Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fara më e madhe në botë

Fara më e madhe në botë

Fara më e madhe në botë

Shumë vjet më parë, një farë jashtëzakonisht e madhe që uji nxori në bregun e ishujve Maldive dhe të Indonezisë, nxiti fantazinë e njerëzve. Rreth origjinës së saj qarkulluan mite. Disa mendonin se ajo vinte nga një pemë nënujore. Prandaj i vunë emrin koko dë mer ose arrë kokosi e detit. Madje njerëzit besuan se ajo ishte fruta e ndaluar që hëngri Adami në kopshtin e Edenit. Megjithatë, më në fund, aty nga mesi i shekullit të 18-të, u zbulua e vërteta rreth saj. Kjo farë misterioze kishte ardhur nga një lloj palme që gjendej vetëm në Sejshel, një grup i vogël ishujsh në Oqeanin Indian.

Koko dë meri gjendet më me shumicë në Vale-dë-Mei në ishullin e Pralanit. Këto palma mund të arrijnë deri në 30 metra lartësi dhe të jetojnë qindra vjet. Koko dë meri ka një të veçantë, ajo ka edhe pemë mashkullore, edhe pemë femërore. Që pema femërore të lidhë fryt duhet të pjalmohet nga një pemë mashkullore koko dë mer. Prandaj, që ky lloj të mbijetojë në kushte natyrore, duhet që në të njëjtin vend të ketë pemë të rritura nga të dyja gjinitë.

Fruta që jep koko dë meri femër është vërtet e pashoqe. Kur është në pemë, ajo duket si një zemër e gjelbër e stërmadhe. Por nga brenda është një farë e madhe me dy pjesë të fryra, e cila mund të peshojë deri në 20 kilogramë. Disa fruta kanë më shumë se një farë. Nuk është për t’u habitur që koko dë meri është regjistruar në Librin e Rekordeve Gines si pema me farën më të madhe në botë.

Kur ngre kokën për të parë vilet e kësaj frute gjigante, mbushesh me admirim për këtë mrekulli të krijimit. Por të rrish poshtë pemës mund të jetë edhe e rrezikshme. Këto vile mund të peshojnë rreth 180 kilogramë. Megjithatë, çuditërisht, nuk është raportuar asnjëherë ndonjë aksident nga rënia e frutave. Gjithsesi nuk është e mençur të vizitosh Vale-dë-Mein kur ka stuhi. Këtë frutë të veçantë mund ta soditësh më me kënaqësi në mot të qetë.