Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Zonja» e vetmuar e Bosforit

«Zonja» e vetmuar e Bosforit

«Zonja» e vetmuar e Bosforit

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË TURQI

NGJASHËM një nëne që rri te dera e shtëpisë, ndërsa pret të kthehen njerëzit e saj të dashur, ajo ka qindra vjet që qëndron e vetmuar dhe me pamje të trishtuar, pikërisht aty ku ngushtica e Bosforit hapet në detin Marmara. (Shih hartën.) Rrymat e vrullshme detare bëjnë që përplasja e dallgëve pas bregut shkëmbor të duket si dantella në fundin e kësaj gruaje. Këtu nga pozicioni i saj i favorshëm, kjo «zonjë»​—Kulla Kiz​—në heshtje, ka qenë dëshmitare e rrjedhës së historisë.

Përgjatë shekujve, ajo ka parë fundosje anijesh, grabitjet e ushtrive gjatë konflikteve gjakatare dhe argëtimet boshe që bëheshin në pallat. Vërtet, kur përmendet Stambolli, gjëja e parë që u vjen ndër mend shumë njerëzve është kjo kullë, simboli i qytetit të vjetër.

Është e vështirë të përshkruash se sa tërheqëse është kjo kullë për kaq shumë njerëz. Çdo mbrëmje, kur perëndon dielli, në bregun aziatik gjithmonë do të gjendet dikush që kundron përtej ujit Kullën Kiz, me siluetën e qytetit të Stambollit në sfond. Ndoshta një i moshuar po qëndron atje, ndërsa kujton ngjarje të jetës së tij ose një i ri, i mbushur plot me shpresë, ëndërron për të ardhmen. Ose ndoshta një grua, që ka humbur njerëzit e saj të dashur, po mendon se kulla duket po kaq e vetmuar, sa ç’ndihet edhe ajo. Poeti turk Sunai Akin, i cili në shkrimet e tij e përmend shpeshherë kullën, një herë tha: «Pamja më e pakëndshme e Stambollit është kur e sheh nga Kulla Kiz, sepse peizazhit i mungon bukuria e kullës.»

Pa dyshim nuk është e lehtë të zbulosh historinë e kullës. Në fakt, sa më shumë të rrëmosh në të kaluarën e kësaj «zonje» të Bosforit, aq më shumë të duket sikur e kaluara e saj fshihet nën velin e traditës dhe të legjendës.

Historia e hershme e ishullit

Të dhënat më të hershme që njihen nuk flasin për kullën, por për shkëmbinjtë mbi të cilët është ndërtuar ajo. Më 411 p.e.s., gjatë luftërave mes Athinës dhe Spartës, Bizanti (Stambolli i sotëm) ishte në anën e spartanëve. Kështu, pjesa evropiane e Bosforit i kaloi Spartës, kurse ajo aziatike, Athinës. Në fund, Sparta e humbi luftën me Athinën. Megjithatë, për një kohë të shkurtër, Athina nuk ndërmori më sulme kundër Bizantit. Ajo parapëlqeu që thjesht të merrte nën kontroll ngushticën e Bosforit dhe të përfitonte nga taksat për mjetet e lundrimit që kalonin përmes saj. Mendohet se gjenerali dhe politikani athinas, Alqiviadhi ndërtoi mbi shkëmbinj një vend për mbledhjen e taksave. Sidoqoftë, nuk përmendet në ndonjë vend që kulla të ketë ekzistuar atje në atë kohë.

Disa vite më vonë, vetë Bizanti iu nënshtrua Athinës. Duke u frikësuar nga kërcënimet e mbretit Filipi II i Maqedonisë, athinasit dërguan 40 galera lufte për të forcuar pozitën e tyre në Bizant. Me komandantin e flotës, admiralin Haris, erdhi edhe gruaja e tij, por më vonë ajo u sëmur dhe vdiq në Krisopolis (Yskydar). Admirali Haris ndërtoi një altar kushtuar gruas së tij. Legjenda thotë se atë e ngritën në ishullin e vogël shkëmbor ku më vonë ndërtuan Kullën Kiz.

Si ka arritur të mbijetojë kulla?

Sipas librit The Book of the Maiden’s Tower (Libri i Kullës Kiz), hera e parë që mbi shkëmbinj ndërtuan diçka që ngjasonte me një kullë ishte gjatë mbretërimit të Manuel Komnenit (1143-1180), kur ndërtuan një strukturë ngjashëm një fortese të vogël të pajisur me topa.

Pas pushtimit të Stambollit më 1453, fortesën e vogël e ruajtën dhe vazhduan ta përdornin për qëllime ushtarake. Më vonë aty ndërtuan me dru edhe një far që shihte nga deti Marmara. Në vitet që pasuan, kulla rrinte në vrojtim, ndërkohë që faqe të tjera të historisë së njerëzimit shkruheshin me gjak. Anijet në Bosfor bënin beteja dhe ushtarët me shpatat vringëlluese përlesheshin me njëri-tjetrin. Anije mallrash të ngarkuara me barut dhe me çdo material tjetër të djegshëm luftonin kundër njëra-tjetrës.

