Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përballojnë vështirësitë e një territori të veçantë

Përballojnë vështirësitë e një territori të veçantë

Përballojnë vështirësitë e një territori të veçantë

QË PREJ disa dhjetëvjeçarësh, Dëshmitarët e Jehovait po predikojnë në rezervatin e navajove që përfshin vise të shteteve të Arizonës, Nju-Meksikos dhe Jutës, në SHBA. Në gjuhën navajo, ai njihet me emrin Dine Bikeje (vendi navajo). Më shumë se 220.000 amerikanët indigjenë të këtij kombi, që në gjuhën e tyre quhen dine (populli), formojnë një nga fiset më të mëdha indiane të Amerikës së Veriut.

Gjatë viteve të predikimit, nga një grusht burrash e grash navajo, që ishin të interesuar për Biblën, janë formuar disa kongregacione me Dëshmitarë të Jehovait. Sot në këtë rezervat ka katër kongregacione​—në Tuba-Siti, Kajentë, Kenion Kims, dhe në Çinli. (Shih hartën poshtë.) Deri kohët e fundit çdo kongregacion kishte një Sallë Mbretërie, përveç kongregacionit të Çinlit, i cili detyrohej t’i bënte mbledhjet në klasa të marra me qira në një shkollë. Por tani, gjërat kanë ndryshuar.

Një Sallë Mbretërie për një territor të veçantë

Të shtunën, më 7 qershor 2003, u bë kushtimi i Sallës së Mbretërisë në Çinli. Fjalimin e kushtimit e mbajti Gerrit Lëshi, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Gjatë fjalimit, ai foli për rritjen e madhe të numrit të Sallave të Mbretërisë anembanë botës, por tha se duhen edhe mijëra salla të tjera për të plotësuar nevojat e më shumë se 94.600 kongregacioneve. Gjithashtu para 165 të pranishmëve, ai tregoi 15 arsye përse duhet ta vlerësojnë Sallën e re të Mbretërisë, si edhe dobitë që vijnë kur ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere. Në fund e mbylli me një lutje kushtimi, duke kërkuar bekimin e Jehovait për ta përdorur siç duhet këtë vend të shkëlqyer mbledhjesh.

Fillimisht ky kongregacion ishte një grup dhe mblidhej me kongregacionin e Kenion Kimsit që ndodhet rreth 100 kilometra në jugperëndim. Tani kongregacioni në Çinli ka si caktim të predikojë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në një territor me sipërfaqe më shumë se 11.000 kilometra katrorë. Shumë nga navajot jetojnë ose në shtëpi të lëvizshme, ose në hogane, që janë shtëpi në formë gjashtëkëndëshe ose tetëkëndëshe. Për të shkuar në vendet e izoluara duhet patjetër një makinë fuoristradë. Kjo është e domosdoshme sidomos kur flitet për shtëpitë e shpërndara nëpër Kenion dë Shei, një zonë e mrekullueshme në territorin e kongregacionit.

Kenion dë Shei​—I shenjtë për navajot

Pllajat e larta të Arizonës njihen për panoramat e tyre të paana me autostradat që duket sikur humbin tutje në pafundësi. Kenion dë Shei është vetëm disa kilometra larg Sallës së Mbretërisë. Ky kanion merr kthesa e dredha teksa kalon përmes shkëmbinjve të kuq që vazhdojnë për 40 kilometra. Ata nisin në lartësinë 9 metra dhe dalëngadalë arrijnë në lartësinë 300 metra. Këtë zonë, që radhitet ndër monumentet kombëtare, e vizitojnë çdo vit mijëra turistë. Këtë kanion, si edhe një tjetër kanion me emrin Kenion del Muerto, navajot i kanë vende të shenjta. Disa familje banojnë të veçuar këtu, në hoganet e tyre të bëra me dru dhe baltë. Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait kanë shkuar te të gjitha këto shtëpi dhe u kanë çuar njerëzve botime biblike në gjuhën e tyre.

Për të hyrë në kanion duhet të të shoqërojë një udhërrëfyes i autorizuar navajo. Disa turistë ngjiten në këmbë, të tjerë me kalë, por shumica shkojnë me fuoristradë. Ai është i nevojshëm, pasi shpesh shtegu kalon përmes moçalishtes së Çinlit. Udhërrëfyesi di edhe si të shmangë gropat thithëse me rërë që me raste mund të gllabërojnë ndonjë kalë ose kamionçinë. Por përse ngjall kaq shumë kureshtje Kenion dë Shei?

Historinë e kanionit mund ta lexosh të gdhendur nëpër shkrepat e pjerrët dhe në vizatimet në shkëmbinj. Arkeologët mendojnë se banesat e famshme të ndërtuara në guva të mëdha në faqen e shkëmbit i takojnë periudhës së viteve 350 të e.s. dhe 1300 të e.s. Ndoshta më e famshmja është Rrënoja e Shtëpisë së Bardhë, e quajtur kështu për shkak të murit të bardhë të njërës prej ndërtesave. Rreth vitit 1300 të e.s., atë e braktisën anasazitë (fjala në gjuhën navajo për «banorët e lashtë»). Mendohet se navajot erdhën në këtë rajon vetëm në shekullin e 18-të.

Nëse ju rastis të vizitoni Kenion dë Shein, do të udhëtoni nëpër rrugën me emër Navajo Route 7. Atje, në një kthesë, afër me Monumentin Kombëtar, kërkoni me kujdes tabelën ku shkruhet «Jiihōvah Yádahalne’í bi Kingdom Hall» dhe «Kingdom Hall of Jehovah’s Witnesses» pra Salla e Mbretërisë e Dëshmitarëve të Jehovait. Jeni të mirëpritur të ndaloni e të hyni aty.

[Hartat në faqen 22]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

KOLORADO

KOMBI NAVAJO

ARIZONË

MONUMENTI KOMBËTAR I KENION DË SHEIT

Çinli

Kajentë

Tuba-Siti

KOMBI HOPI

Kenion Kims

NJU-MEKSIKO

JUTA

[Figura në faqen 23]

Arkeologët thonë se ka mundësi që në këtë shtëpi prej shkëmbi të kenë jetuar bashkë rreth dymbëdhjetë familje anasazite

[Figura në faqen 24]

Hogan

[Figura në faqen 24]

Kenion del Muerto

[Figura në faqen 24]

Spajder Rok në Kenion dë Shei