Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Zvogëlojnë përmbajtjen e produkteve të paketuara

«Në një epokë që karakterizohet nga paketimi në sasi tepër të mëdha i produkteve dhe nga makinat e mëdha, në të vërtetë sasia e disa mallrave po zvogëlohet,​—thotë revista Time.​—Prodhuesit po e pakësojnë si me marifet përmbajtjen e produkteve të paketuara, duke filluar që nga kosi dhe akullorja e deri te pluhuri larës e pelenat, dhe shpesh kjo gjë nuk shoqërohet me uljen e çmimit.» Kjo taktikë nuk është e re. Megjithatë, për shkak të rënies së shpejtë të ekonomisë dhe të blerësve që janë më të kujdesshëm e kursimtarë, shumë prodhues, për të ruajtur fitimin, po ngulmojnë edhe më tepër që të shesin produkte që ua kanë zvogëluar sasinë. Shumica e blerësve nuk e vënë re se peshat ose përmasat kanë ndryshuar disa gramë ose disa centimetra dhe, si rrjedhojë, klientët shpenzojnë më shumë për të marrë në këmbim më pak. «Konsumatorët vërtet nuk e kanë parasysh se duhet të kontrollojnë peshën neto ose se sa copë ka një pako sa herë që blejnë diçka,​—thotë Edgar Dvorski, themelues i një siti në Internet për konsumatorët.​—Është një metodë e shkëlqyer për të mashtruar blerësit, nëse ata nuk e kuptojnë që ua kanë hedhur.»

Sapuni shpëton jetë

Val Kërtisi, pedagoge në Fakultetin e Higjienës dhe të Mjekësisë Tropikale në Londër, thotë se edhe vetëm larja e duarve me sapun mund të shpëtonte një milion jetë në vit, sepse do t’i mbronte njerëzit nga sëmundjet diarreike. Sipas gazetës The Daily Yomiuri, në Forumin e Tretë Botëror për Ujin, të mbajtur në Kioto të Japonisë, Kërtisi i quajti mikrobet sëmundjeshkaktuese që gjenden në jashtëqitjet e njerëzve «armikun numër një të njerëzve». «Në disa vende,​—thuhet në gazetë,​—është e zakonshme që gratë të lajnë fëmijët pasi ata kanë qenë në banjë dhe pastaj të gatuajnë pa i larë duart.» Larja e duarve me ujë dhe sapun mund të parandalojë përhapjen e viruseve dhe të baktereve vdekjeprurëse. Kërtisi tha se në vendet në zhvillim larja e duarve me sapun do të kishte një kosto tri herë më të ulët sesa përmirësimi i cilësisë së ujit për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve diarreike.

Rruga Alpine

Në vitin 2002, në Evropë u përurua Via Alpina, e cila përbëhet nga një varg shtigjesh për ekskursionistët. «Rruga Alpine u krijon mundësi ekskursionistëve të shijojnë 5.000 kilometra me peizazhet më mahnitëse të Evropës përgjatë shtigjeve tradicionale»,​—thotë gazeta The Independent e Londrës. Kjo rrugë lidh tetë vende alpine dhe shëtitja nis në nivelin e detit në Trieste, në bregun verilindor të Italisë e përfundon përsëri në nivelin e detit në Montekarlo, Monako. Rruga ngrihet gradualisht përmes maleve deri në lartësinë 3.000 metra, duke u rënë përqark majave më të larta të Alpeve. Sipas organizatës turistike franceze La Grande Traversée des Alpes, shtigjet e zgjedhura me kujdes janë «afër vendeve më të famshme për natyrën dhe kulturën e tyre interesante». Mendohet se pak ekskursionistë do të arrijnë ta përshkojnë rrugën nga fillimi në fund. Por gjithsesi, në gazetë thuhet se «mund të dilni bashkë me familjen, të ecni pak kilometra dhe të ktheheni sërish në shtëpi. Via Alpina krijon mundësi të reja për ata që duan të kalojnë pushime të shëndetshme, të qeta, larg telasheve të jetës, por jo larg shtëpisë». Pushuesit mund ta kalojnë natën në njërin nga 300 hotelet, pensionet ose në ndonjë shtëpi të qetë malore përgjatë rrugës.

