubrikat sportive, pjesët humoristike, humori politik dhe artikujt e redaksisë. Kryeartikujt, reportazhet nga vendet e huaja dhe intervistat me personalitete të shquara e specialistë të fushave të ndryshme, janë zbavitës dhe të zgjerojnë horizontin.

Gazetat përballojnë një krizë

«Industria gjermane e gazetave po përballet me krizën më të rëndë financiare në histori»,​—thoshte gazeta Die Zeit në vitin 2002. Gjithashtu, në vitin 2004, Shoqëria Zvicerane e Shtypit njoftoi tirazhin më të vogël në dhjetë vjet. Çfarë ka ndodhur me kërkesën për gazeta?

Pikësëpari, ekonomia globale pësoi një rënie, e kështu u pakësuan reklamat, të cilat sillnin dy të tretat e të ardhurave të shumë gazetave. Nga viti 2000 deri në vitin 2004, gazeta amerikane Wall Street Journal humbi 43 për qind të të ardhurave që vinin nga reklamat. A do të shtohen reklamat po të ketë një rimëkëmbje ekonomike? Shumë reklama për pasuritë e patundshme, vendet e punës dhe makinat përfundojnë në Internet. Sot, gazetat konkurrojnë me median elektronike​—radion, televizionin dhe Internetin.

Nga ana tjetër, interesi për lajme është ende i gjallë. Profesori për çështjet ekonomike të medias, Aksel Cerdiku, tha në një gazetë të Frankfurtit në Gjermani: «Kriza nuk është kaq e rëndë sa mendojnë shumë gazetarë.» Diçka të përafërt tha edhe kryeredaktorja e rubrikës për çështjet e zonës në një gazetë të përditshme gjermane: «[Gazeta] rajonale vazhdon të jetë e fuqishme.»

Edhe pse asgjë nuk ua kalon gazetave për trajtimin e thellë të lajmeve dhe fuqinë për të ngjallur diskutime në publik, mbeten pyetjet: a mund të keni besim në mënyrën se si e përcjellin ato lajmin? Si mund të përfitoni sa më shumë nga gazetat që lexoni?

[Kutia dhe figura në faqen 6]

GAZETARIA​—PROFESION I VËSHTIRË

Dikush mund t’i ketë zili gazetarët. «Një gazetar mund të ndihet disi krenar për veten, ngaqë emri i tij del në gazetë»,​—pohoi një gazetar francez me shumë përvojë. Megjithatë, gazetaria ka edhe zhgënjimet e veta​—një histori që ta rrëmben një rival, refuzimi i një kërkese për intervistë, orë të panumërta në pritje të një ngjarjeje që nuk ndodh kurrë.

Një gazetare në Poloni përmendi një vështirësi tjetër: «Nuk e dimë kur do të pushojmë dhe kur do të punojmë. Ndonjëherë kjo ndikon për keq në jetën private dhe ritmi i shpejtë i punës mund të na krijojë probleme në jetën familjare.» Një gazetar në ish-Bashkimin Sovjetik nxori në pah atë që mund të quhet zhgënjimi më i madh: «U lodha shumë dhe, si përfundim, [materiali] nuk u botua.»

Një gazetare sportive në gazetën më të madhe të Holandës tha: «Shpesh më kanë quajtur injorante. Disa lexues zemërohen ose mërziten, e ngaqë ndonjëherë në sport emocionet dalin jashtë kontrollit, disa janë përpjekur të më vrasin.» Atëherë, çfarë i shtyn gazetarët të vazhdojnë?

Sigurisht, për disa mund të jetë paga, por nuk është kështu për të gjithë. Një gazetar që punon për një gazetë franceze, foli për pasionin e tij për të shkruar. Një gazetare meksikane tha: «Të paktën u jep njerëzve diçka që ia vlen ta marrin vesh.» Në Japoni, një redaktor i vjetër i gazetës së përditshme më të madhe në botë komenton: «Kënaqem kur mendoj se i kam ndihmuar njerëzit dhe kur drejtësia vihet në vend.»

Sigurisht, gazetat nuk janë vetëm fryt i punës së gazetarëve. Në varësi të madhësisë dhe organizimit të shtëpisë botuese, mund të ketë redaktorë përgjegjës, korrektorë bocash, kontrollorë për verifikimin e fakteve, arkivistë e shumë të tjerë që punojnë pa u lodhur, edhe pse emri i tyre nuk del në gazetë. E gjithë kjo bëhet që gazeta të arrijë deri te ju.

[Figurat në faqen 4]

Një ndër gazetat e para gjermane dhe gazeta në shitje sot

[Burimi]

Gazetë gjermane e vjetër: Bibliothek für Kunst-und Antiquitäten-Sammler, Vol. 21, Flugblatt und Zeitung, 1922