Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shpresa: A ndikon vërtet në jetë?

Shpresa: A ndikon vërtet në jetë?

Shpresa: A ndikon vërtet në jetë?

NDONËSE ishte vetëm dhjetë vjeç, Danieli kishte një vit që luftonte me kancerin. Mjekët i kishin humbur shpresat e po kështu edhe familjarët e tij. Por Danieli kishte ende shpresë. Kur të rritej donte të merrej me kërkime shkencore dhe të ndihmonte që një ditë të gjenin një kurë për kancerin. Sidomos ishte shumë optimist për vizitën që do t’i bënte një mjek i specializuar për trajtimin e kancerit që kishte. Por, kur erdhi dita e caktuar, mjeku specialist u detyrua ta anulonte vizitën për shkak të motit të keq. Danielin e lëshoi zemra. Për herë të parë ra në plogështi dhe nuk i interesonte më asgjë. Pas pak ditësh vdiq.

Historinë e Danielit e tregoi një punonjës i shëndetësisë, i cili studioi rolin që luan te shëndeti shpresa dhe mungesa e shpresës. Ndoshta edhe ju keni dëgjuar histori të ngjashme. Për shembull, një i moshuar mund të jetë në buzë të varrit, por mezi pret t’ia arrijë ditës kur do të ndodhë një ngjarje e shumëpritur, mbase vizita e një njeriu të dashur ose thjesht një përvjetor. Kur kalon ajo ditë, shpejt atij i vjen vdekja. Çfarë force vepron në këto raste? A mund të jetë vërtet shpresa një forcë kaq e madhe siç besojnë disa?

Gjithnjë e më shumë kërkues në fushën e mjekësisë thonë se optimizmi, shpresa dhe ndjenja të tjera që provojmë kur përqendrohemi në anët e mira të gjërave kanë vërtet ndikim të fuqishëm në jetën dhe në shëndetin e njeriut. Megjithatë, me këto pikëpamje nuk pajtohen të gjithë. Disa kërkues i hedhin poshtë thënie të tilla, duke thënë se janë thjesht gojëdhëna joshkencore. Atyre u pëlqen më shumë të mendojnë se sëmundjet fizike kanë vetëm shkaqe fizike.

Sigurisht, ky mosbesim në rëndësinë e shpresës nuk është diçka e re. Mijëra vjet më parë, filozofit grek, Aristotelit, i kërkuan të përkufizonte shpresën dhe ai u përgjigj: «Është një ëndërr me sy hapur.» Gjithashtu në kohët tona, Benxhamin Franklini, një burrë shteti amerikan, tha këto fjalë therëse: «Ai që jeton me shpresë, do të vdesë i uritur.»

Atëherë, si qëndron e vërteta: mos vallë shpresa është vetëm një iluzion, një mënyrë në të cilën njerëzit kërkojnë ngushëllim në ëndrra boshe? Apo ka ndonjë arsye të vlefshme për ta parë shpresën si diçka më tepër​—diçka që na nevojitet të gjithëve për të pasur shëndet e lumturi; diçka që ka një bazë reale dhe që sjell vërtet dobi?