Llojet që rriten në oqeane janë drejt zhdukjes

Biologët detarë, dr. Rensom Majërsi në Universitetin e Dalhuzit në Halifaks dhe dr. Boris Uormi në Institutin e Shkencave Detare në Kil të Gjermanisë, thonë se oqeani nuk është më një hapësirë blu eksplorimi me popullata të mëdha me peshq. Ata thonë se llojet që rriten në oqeane po shkojnë një nga një drejt shfarosjes. Kjo dukuri po shkaktohet nga përparimet e teknologjisë satelitore dhe me valë zanore që përdorin flotat oqeanike të peshkimit për të gjetur se ku ka peshk. Siç thuhet në gazetën The Globe and Mail të Torontos, «çdo lloj peshku i madh është gjuajtur kaq sistematikisht gjatë 50 viteve të kaluara, saqë 90 për qind e çdo lloji është zhdukur». Dr. Majërsi mendon se zhdukja e këtyre peshqve, si edhe e atyre që preferohen për t’u ngrënë, siç janë toni, merluci, skutërri, peshku shigjetë dhe peshku shpatë, do të ndikojnë shumë në ekosistemin e oqeaneve të botës. Dr. Uormi shton: «Ne po prishim sistemin që mbështet jetën në planet, dhe kjo nuk është gjë e mirë.»

Malaria mbërthen më fort Afrikën

Gazeta franceze Le Figaro thotë se malaria vret «3.000 fëmijë çdo ditë në kontinentin afrikan». Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit në Afrikë ka më shumë se 300 milionë raste akute të malarjes, gjë që çon në vdekjen e të paktën një milion njerëzve. Në vitin 2000, Burundi pësoi një nga epidemitë më të rënda të malarjes. Për shtatë muaj u infektua gjysma e popullsisë së tij, pra rreth 3,5 milionë njerëz. Problemi është se parazitët që u rezistojnë ilaçeve i kanë bërë të paefektshme kurat me kininë. Ngaqë i frikësohen kostos së lartë, shumë vende afrikane nuk pranojnë të zëvendësojnë kininën me ilaçe më të reja kundër malarjes, të cilat përftohen nga një bimë kineze, Artemisia annua. Një zyrtare e OBSH-së tha se si pasojë e kësaj «malarja vazhdon ta mbërthejë më fort Afrikën».

Mbajnë gjallë latinishten

Ndonëse shumë njerëz e quajnë latinishten një gjuhë të vdekur, Vatikani po përpiqet ta mbajë atë gjallë dhe të përditësuar. Pse? Sepse, ndonëse gjuha që përdoret në Vatikan është italishtja, latinishtja është gjuha e tij zyrtare dhe përdoret ende në letrat qarkore dhe në dokumentet e tjera. Përdorimi i latinishtes ra ndjeshëm në vitet 70 të shekullit të 20-të, pasi ishte dekretuar se mesha mund të mbahej në gjuhët vendëse. Pikërisht në atë kohë, papa Pavli VI themeloi Fondacionin e Latinishtes për ta mbajtur gjallë këtë gjuhë. Një hap përpara në këtë drejtim ishte botimi i fjalorit latinisht-italisht në dy vëllime, të cilat u shitën që të gjitha. Sot ka dalë një botim i ri, bashkim i dy fjalorëve të parë, që kushton 102 euro. Ai përmban rreth 15.000 fjalë moderne në latinisht, si për shembull «escariorum lavator» (makinë larëse për pjatat). Gazeta The New York Times thotë se «brenda dy ose tre vjetësh pritet» të dalë një vëllim i ri. Shumica e fjalëve të shtuara do të jenë «nga fusha e kompjuterit dhe e informacionit».

Shpjegime që shkojnë dëm

«Pacientët harrojnë rreth 80 për qind të gjërave që u thotë mjeku kur janë në spital dhe gati gjysma e gjërave që mbajnë mend janë gabim»,​—thotë buletini shkencor wissenschaft.de, duke folur për një studim të zhvilluar në disa vende. Sipas Roi Kesëlsit, studiues në Universitetin e Utrehtit në Holandë, arsyet kryesore pse harrojnë janë mosha e shkuar, paragjykimet, stresi dhe mungesa e një shpjegimi me ilustrime. Për t’i ndihmuar pacientët që të mbajnë mend informacionin jetësor, është e këshillueshme që mjekët të flasin qartë dhe thjesht, të përmendin në fillim informacionet më të rëndësishme dhe të përdorin mjete ndihmëse pamore, siç janë grafitë.