Gjatë viteve, kulla përjetoi shkatërrime për shkak të tërmeteve dhe të zjarreve, derisa, më në fund, më 1720 ajo u shkatërrua pothuajse krejtësisht nga zjarri. Më vonë, Damat Ibrahim Pasha e rindërtoi atë me gurë dhe shtoi edhe një kullëz rrumbullake me shumë dritare, e cila ishte e veshur me plumb. Më 1829, kur shpërtheu një epidemi kolere, kullën e përdorën si qendër karantinore. Pas pak kohësh, më 1832 gjatë sundimit të Mahmudit II, kullës iu bënë riparimet e fundit më të mëdha. Më 1857, grupi drejtues i farit mori nën kontroll kullën dhe për ta kthyer atë në një far ngarkuan një firmë franceze. Ky far u automatizua plotësisht më 1920. Kulla shërbeu si far për afro njëqind vjet.

Në kohën e Perandorisë osmane, kullën e përdorën kryesisht si far për të treguar rrugën natën; por e përdornin edhe ditën kur koha ishte me mjegull. Në mot me stuhi, mjetet e vogla të lundrimit kërkonin shpëtim, duke lidhur një litar te kulla që dallgët të mos i merrnin me vete. Gjatë festave zyrtare nga kulla qëllonin me top.

Herë pas here, pallati perandorak osman e përdorte kullën për një qëllim tjetër. Zyrtarët e qeverisë që do t’i çonin në internim ose që do t’i ekzekutonin i mbanin në kullë. Kështu që ajo shërbente për ta si stacion para se të niseshin për udhëtimin e tyre të gjatë ose para se të shkonin drejt vdekjes.

Roli i saj vazhdon të ndryshojë

Pas vitit 1923, kulla nuk përdorej më për aktivitete zyrtare dhe shërbente vetëm si far. Gjatë viteve të vështira të Luftës II Botërore, kullën e riparuan dhe strukturën e brendshme e përforcuan me beton. Pas vitit 1965, kur kullën ia dorëzuan flotës ushtarake, atë e përdorën për njëfarë kohe si qendër komunikimi ushtarak. Pastaj, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, trafiku detar ndërkombëtar në ngushticën e Bosforit u shtua. Anijet që lundronin nëpër të ishin më të shumta dhe më të mëdha. Me daljen e anijeve të mëdha, për Kullën Kiz përfundoi epoka e qetë dhe vetmitare. Pas vitit 1983, autoritetet turke të lundrimit e përdorën kullën si pikë kontrolli të ndërmjetme për të drejtuar trafikun në ngushticë.

Sapo kishte filluar viti 1989, kur një lajm i jashtëzakonshëm tërhoqi edhe një herë vëmendjen drejt «zonjës» së Bosforit. «Kulla Kiz është e helmuar» ishte titulli i një kryeartikulli, i cili raportonte se cianidi, i cili përdorej në kantieret detare për të eliminuar parazitët tek anijet e infektuara, depozitohej në kullë. Më parë, këtë helm vdekjeprurës e kishin mbajtur në një ndërtesë në dok, por tani ajo ishte shkatërruar. Kështu, helmin po e depozitonin në kullë, «sepse nuk kishin ku ta vinin tjetër». Si pasojë, «zonjën» e vetmuar të Bosforit po e helmonin. Sipas artikullit, problemi më serioz ishte se po të ndodhte ndonjë shpërthim i gazit cianik do të kishte pasoja shkatërrimtare për Stambollin. Për këtë problem u fol shumë në shtyp dhe në televizion për tetë muaj rresht. Pastaj çështja u zgjidh kur më në fund kontejnerët me cianid i çuan në një vend tjetër.

Nuk ishte aspak e habitshme që në maj të vitit 1992 një grup poetësh të rinj, me përkrahjen e kryetarit të bashkisë, deklaruan nga Kulla Kiz se donin që kjo kullë, pothuajse e braktisur, të kthehej në një qendër kulturore. Në fund të fundit, për qindra vjet, ajo kishte frymëzuar poetë dhe shkrimtarë të panumërt. Pas kësaj, për një kohë të shkurtër, ekspozitat me vepra artistike dhe ato me fotografi i dhanë gjallëri kullës, dhe aty u zhvilluan edhe disa koncerte. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër, kullën e shpallën «rreth i letërsisë».

Kulla Kiz sot

Me synimin për ta hapur kullën për vizitorët, në vitin 1999, u bënë edhe riparime të tjera. Pas kësaj njoftuan se një vit më vonë, në kuadrin e një projekti për turizmin, do të hapnin një restorant dhe një qendër kulturore. Sot, për vizitorët dhe turistët ka një restorant, një bar-kafe, një kuvertë për të soditur dhe një dyqan dhuratash. Në shumë skela përreth Stambollit ka anije të vogla, për të shkuar te kulla.

Duhet pranuar se shumë njerëz nuk i kanë mirëpritur këto restaurime për qëllime fitimi. Gjithsesi, Kulla Kiz ka humbur fare pak, për të mos thënë asgjë, nga magjepsja e saj e dikurshme. Nëse ju rastis të udhëtoni në Stamboll, merrni masa që të vizitoni edhe Kullën Kiz. Do të kënaqeni po të uleni në njërin prej parqeve të shumtë të pjesës aziatike të Stambollit ku serviret çaj. Ndërsa rrufitni çajin, mund të admironi pamjen e pashoqe të Bosforit dhe të Kullës Kiz. Pastaj, ndoshta për pak çaste mund t’ju vijë ndër mend historia e gjatë e kësaj «zonje» të hijshme të Bosforit.

[Hartat në faqen 25]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

TURQI

STAMBOLL

DETI MARMARA

Ngushtica e Bosforit

DETI I ZI

[Figura në faqen 25]

Litografi e shekullit të 19-të

[Figura në faqen 26]

Restorant

[Figura në faqen 26]

Kuvertë për të soditur